Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kim Jong-un i gatshëm të rivendosë linjat e komunikimit me Korenë e Jugut

Lideri veri-korean Kim Jong-un ka thënë se është i gatshëm ta rivendosë linjën e komunikimit me Korenë e Jugut, në një ofertë të mundshme pajtimi, raporton BBC.

Ai po ashtu ka akuzuar SHBA-në se ka propozuar bisedime pa ndryshuar “politikën e saj armiqësore” karshi Koresë së Veriut.

Pyongyang ndërpreu linjat e komunikimit në gusht të këtij viti, në shenjë proteste kundër stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe SHBA-së.

Komentet e Kim Jong-Unit erdhën gjatë sesionit vjetor të Parlamentit të Pyongyangut.

“SHBA-ja po promovon ‘angazhim diplomatik’, por nuk është asgjë më tepër sesa një tentim për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar dhe për të fshehur veprimet e saj armiqësore dhe vazhdimin e politikave të saj armiqësore të ndjekura nga administratat e njëpasnjëshme amerikane”, thuhet në një raport të agjencisë së lajmeve KCNA.

Edhe Kim Jong Un ripërsërit thirrjen për zgjerim të programit të tij bërthamor Botë Kim Jong Un ripërsërit thirrjen për zgjerim të programit të tij bërthamor

Sipas raportimit të KCNA-së, Kim Jong-un ka shprehur synimin që linjat Veri – Jug që ishin ndërprerë për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve, të rivendosen në fillim të tetorit.

“Por, varet nga qasja e autoriteteve jug-koreane nëse duan që të rikthehen marrëdhëniet ndër-koreane apo duan të vazhdojnë të mbajnë gjendjen aktuale të përkeqësimit”, tha Kim.