Trupat izraelite kanë shtënë në ajër gjatë kohës kur një grup prej 25 diplomatësh po vizitonin Jeninin në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli të mërkurën, duke shkaktuar zemërim dhe thirrje për një hetim nga liderët dhe ministrat botërorë.
Pamjet e publikuara tregojnë një numër diplomatësh duke dhënë intervista në media kur “të shtënat paralajmëruese” shpërthejnë pranë tyre, duke i detyruar ata të ikin, raporton The Guardian.
Delegacioni përbëhej nga ambasadorë dhe diplomatë që përfaqësonin 31 vende, duke përfshirë Italinë, Kanadanë, Egjiptin, Jordaninë, Britaninë e Madhe, Kinën dhe Rusinë.
Grupi ishte në një mision zyrtar të organizuar nga Autoriteti Palestinez për të vëzhguar situatën humanitare atje.
Ushtria izraelite ka thënë se vizita ishte miratuar, por sipas saj, delegacioni "ka devijuar nga rruga e miratuar" dhe ushtarët izraelitë qëlluan të shtëna paralajmëruese për t'i larguar ata nga zona.
Ministrat kanadezë, britanikë, francezë dhe të tjerë evropianë thirrën ambasadorët izraelitë në kryeqytetet e tyre përkatëse për të shpjeguar incidentin "e papranueshëm", i cili do të ushqejë edhe më tutje zemërimin dhe shqetësimin ndërkombëtar tashmë në rritje, teksa Izraeli vazhdon ofensivën e tij në Gazë dhe rrit zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor që janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Video captures Israeli soldiers firing towards a group of foreign diplomats on a visit to the occupied West Bank, forcing them to run to their vehicles and flee. The military claims the group deviated from an “approved route” and the shots were only a “warning.” pic.twitter.com/nclBveAbPX
— Al Jazeera English (@AJEnglish) May 21, 2025
Gjermania, një aleate prej kohësh e Izraelit, ka dënuar atë që e ka quajtur "gjuajtje të paprovokuar", ndërsa Kanadaja, Turqia dhe BE-ja kërkuan një hetim.
"Ne presim një shpjegim të menjëhershëm të asaj që ndodhi. Është krejtësisht e papranueshme”, ka thënë kryeministri kanadez Mark Carney në një konferencë për shtyp. Katër diplomatë kanadezë ishin pjesë e grupit.
Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i ka kërkuar gjithashtu Izraelit të kryente një "hetim të plotë".
“Është e qartë se diplomatët që bëjnë punën e tyre nuk duhet të qëllohen, të sulmohen në asnjë mënyrë apo formë, dhe siguria e tyre, paprekshmëria e tyre, duhet të respektohet në çdo kohë”, ka thënë Dujarric.
Egjipti ndërkaq ka thënë se incidenti "shkel të gjitha normat diplomatike".
Ministria e Jashtme palestineze ka akuzuar Izraelin se kishte “shënjestruar qëllimisht” delegacionin diplomatik me sulm të drejtpërdrejtë.
E IDF-ja ka thënë se ndjente keqardhje për "shqetësimin e shkaktuar" dhe se zyrtarët e lartë do të kontaktojnë diplomatët për t'i informuar ata për rezultatet e hetimit të saj të brendshëm për incidentin.