Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Katari njofton se është zgjatur marrëveshja e armëpushimit Izrael – Hamas edhe për dy ditë

Katari ka njoftuar se është arritur një marrëveshje për ta zgjatur armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit edhe për dy ditë tjera, raporton “BBC”.

Armëpushimi ishte paraparë të skadonte pas ditës së sotme. Javën e kaluar ishte dakorduar një armëpushim katërditor në kuadër të marrëveshjes për pengje të arritur mes Izraelit e Hamasit. Me marrëveshjen do të liroheshin 50 pengje të mbajtura nga Hamasi, ndërsa Izraeli do të lironte 150 të burgosur palestinezë. Marrëveshja hyri në fuqi të premten dhe u arrit me ndërmjetësim të Katarit.

39 pengje izraelite janë liruar deri më tash, dhe 117 palestinezë që gjendeshin në burgjet izraelite. Po ashtu u liruan edhe një numër i pengjeve të huaja nga Hamasi.

Izraeli kishte ofruar nga një ditë shtesë armëpushim në Gaza për çdo 10 pengje që lirohen.

Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor, kur militantët e Hamasit u futën brenda territorit izraelit duke vrarë 1200 persona e marrë 240 pengje. Si kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza, ku deri më tash raportohen mbi 14.500 viktima.