Botë

Kina nis stërvitje ushtarake rreth Tajvanit duke simuluar bllokadën në portet kryesore

Kina

Kina ka nisur stërvitje ushtarake rreth Tajvanit, duke simuluar një bllokadë të porteve kryesore, duke goditur objektiva detare dhe duke shmangur “ndërhyrjen” ndërkombëtare, në atë që e quan një paralajmërim për forcat “separatiste” në Tajvan, raporton “The Guardian”. 

Ushtria Çlirimtare Popullore (PLA) – krahu ushtarak i partisë komuniste në pushtet në Kinë – tha se kishte dërguar forca detare, ajrore dhe raketore për ta rrethuar Tajvanin të hënën në mëngjes. Anijet e rojës bregdetare kineze u dërguan gjithashtu për të kryer “inspektime të zbatimit të ligjit” në det rreth ishujve të jashtëm të Tajvanit. 

Stërvitja, e quajtur “Misioni i Drejtësisë 2025”, ishte “një paralajmërim i ashpër ndaj forcave separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’ dhe forcave të ndërhyrjes së jashtme”, tha zëdhënësi i komandës lindore së PLA-së, koloneli Shi Yi. 

“Është një veprim legjitim dhe i nevojshëm për ta mbrojtur sovranitetin e Kinës dhe unitetin kombëtar”, tha Yi. 

Të hënën në mëngjes Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e ka akuzuar Pekinin për përshkallëzim të tensioneve dhe minim të paqes rajonale. Ministria “e dënoi me forcë” aktivitetin, duke thënë se dërgoi “forca të përshtatshme” për t’u përgjigjur dhe për të kryer ushtrime të veta të gatishmërisë për luftim. 

“Mbrojtja e demokracisë dhe lirisë nuk është provokim dhe ekzistenca e Republikës së Kinës (emri formal i Tajvanit) nuk është një justifikim për agresorët për ta prishur status quo-n”, tha Ministria. 

Roja bregdetare e Tajvanit tha se fushëveprimi i stërvitjes “përbën një kërcënim për sigurinë e lundrimit të anijeve në ujërat e Tajvanit dhe për të drejtat operacionale të peshkatarëve”. 

Pekini pretendon se Tajvani është një provincë kineze dhe po përgatitet ta aneksojë atë. Po kalon një modernizim masiv ushtarak dhe zgjerim, me qëllim që të jetë i aftë për pushtim deri në vitin 2027, sipas inteligjencës amerikane të disa viteve më parë. 

Partia Komuniste Kineze (PKK) dhe udhëheqësi i saj Xi Jinping, i kanë kërkuar Tajvanit ta pranojë “ribashkimin paqësor”, duke përdorur një sërë inkurajimesh, por kryesisht kërcënime dhe veprime shtrënguese që janë intensifikuar vitet e fundit. Megjithatë, shumica dërrmuese e parlamentit dhe populli i Tajvanit e hedhin poshtë këtë, dhe Tajvani po e forcon mbrojtjen e vet ushtarake në rezistencë. 

Stërvitjet ushtarake të Kinës – të parat që nga prilli që synojnë Tajvanin – vijnë disa javë pasi kryeministrja e re e Japonisë, Sanae Takaichi, tha se vendi i saj ka të ngarë të përfshihet ushtarakisht nëse Kina e sulmon Tajvanin. Po ashtu Qeveria e SHBA-së ka miratuar një marrëveshje 11 miliardë dollarësh për shitje armësh në Tajvan. 

Në një njoftim nga PLA-ja për stërvitjet u tha se “anijet dhe aeroplanët do t’i afrohen ishullit të Tajvanit në afërsi nga drejtime të ndryshme për ta testuar aftësitë e trupave për të kryer manovra të shpejta, për të formuar një qëndrim gjithëpërfshirës dhe për të ekzekutuar bllokadë dhe kontroll sistematik”. 

Po ashtu u postua një video propagandistike dhe harta që tregon zonat që duhet shmangur.