Autoritetet kanadeze po përpiqen të gjejnë mënyrë për t’i dhënë fund protestave 12-ditore në qendër të kryeqytetit për masat COVID-19, derisa protestuesit vazhdojnë të bllokojnë dy pikat kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë edhe Urën e Ambasadorit.
Ura, një nga pikat kufitare më të ngarkuara në kontinent, me rreth 8,000 kamionë në ditë, u rihap të martën për automjetet me destinacion SHBA-në, por uebfaqja e Agjencisë së Shërbimeve Kufitare të Kanadasë tregoi se korsitë nga Shtetet e Bashkuara ishin ende të mbyllura të mërkurën, raporton Reuters.
Shoqatat e biznesit në të dy anët e kufirit kanë kërkuar rihapjen e urës.
"Derisa ekonomitë tona dalin nga ndikimet e pandemisë, ne nuk mund të lejojmë asnjë grup të minojë tregtinë ndërkufitare", kanë thënë këto shoqata në një deklaratë të përbashkët.
Ndërsa kryebashkiaku Drew Dilkens, në një konferencë për shtyp tha se protestat janë duke shkaktuar dëm të madh ekonomik dhe social.
Edhe
Përfundon bllokada e kamionistëve në kufirin Kanada-SHBA
"Të gjithë kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, por dëmi ekonomik dhe social që po shkaktojnë këto protesta këtu në Windsor dhe Otava dhe në mbarë Kanadanë është mjaft domethënës”, u shpreh Dilkens.
Protestuesit kanë bllokuar gjithashtu një pikë tjetër kufitare në Coutts, Alberta, tha policia të martën, në të njëjtën ditë kur provinca kryesore kanadeze prodhuese e naftës njoftoi planet për të lehtësuar kufizimet në lidhje me pandeminë.