Në atë që është quajtur “Tërheqja e madhe e bizneseve”, më shumë se 400 kompani të huaja janë duke u larguar ose duke i pezulluar aktivitetet e tyre në Rusi, si pjesë e sanksioneve gjymtuese perëndimore lidhur me vazhdimin e pushimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, ka tërhequr vërejtjen që “rreth 200.000 të punësuar janë në rrezik për të humbur vendet e punës”.
Një analizë e Financial Times ka përllogaritur që vetëm shtatë kompani shumëkombëshe kanë më shumë se 144 mijë vende pune në Rusi. Humbjet dhe pasojat tjera të largimit nga Rusia do të mund të arrinin shifrën e rreth 13.5 miliardë dollarëve.
Qindra mijëra rusë do të ndjejnë pasojat ekonomike të humbjes se vendeve të tyre të punës.
Vetëm McDonald’s ka në pronësi rreth 847 restorante dhe ka 62,000 të punësuar në tërë vendin. McDonald’s thotë që mbyllja e restoranteve të kësaj kompanie në Rusi do t’i kushtonte rreth 50 milionë dollarë në muaj.
Gjiganti i naftës dhe gazit, Shell, ka paralajmëruar më 8 mars që do të ndërpriste blerjen e hidrokarbureve ruse dhe do të pezullonte të gjitha aktivitetet e veta në Rusi, duke filluar menjëherë. Tregtuesi më i madh botëror i gazit natyror të lëngshëm do t’i shkruajë rreth 6 miliardë dollarë humbje pas vendimit për t’u larguar nga Rusia.
Është e paqartë se si do të reagojë Putini. Shteti i Rusisë mund të ndërhyjë dhe të shtetëzojë kompanitë e huaja, pronat dhe asetet, gjë që do të mund ta ngadalësonte gjakderdhjen por nuk ta ndalte.