Një këshilltar i lartë i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se administrata e ardhshme do të fokusohet në arritjen e paqes në Ukrainë në vend se të rifitojë territorin.
Bryan Lanza, një strateg i partisë republikane, i tha BBC-së se administrata Trump do t'i kërkojë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, versionin e tij të një "vizioni realist për paqen".
“Dhe nëse presidenti Zelensky vjen në tryezë dhe thotë, ne mund të kemi paqe vetëm nëse kemi Krimenë, ai na tregon se nuk është serioz”, ka theksuar ai.
Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014. Tetë vjet më vonë, ajo filloi një pushtim të plotë të Ukrainës dhe ka okupuar territorin në lindje të vendit.
Trump ka folur tashmë me Zelenskyn që kur fitoi zgjedhjet në SHBA - dyshja patën një telefonatë të mërkurën bashkë me miliarderin Elon Musk që mori pjesë.
Trumpi vazhdimisht ka thënë se prioriteti i tij është që t’i japë fund luftës dhe të frenojë rrjedhjen e burimeve të SHBA-së.
Muajin e kaluar, Zelensky prezantoi një “plan të fitores” që përfshinte refuzimin për të shkëmbyer territoret dhe sovranitetin e Ukrainës.
Gjatë fushatës, Trumpi vazhdimisht ka thënë se mund t’i jepte fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës “për një ditë”, por nuk ka dhënë detaje. Në një dokument të shkruar nga dy ish-shefat e sigurisë kombëtare thuhej se SHBA-ja do të vazhdonte furnizimin me armë, por mbështetjen do ta kushtëzonte me Kievin që të hynte në bisedimet e paqes me Rusinë.
Ukraina nuk duhet të të humbë shpresat e rikthimit të të gjithë territorit nga okupimi rus, thoshte dokumenti, por duhet të negociojë bazuar në linjat aktuale të frontit.
Lanza nuk ka përmendur zonat në lindje të Ukrainës, por ka thënë se rimarrja e Krimesë nga Rusia është joreale dhe “nuk është synim për SHBA-në”.
“Kur Zelensky thotë se ne do t’i ndalojmë luftimet, do të ketë paqe vetëm kur Krimea të rikthehet, ne kemi një lajm për presidentin Zelensky: Krimea s’është më”, i ka thënë ai BBC-së.
“Dhe nëse ky është prioriteti yt që ta kthesh Krimenë dhe të marrësh ushtarë amerikanë për ta kthyer Krimenë, je vetëm”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka uruar Trumpin për fitoren e zgjedhjeve dhe ka thënë se pretendimet e Trumpit se ai mund të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë “së paku meritojnë vëmendje”.
Lanza po ashtu kritikoi mbështetjen që administrata Biden-Harris dhe shteteve evropiane i kanë dhënë Ukrainës që në fillimin e pushtimit nga Rusia në shkurt 2022.
“Realiteti në terren është se shtetet evropiane dhe presidenti Biden nuk i dhanë Ukrainës mundësinë dhe armët që të fitonte këtë luftë që në fillim dhe ata dështuar të hiqnin kufizimet për Ukrainën që të fitonte”, ka shtuar ai.
Në fillim të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së aprovoi pakon e ndihmës ushtarake prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën.
SHBA-ja është furnizuesi më i madh i armëve për Ukrainën – mes shkurtit 2022 dhe fundit të qershorit 2024, i ka dhënë armë dhe pajisje në vlerë 55.5 miliardë dollarë, sipas Institutit Kiel, organizatë kërkimore gjermane.