Botë

Kim Jong-un mbërrin në Rusi me tren të blinduar për samitin me Putinin

Foto: Reuters

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong-Un, ka mbërritur të mërkurën në qytetin rus Vladivostok për ta zhvilluar me presidentin, Vladimir Putin, samitin e sigurimit të mbështetjes ruse për vendin, në kohën kur bisedimet bërthamore mes Fenianit zyrtar dhe Washingtonin janë në rrezik.

Treni i blinduar që bartte Kimin – në vizitën e tij të parë zyrtare në Rusi – ndaloi në stacionin e Vladivostokut, në Oqeanin Paqësor, pak orë pas kalimit nga Koreja Veriore në Rusi, ka raportuar “Reuters”, transmeton “Koha Ditore”.

Pas një vonese të shkurtër, shkaktuar nga bllokimi i dyerve të trenit të Kimit prej tapetit të kuq të shtruar mbi platformë, dyert u hapën dhe Kimi i buzëqeshur shkeli tokën ruse. Më herët, gjatë një ndalese në kufi, Kim deklaroi për televizionin shtetëror rus se shpresonte për një diskutim të dobishëm dhe të suksesshëm me Putinin.

“Shpresoj se do të mund të diskutojmë për çështje konkrete, rreth negociatave të paqes në Gadishullin Korean dhe për marrëdhëniet tona bilaterale”, ka thënë Kim nëpërmjet përkthyesit.

Kim do të ulet për bisedime me Putinin të enjten, në një kampus universitar të një ishulli në periferi të Vladivostokut. Ky do të jetë takimi i parë mes dy liderëve dhe në agjendë të bisedimeve të tyre do të jetë përplasja rreth programit bërthamor të Fenianit, ka bërë të ditur një këshilltar për politika të Jashtme në Kremlin.

Takimi Kim-Putin do të zhvillohet dy muaj pasi samiti në Vietnam mes Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, përfundoi me dështim, duke e shtyrë liderin koreanoverior të kthejë sytë kah vendet tjera në kërkim të mbështetjes ndërkombëtare dhe lehtësimeve nga sanksionet.