Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kapet një person me armë pranë Parlamentit në Greqi

Policia në Greqi ka arrestuar një 37-vjeçar, i cili po mbante në dorë një pushkë gjuetie, përballë ndërtesës së parlamentit, njoftoi Associated Press të martën.

Një oficer grek i ka thënë AP-së se incidenti i së martës ka zgjatur pak më shumë se një orë, por që askush nuk është lënduar.

Oficeri, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se negociatorët policorë janë përfshirë në ngjarje dhe se rrjedha e trafikut rreth ndërtesës së Parlamentit është ndryshuar deri në zgjidhjen e rastit.

Ky është incidenti i dytë i sigurisë te ndërtesa e parlamentit grek në shtatë muajt e fundit.

Tetorin e vitit të kaluar, një 58-vjeçar është arrestuar, pasi drejtoi një kamionçinë në një trotuar përpara parlamentit. Policia hoqi më pas nga kamioni një bombol gazi për ngrohje dhe një enë bosh benzine.