(BBC) – Me qindra qytetarë mbushën krah më krah dhe pa maska në fytyrë pishinat e shumta të qytetit të Wuhanit dhe brohoritën në shprehje të kënaqësisë nën tingujt e muzikës gjatë një festivali. Nuk është ky një përshkrim tipik për vitin 2020, por ishte pamja e kësaj fundjave në qytetin kinez, ku gjatë vitit të shkuar shpërthyen rastet e para me COVID-19.
Pamjet e qytetarëve që argëtohen në parkun e pishinave “Wuhan Maya Beach”, tek duken pothuajse të pabrengosur nga shpërthimi i pandemisë që ka kapluar pjesën tjetër të botës, tanimë janë bërë virale. Këto skena janë një botë të tërë larg pamjeve që shpërfaqeshin nga Wuhani, në kohën kur qyteti kaloi nëpër izolimin e parë në botë shkaku i COVID-19, duke u shndërruar në një qytet fantazmë, të ndaluar për kalimtarë dhe automjete.
Masa e izolimit u shfuqizua në muajin prill dhe nuk është raportuar për raste të brendshme të përhapjes së virusit në Wuhan apo në krahinën Hubei, qysh nga mesmaji.
Rikthimi në realitet, me hapa të sigurt
Wuhani u fut asokohe në izolimin e pashembullt, që më 23 janar, në kohën kur virusi kishte shkaktuar vdekjen e 17 personave dhe kishte infektuar më shumë se 400 të tjerë. Ishte kjo një javë pasi që Kina konfirmoi se bartja prej njeriu në njeri e virusit veç kishte ndodhur, në atë që më herët nuk ishte e dëshmuar.
Edhe
Wuhani shënon përfundimin e COVID-19 me triumf dhe mohim
Qyteti me 11 milionë banorë qe shkëputur tërësisht nga pjesa tjetër e Kinës, pasi me qindra persona gjatë disa javëve të ardhshme u testuan dhe u futën në karantinë. Të gjitha tubimet e mëdha publike u anuluan dhe qytetarët u këshilluan që t’i shmangnin tubimet. Nga marsi, izolimi dalëngadalë nisi të zbutej. Vetëm nga një banor nga secila ndërtesë banimi lejohej të dilte prej kompleksit, për më së shumti dy orë.
Qendrat tregtare filluan të rihapeshin, transporti publik filloi të funksiononte dhe njerëzit nisën të dilnin – ndonëse distancimi sociale ishte ende në fuqi dhe maskat duhej të barteshin.