Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Klitschko: Qëllimi i Rusisë është e gjithë Ukraina

Qëllimi i Rusisë është e gjithë Ukraina, por Kievi nuk do të pajtohet me këtë dhe do të ulet në tryezën e bisedimeve kur ushtari i fundit rus të largohet nga vendi, ka thënë të premten kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko, në një intervistë për HTV.

“Kievi ishte dhe mbetet objektivi i agresorëve. Kievi është zemra e Ukrainës. Është kryeqyteti dhe objektivi kryesor. Qëllimi i Rusisë është e gjithë Ukraina. Ata duan të gjithë Ukrainën. Ata do të shkojnë aq larg sa të lejojmë ne ata të shkojnë”, paralajmëroi kryebashkiaku i Kievit.

Klitschko ka thënë se Ukraina do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm me një kusht – “kur ushtari i fundit rus të largohet nga Ukraina”.

Rusia nisi sot një valë të re sulmesh raketore në infrastrukturën energjetike në të gjithë Ukrainën, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë dhe furnizim të kufizuar me ujë dhe duke bërë që Kievi t'u kërkojë vendeve perëndimore armë shtesë.

“Dhe është shumë e rëndësishme sot që, përveç forcës së shpirtit, të cilën nuk kemi nevojë ta huazojmë, të kemi edhe armë moderne”, ka thënë Klitschko për HTV.

Ai falënderoi vendet perëndimore për mbështetjen e deritanishme dhe sistemet antiraketë të cilat, thotë ai, rrëzuan me sukses shumicën e raketave ruse.