Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kina i nis 10 mijë mjekë drejt Shangait pas valës së re të pandemisë

Kina ka nisur më shumë se dhjetë mijë punëtorë shëndetësorë drejt Shangait, përfshirë edhe dy pjesëtarë të personelit mjekësor të ushtrisë, derisa kjo krahinë kineze po përballet me ngritje enorme të rasteve me koronavirus.

Kina i druan përhapjes masive të virusit në qytetin e saj më të madh. Qyteti po kryen teste masive për më shumë se 25 milionë banorët e tij, derisa njëherësh po zbatohet mbyllja me dy faza në javën e dytë. Megjithëse shumë fabrika dhe firma po vazhdojnë punën e tyre, duke i izoluar punëtorët, është ngritur frika për ndikimin e madh ekonomik në qytetin më të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.

Në Shangai ka përqendrim të bizneseve prodhuese dhe tregtare. Varianti i Omicronit, BA.2 ka sfiduar autoritetet kineze që po vazhdojnë politikën e tyre për tolerancë zero ndaj koronavirusit. Pekini thotë se nuk do të heqë dorë prej saj, pavarësisht kostos së lartë ekonomike.