Në një luftë ku thuhet se kanë vdekur më shumë se 34 mijë njerëz në një hapësirë toke të ngushtë, varrosja e të vdekurve është bërë detyrë komplekse dhe shpesh e rrezikshme. Disa varreza janë të mbushura, të tjerat janë të pamundura për t’u arritur për shkak të luftimeve. Për shkak të këtij presioni, trupat janë varrosur në zonën e spitalit, ku forcat izraelite kanë thënë se kanë luftuar kundër Hamasit
(BBC) - Një nënë do të kërkojë gjithandej për fëmijën e saj të zhdukur. Dhe për sa kohë ka fuqi, ajo kurrë s’do të ndalet. Pa marrë parasysh se a është i gjallë apo i vdekur. Kjo s’ka rëndësi.
Për katër ditë rresht, Kareema Elras, ka lëvizur nëpër zhurmën, pluhurin dhe erën e rëndë të varrezave masive në oborrin e spitalit Nasser.
Ajo është nëna e 21-vjeçarit Ahmed, i cili ishte vrarë më 25 janar në qytetin Khan Younis, në qendër të jugut të Gazës. Trupi i tij ishte i zhdukur që atëherë.
Të martën, Kareema e ka gjetur trupin e tij.
“Kam ardhur këtu tërë kohën, deri tash”, ka thënë ajo. “Derisa e gjeta trupin e tim biri, djalit tim Ahmed, djalit tim të vogël e të dashur, zemra e nënës. Ai e ka humbur babanë kur ka qenë 12 vjeç dhe unë e kam rritur e vetme”.
Aty pranë, familjet tjera ecin përgjatë perimetrit të varreve.
Kjo është skenë dëshpëruese dhe e njohur nëpër zonat e luftës në tërë botën.
Buldozerë që gërmojnë tokën për të arritur te të vdekurit. Një krah, i ngelur ashtu duke dalë nga dheu. Hapësit e varreve duke shënjuar vendet individuale ku kufomat do të varrosen. Dhe familjet e të humburve, duke shpresuar të gjejnë të dashurit e tyre.
Por pamjet nuk japin domosdoshmërisht të njëjtin shpjegim. Secila varrezë masive – qoftë në Ballkan, në Afrikën qendrore, në Lindjen e Mesme, ose diku tjetër – është pasojë e kushteve të veta lokale.
Në një luftë ku thuhet se kanë vdekur më shumë se 34 mijë njerëz në një hapësirë toke të ngushtë, varrosja e të vdekurve është bërë detyrë komplekse dhe shpesh e rrezikshme.
Disa varreza janë të mbushura. Të tjerat janë të pamundura për t’u arritur për shkak të luftimeve. Për shkak të këtij presioni, trupat janë varrosur në zonën e spitalit, ku forcat izraelite kanë thënë se kanë luftuar kundër Hamasit.
Në disa luftëra ka qenë e mundur të tregohet mjaft shpejt se çfarë u ka ndodhur viktimave. Kjo ndodh, sepse hetuesit mjekoligjorë kanë arritur në vendngjarje relativisht shpejt pas ndodhisë dhe gazetarët kanë mundur të futen në zonë.
Në kushtet aktuale në Gaza – me Izraelin dhe Egjiptin që refuzojnë ta pranojnë hyrjen e gazetarëve ndërkombëtarë dhe që luftojnë duke krijuar kështu kushte jashtëzakonisht të rrezikshme për çdo ekip të mundshëm të hetuesve mjekoligjorë – është sfidë e pamasë të përcaktosh si dhe kur ka vdekur secila nga trupat e nxjerrë nga varret në spitalin Nasser dhe gjithashtu Al-Shifa, në veri të qytetit të Gazës.
A ishin disa prej tyre të ekzekutuar nga forcat izraelite, siç supozojnë Hamasi dhe punonjësit lokalë të shpëtimit?
Apo a janë qindra të vdekurit e varrezave masive viktima të sulmeve ajrore dhe luftimeve në zonën brenda dhe rrotull kompleksit mjekësor, si dhe a janë viktima të sëmundjeve dhe të kequshqyerjes të shkaktuara nga lufta? A i kanë lëvizur izraelitët trupat nga një varr në një varr të ri?
Çfarë dihet për varret në spitalin Nasser?
BBC-ja ka verifikuar pamjet, ku shihen palestinezët duke i varrosur trupat në dy lokacione në oborrin e spitalit Nasser.
Varrimet e përkohshme kanë ndodhur teksa stafi mjekësor dhe qytetarët e zhvendosur kanë raportuar luftime intensive dhe pasi është treguar se spitali ishte rrethuar nga forcat këmbësore izraelite.
Nuk është konfirmuar me siguri se sa trupa ishin varrosur para fillimit të bastisjes izraelite më 15 shkurt. Ministria e Shëndetësisë së Gazës e udhëhequr nga Hamasi ka thënë se më 27 janar trupat e 150 njerëzve ishin varrosur në oborrin e spitalit, por është e pamundur të konfirmohet kjo shifër.
Është konfirmuar se pamjet e publikuara kohëve të fundit, pas tërheqjes së trupave izraelite nga Khan Younisi, tregojnë vendet e njëjta të varrimit, ku shihen qartë pemët dhe ndërtesat e njëjta.
Forcat e mbrojtjes civile të Gazës thonë se më shumë se 330 trupat janë gjetur, por pyetjet se si dhe kur kanë vdekur këta persona nuk mund të përgjigjen. Zyrtarët e spitalit Nasser mund t’i kenë ruajtur të dhënat për trupat që janë varrosur para bastisjes izraelite, por kjo nuk dihet akoma.
Ushtria izraelite ka konfirmuar që i ka zhvarrosur dhe i ka ekzaminuar trupat në oborr për të parë nëse kishte pengje të kidnapuara nga Hamasi, dhe se pastaj i kishin “rikthyer në vendin e tyre”. Por, Sky News i ka verifikuar videot dhe pamjet satelitore, ku shihen buldozerët izraelitë duke vozitur mbi oborr gjatë bastisjes së tyre, duke shkaktuar kështu dëme të dukshme në zonë.
Drejtori i zyrës së Komisionarit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për territoret palestineze, Ajith Sunghay, ka thënë se duhet të bëhet hetim i pavarur mjekoligjor i varreve.
Të martën, një tjetër zyrtar ka thënë se disa trupa ishin gjetur me duart e lidhura.
Kjo ka ardhur pas një deklarate nga një zyrtar i Mbrojtjes Civile Palestineze, grup që mban operacione të shpëtimit dhe rikuperimi, që kufomat ishin gjetur me pranga, të tjerë ishte parë se ishin qëlluar në kokë dhe të tjerë ishin veshur uniforma të të burgosurve.
Reem Zeidan i ka kaluar dy javë duke kërkuar trupin e djalit të saj Nabil, i cili ishte gjetur të mërkurën pasdite.
Reemi ka thënë se ka parë trupa që kishin shenja të torturës, me duart të lidhura me pranga.
“Ata ishin ekzekutuar. Disa i kishin këmbët dhe trupat në pranga dhe ishin ekzekutuar. Deri kur do të vazhdojë kjo?”
Sunghay është pyetur nëse kishte parë prova të forta të trupave me duar të lidhura.
“Ne akoma nuk kemi prova, kemi informacion”, është përgjigjur ai. “Dhe ky informacion duhet të vërtetohet nga burime të ndryshme. Dhe kjo është arsyeja e vetme pse na duhet një hetim i pavarur ndërkombëtar. Intensiteti i shkeljeve ka qenë masiv”.
Sunghay ka thënë se ka ekipe të gatshme për t’u vendosur në Gaza, nëse do u jepej leje dhe kalim i sigurt nga Izraeli.
Pala izraelite e ka hedhur poshtë si shpifje pretendimin se i ka varrosur trupat në spitale.
Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë: “Supozimi se IDF-i ka varrosur trupat e palestinezëve nuk ka baza dhe prova”.
IDF-i ka shtuar se trupat ishin zhvarrosur dhe ekzaminuar për të parë nëse kishte pengje të kidnapuara nga Hamasi dhe të dërguara në Gaza gjatë sulmit të 7 tetorit në Izrael.
“Ekzaminimi është kryer në mënyrë të kujdesshme dhe ekskluzivisht në vendet ku inteligjenca ka treguar praninë e mundshme të pengjeve. Ekzaminimi është kryer me respekt dhe duke e ruajtur dinjitetin e të ndjerëve”, u tha.
Puna e përpjekjes për t’i identifikuar dhe për t’i dhënë varrimi të denjë të të vdekurve do të vazhdojë për ditë të tëra.
Somaya al-Shourbagy e ka gjetur trupin e burrit të saj, Osama, në spitalin Nasser dhe ka arritur ta dërgonte në një varrezë, për t’u prehur në paqe afër familjarëve të tjerë.
Ajo është gjunjëzuar afër varrit të sapohapur bashkë me vajzën, Hindin.
“Vajza ime e vogël më ka kërkuar për ta vizituar varrin e babait të saj”, ka thënë Somaya. “Dhe i thosha se sapo ta varrosim, do ta vizitojmë. Shyqyr Zotit. Situata është e vështirë, por ndoshta do të arrijmë të gjejmë qetësi pasi ta varrosim atë”.
Hindi e vogël, e cila është rreth moshës 5-vjeçare, e kujton babanë e saj përmes syve të thjeshtë dhe të pastër të fëmijës: “Ai më donte mua, më blinte gjëra dhe më nxirrte jashtë të luaja”.