Kryeminsitri i Japonisë, Shinzo Abe, ka shfuqizuar gjendjen emergjente për Tokion dhe katër rajonet e tjera të hënën, pasi numri i të infektuarave në vend ka rënë. Por, ai ka insistuar se do të kthejë sërish masat nëse fillon të përhapet virusi, shkruan agjencia Reuters.
Me këtë lëvizje nënkupton se masat kufizuese në gjithë vendin do të hiqen tash, pasi fillimisht ishin hequr në shumicën e qyteteve më 14 maj.
Abe ka thënë se shuma totale e stimulimit për dy pakot ekonomike do të tejkalojë shifrën e 200 bilionë yen (1.7 bilionë euro), por se do të duhet kohë e konsiderueshme për t’u kthyer në jetën normale duke e mbajtur në kontroll rrezikun e infektimit.
“Sot po marrim një hap të sigurt drejt fazës së ardhshme pas shfuqizimit të gjendjes emergjente”, ka thënë Abe para gazetarëve që ishin mbledhur në Tokio.
Abe e pranon se Japonia është përballur me probleme me reagimin dhe ka premtuar të rishikojë ecurinë pasi të mbarojë pandemia. Por, po ashtu ka përgëzuar “modelin e Japonisë”, ku përhapja është vënën nën kontroll në më pak se gjashtë javë pa mbyllje totale si në shtetet tjera.
Mirëpo, ai ka pranuar se, “në skenarin më të keq të mundshëm, mund të ketë mundësi fatkeqe për rikthimin e gjendjes emergjente nëse shpejtësia e infeksionit rritet”. Abe ka kërkuar nga njerëzit që të evitojnë qëndrimin në ambiente të mbyllura.
Japonia ka regjistruar më tepër se 16.600 të infektuar dhe 839 të vdekur. Mirëpo, pandemia ka goditur ekonominë e vendit e po ashtu popullaritetin e Abes.