Botë

Kina premton shtypjen e “forcave armiqësore”

Në Tokio, shumë protestues dolën në rrugë për t’i mbështetur demonstratat kineze. Dhjetëra prej tyre, kryesisht kinezë, mbanin tabela në japonisht, kinezisht dhe anglisht, ku thuhej “Xi Jinping të tërhiqet” dhe “Shtypeni Partinë Komuniste”. I pyetur në lidhje me shprehjet e huaja të mbështetjes për protestuesit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, mbrojti masat e vendit të tij për COVID-19 dhe tha se vendet e tjera duhet të kujdesen për punët e tyre

Partia Komuniste në pushtet e Kinës është zotuar se do të “godasë me vendosmëri aktivitetet e infiltrimit dhe sabotimit nga forcat armiqësore”, pas demonstratave më të mëdha në rrugë në dekada nga qytetarët e ngopur me kufizime të rrepta antivirus. Një shfaqje masive e forcës nga shërbimet e sigurisë të mërkurën u përpoq t’i pengonte protestat e mëtejshme.

Deklarata nga Komisioni Qendror i Çështjeve Politike dhe Juridike erdhi të martën vonë pas protestave që shpërthyen gjatë fundjavës në Pekin, Shanghai, Guangzhou dhe në disa qytete të tjera.

Gjersa nuk iu drejtua drejtpërdrejt protestave, deklarata ishte një kujtesë e vendosmërisë së partisë për të zbatuar sundimin e saj.

Qindra furgonë dhe automjete të blinduara me drita vezulluese u parkuan në rrugët e qytetit teksa forcat e policisë dhe ato paraushtarake kryen kontrolle të rastësishme të identitetit dhe kontrolluan telefonat celularë të njerëzve për fotografi, aplikacione të ndaluara ose prova të tjera të mundshme për ata që kishin marrë pjesë në demonstrata.

Nuk dihet numri i personave të ndaluar në demonstrata dhe në aksionet vijuese të policisë.

Ndërsa raportet dhe videot e protestave janë publikuar në internet përpara se të fshiheshin nga censuruesit e qeverisë, ato janë injoruar tërësisht nga media shtetërore e kontrolluar rreptësisht.

Më tej devijuan vëmendjen lajmet kombëtare të së mërkurës në mbrëmje, të dominuara nga vdekja e ish-presidentit dhe udhëheqësit të Partisë Komuniste, Jiang Zemin, në moshën 96-vjeçare.

Jiang u vendos si udhëheqës pak përpara shtypjes së përgjakshme të lëvizjes pro-demokratike të udhëhequr nga studentët e vitit 1989, e përqendruar në sheshin “Tiananmen” të Pekinit, dhe më vonë kryesoi një epokë të rritjes së rrezikshme ekonomike gjatë viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, duke ruajtur ende kontrollin e ngurtë të partisë.

Deklarata e komisionit, e lëshuar pas një sesioni, të kryesuar nga kreu i tij Chen Wenqing, anëtar i Byrosë Politike 24-anëtarësh të partisë, ka njoftuar se takimi synonte të shqyrtonte rezultatet e kongresit të partisë të 20 tetorit.

Në atë ngjarje, Xi ia dha vetes një mandat të tretë pesëvjeçar si sekretar i përgjithshëm, duke e bërë atë potencialisht lider të përjetshëm të Kinës, duke grumbulluar organet kryesore me besnike dhe duke eliminuar zërat kundërshtarë.

“Takimi theksoi se organet politike dhe ligjore duhet të marrin masa efektive për ta mbrojtur me vendosmëri sigurinë kombëtare dhe stabilitetin social”, thuhej në deklaratë.

“Ne duhet të godasim me vendosmëri aktivitetet e infiltrimit dhe sabotimit nga forcat armiqësore në përputhje me ligjin, të godasim me vendosmëri aktet e paligjshme dhe kriminale që prishin rendin shoqëror dhe ruajnë në mënyrë efektive stabilitetin e përgjithshëm shoqëror”, tha ai.

Xi përballë sfidave

Megjithatë, më pak se një muaj pasi në dukje siguroi të ardhmen e tij politike dhe dominimin e pakrahasueshëm, Xi, i cili ka sinjalizuar se favorizon mbi të gjitha stabilitetin e regjimit, po përballet me sfidën e tij më të madhe publike.

Ai dhe partia ende nuk kanë adresuar drejtpërdrejt trazirat, të cilat u përhapën në kampuset e kolegjeve dhe në qytetin jugor gjysmë-autonom të Hong-Kongut, si dhe duke ndezur protesta simpatie jashtë vendit.

Shumica e protestuesve e përqendruan zemërimin e tyre në politikën “zero-COVID” që ka vendosur miliona nën izolim dhe karantinë, duke kufizuar qasjen e tyre në ushqim dhe ilaçe, ndërsa shkatërron ekonominë dhe kufizon rëndë udhëtimet. Shumë talleshin me linjën gjithnjë në ndryshim të arsyetimit të qeverisë, si dhe pretendimet se “forcat e jashtme armiqësore” po nxisnin valën e zemërimit.

Megjithatë, zëra më të guximshëm kërkuan liri dhe demokraci më të madhe dhe që Xi, lideri më i fuqishëm i Kinës në dekada, si dhe partia që ai drejton, të tërhiqen – fjalimi i konsideruar subversiv dhe i dënueshëm me burgime të gjata. Disa mbanin copa letre të bardha bosh për ta demonstruar mungesën e fjalës së lirë.

Image

Protestat e fundjavës shpërthyen nga zemërimi për vdekjen e të paktën 10 personave në një zjarr më 24 nëntor në perëndimin e largët të Kinës që nxiti pyetje të zemëruara në internet nëse zjarrfikësit ose viktimat që përpiqeshin të arratiseshin u bllokuan nga kontrollet antivirus.

Autoritetet lehtësuan disa kontrolle dhe njoftuan një shtysë të re për të vaksinuar grupet e cenueshme pas demonstratave, por thanë se do t'i përmbaheshin strategjisë “zero-COVID”.

Partia kishte premtuar tashmë muajin e kaluar për t’i reduktuar ndërprerjet, por një rritje e infeksioneve i shtyu me shpejtësi kuadrot e partisë nën presion të fortë për t’i forcuar kontrollet në një përpjekje për t’i parandaluar shpërthimet. Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë raportoi të mërkurën 37.612 raste të zbuluara gjatë 24 orëve të mëparshme, teksa numri i vdekjeve mbeti i pandryshuar në 5233.

Universiteti Tsinghua i Pekinit, ku studentët protestuan gjatë fundjavës, dhe shkolla të tjera në kryeqytet dhe provincën jugore të Guangdongut, i dërguan studentët në shtëpi në një përpjekje të dukshme për t’i ulur tensionet. Udhëheqësit kinezë janë të kujdesshëm ndaj universiteteve, të cilat kanë qenë vatra të aktivizmit, përfshirë protestat në Tiananmen.

Policia dukej se po përpiqej ta mbante larg syrit goditjen e tyre, ndoshta për të shmangur inkurajimin e të tjerëve duke tërhequr vëmendjen ndaj përmasave të protestave. Videot dhe postimet në mediat sociale kineze rreth protestave u fshinë nga aparati i gjerë i censurës në internet i partisë.

“Zero COVID” ka ndihmuar në mbajtjen e numrit të rasteve më të ulëta se ato të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të mëdha, por ekspertët globalë të shëndetit, përfshirë kreun e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se është gjithnjë e më shumë i paqëndrueshëm. Kina i hodhi poshtë komentet si të papërgjegjshme.

Pekini duhet ta bëjë qasjen e tij “shumë specifike” për ta reduktuar përçarjen ekonomike, ka njoftuar kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Associated Press.

Ekonomistët dhe ekspertët e shëndetit, megjithatë, kanë paralajmëruar se Pekini nuk mund t’i lehtësojë kontrollet që mbajnë shumicën e udhëtarëve jashtë Kinës derisa dhjetëra miliona të moshuar të vaksinohen. Ata thonë se kjo do të thotë se “zero COVID” mund të mos përfundojë për një vit tjetër.

Kritikat amerikane

Ambasadori i SHBA-së në Kinë, Nicholas Burns, ka thënë se kufizimet, ndër të tjera, po e bëjnë të pamundur takimin e diplomatëve amerikanë me të burgosurit amerikanë që mbahen në Kinë, siç është e paraparë në Traktatin Ndërkombëtar. Për shkak të mungesës së linjave ajrore komerciale në vend, ambasada duhet të përdorë fluturime mujore për ta lëvizur personelin e saj brenda dhe jashtë.

“COVID me të vërtetë po dominon në çdo aspekt të jetës” në Kinë, tha ai në një diskutim në internet me Këshillin e Çikagos për Çështjet Globale.

Në lidhje me protestat, Burns ka theksuar se Ambasada po e vëzhgonte përparimin e tyre dhe përgjigjen e qeverisë, por tha, “Ne besojmë se populli kinez ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore”.

“Ata kanë të drejtë t’i bëjnë të njohura pikëpamjet e tyre. Ata kanë të drejtë të dëgjohen. Kjo është një e drejtë themelore në mbarë botën. Dhe kjo e drejtë nuk duhet të pengohet dhe nuk duhet të ndërhyhet”, është shprehur ai.

Burns ka përmendur gjithashtu raste të policisë kineze që ngacmonte dhe ndalonte gazetarët e huaj që mbulonin protestat.

“Ne mbështesim lirinë e shtypit, si dhe lirinë e fjalës”, ka thënë ai.

Në Tokio shumë protestues dolën në rrugë për t’i mbështetur demonstratat kineze. Dhjetëra prej tyre, kryesisht kinezë, mbanin tabela në japonisht, kinezisht dhe anglisht ku thuhej “Xi Jinping të tërhiqet” dhe “Shtypni Partinë Komuniste”.

I pyetur në lidhje me shprehjet e huaja të mbështetjes për protestuesit, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, mbrojti masat e vendit të tij për COVID-19 dhe tha se vendet e tjera duhet të kujdesen për punët e tyre.

“Ne shpresojmë se ata së pari do t’ua vënë veshin zërave dhe interesave të njerëzve të tyre në vend që ta drejtojnë gishtin te të tjerët”, ka thënë Zhao në një konferencë për media.

Përktheu: Blerta Haxhiu