Dega japoneze e Kishës së Unifikimit të Koresë së Jugut të hënën e ka pranuar se nëna e të dyshuarit për vrasjen e ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe, ishte anëtare e saj, mirëpo ka mohuar se ka marrë donacione të mëdha, të cilat janë raportuar si motiv i mundshëm i vrasjes.
Krerët e kishës kanë bërë të ditur se as Shinzo Abe e as i dyshuari, i cili është arrestuar të premten, nuk ishin anëtarë të kishës. Megjithëse policia nuk e ka identifikuar kishën, raportet e medias japoneze vunë në dukje Kishën e Unifikimit në Japoni, e njohur gjithashtu si Federata e Familjes për Paqen dhe Bashkimin Botëror.
Abe u qëllua për vdekje në Nara, qytet në perëndim të Japonisë, teksa bënte fushatë për zgjedhjet parlamentare të së dielës. Kisha nuk humbi kohë për t’u distancuar nga vrasja, duke theksuar se nuk kishte të dhëna që i dyshuari për vrasjen e Abes të kishte marrë pjesë ndonjëherë në një shërbim a ngjarje të kishës, megjithëse mund të kishte ardhur me nënën e tij si fëmijë. Kisha hodhi poshtë raportet e mediave si spekulime, duke theksuar se motivi mbetet ende i paqartë.