Katari nuk do të ndërmjetësojë më në bisedimet e armëpushimit në Gaza deri kur Hamasi dhe Izraeli “të tregojnë vullnet të sinqertë për t'u kthyer në tryezën e bisedimeve”, ka thënë një burim për AFP-në.
Ky veprim shënon pengesën më të madhe në përpjekjet për të arritur armëpushim që kur Hamasi nisi luftën në Gaza me një sulm ndaj Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar.
“Katari ka thënë që nga fillimi i konfliktit se ata mund ta ndërmjetësojnë vetëm kur të dyja palët tregojnë interes të vërtetë për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë zyrtari.
Ai ka shtuar se Katari ka njoftuar Hamasin, Izraelin dhe administratën amerikane për vendimin e tij.
Katari, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, luajtën rol të rëndësishëm në negociatat e deritanishme të pasuksesshme për një armëpushim në luftën njëvjeçare në Gaza.
Raundi i fundit i bisedimeve në mes të tetorit dështoi për të arritur një marrëveshje pasi Hamasi hodhi poshtë një propozim armëpushimi afatshkurtër.
Më herët gjatë ditës u raportua se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Katarit që t’ia mbyllë zyrën Hamasit në këtë shtet.