Policia në Japoni është në kërkim të një personi që dërgoi alarme për bomba në qindra shkolla, duke çuar në mbylljen e tyre.
Kërcënime u bënë për shkollat e mesme dhe universitetet në fillim të kësaj jave nga një numër i regjistruar në Tokio. Në ndërtesat e shkollave nuk u gjet asnjë eksploziv dhe deri më tani nuk ka pasur raportime për sulme ndaj nxënësve dhe mësuesve, raporton BBC.
Kërcënimet me bomba janë të rralla në Japoni, e cila njihet për shkallën e ulët të krimit. Vala e parë e mesazheve filloi të hënën, duke mbërritur në shkollat dhe universitet në të gjithë vendin. Më shumë se 170 shkolla kanë marrë kërcënime me bombë, thanë zyrtarët.
Mediat lokale raportuan se një mesazh pretendonte se ishin vendosur më shumë se 330 bomba, ndërsa një tjetër thoshte: “Unë vendosa një bombë të madhe”. Disa raporte thanë se mesazhet kërkonin shpërblime që varionin nga 2.320 dollarë deri në 100 mijë dollarë.
Të martën, mesazhe që kërcënonin se do të vrisnin nxënës dhe mësues me armë të bëra vetë u dërguan nga i njëjti numër në shkollat e mesme në prefektura të ndryshme, duke përfshirë Osakan, si dhe Saitama dhe Ibaraki pranë Tokios. Për shkak të kërcënimeve, shumë shkolla u mbyllën si masë paraprake, megjithëse shumica janë rihapur që atëherë.