Kryetari në largim i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë të premten se ai dhe kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier, do të bëjnë çmos për ta siguruar një marrëveshje me Britaninë e Madhe, por shtoi se nëse një ujdi e tillë nuk mbërrihet, atëherë fajin do ta bartë Londra zyrtare.
Në një intervistë për një gazetë gjermane, Juncker ka thënë se po punon intensivisht me Barnierin ashtu që marrëveshja të arrihet, ngase përndryshe do të ishte një katastrofë e vërtetë për Britaninë, por edhe për Evropën po qe se Britania shkëput udhët me BE-në pa një proces të organizuar të daljes, shkruan sot Koha Ditore.
“Kryenegociatori ynë Michel Barnier dhe unë po bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për ta pasur një marrëveshje”, tha ai për të përditshmen “Augsburger Allgemeine”. “Por nëse në fund nuk do të kemi sukses, atëherë përgjegjësia do t’i bjerë ekskluzivisht palës britanike”.
Komentet e Junckerit u bënë teksa sekretari britanik për Brexit, Stephen Barclay, dhe Barnier u takuan në Bruksel në kuadër të përpjekjes së fundit për të shënuar përparim në aspektin e marrëveshjes.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)