Dëgjimet nga regjistrimi i zërit në kabinën e pilotëve sugjerojnë se kapiteni i fluturimit të “Air India”, i cili u rrëzua në qershor duke lënë të vdekur 260 persona, mund ta ketë fikur furnizimin me karburant menjëherë pas ngritjes, raporton Wall Street Journal. Kjo ka shkaktuar panik te bashkëpiloti, sipas burimeve të zyrtarëve amerikanë që janë njohur me hetimet preliminare.
Një raport preliminar i publikuar javën e kaluar përfshinte detaje për kontrollin e karburantit, duke treguar se furnizimi me karburant për motorët e aeroplanit ishte ndërprerë vetëm disa sekonda pasi ishte ngritur nga pista.
Sipas raportit, menjëherë pas ngritjes, dy çelësat e kontrollit të karburantit – që përdoren për të fikur të dy motorët - kaluan nga pozicioni “RUN” (aktiv) në “CUTOFF” (i fikur), brenda një sekonde, duke ndalur plotësisht furnizimin me karburant për motorët.
Në regjistrimin e zërit nga kabina, njëri prej pilotëve dëgjohet duke pyetur tjetrin pse e shtypi ndërprerësin e karburantit. Sipas raportit, piloti tjetër është përgjigjur se nuk e kishte bërë këtë veprim.
Raporti i WSJ shton më shumë detaje për këtë bisedë, duke cituar se ishte kapiteni ai që ndaloi furnizimin me karburant.