Në dy zona shumë të paqëndrueshme në Bregun Perëndimor, Izraeli ka vendosur armë robotike, të cilat gjuajnë, gaz lotësjellës, granata trullosëse dhe plumba gome. Ato do të përdoren ndaj protestuesve palestinez, raporton agjencia e lajmeve AP.
Armët të cilat janë vendosur në një pozicion mbi një kamp refugjatësh palestinezë, përdorin teknologjinë artificiale për të përgjuar shënjestrat. Sipas autoriteteve izraelite, kjo teknologji e ka si qëllim “shpëtimin e jetëve, si atyre izraelite, ashtu edhe palestineze”.
Kjo armë e re ka ardhur pikërisht në kohën kur janë rritur tensionet në Bregun Perëndimor dhe ku trazirat janë rritur dukshëm gjatë kësaj që po llogaritet si viti më vdekjeprurës që nga viti 2006.
Fitorja e aleancës që udhëhiqet nga Benjamin Netanyahu, e që udhëheq një linjë të ashpër, po ngreh shqetësime se mund të rrisë dhunën.
Rreth një muaj më parë, ushtria izraelite vendosi po ashtu robotët afër qytetit të Hebronit, ku shumë shpesh ushtarët izraelitë përplasen me protestuesit palestinezë që gjuajnë me gurë. Aktivisti palestinez, Issa Amro, tha se banorët e Hebronit po frikësohen nga fakti se kjo armë e re mund të keqpërdoret dhe hakohet pa dhënë llogari askush në situata vdekjeprurëse.
“Ne nuk jemi as trajnim e as simulim për kompanitë izraelite”, thotë ai.
Ushtria izraelite thotë se sistemi po testohet në këto momente dhe se përdorë vetëm armë “jovdekjeprurëse”, armë për kontrollimin e masave, siç janë plumbat e gomës dhe gazi lotësjellës.
Armët robotike me telekomandë, sikurse sistemi izraelit në Bregun Perëndimor, janë përdorur edhe nga SHBA-ja në Irak, nga Koreja Jugore përgjatë kufirit me Korenë Veriore, dhe nga grupe të ndryshme rebele në Siri.
Izraeli, i njohur për teknologjinë e avancuar ushtarake, është ndër top prodhuesit e dronëve që janë të gjendje të hedhin raketa me precizitet të lartë.
“Izraeli po e përdor teknologjinë si mjet për të kontrolluar popullsinë civile” thotë Dror Sadot, zëdhënëse e grupit për të drejtat Izraelite, B’Tselem.
Duke folur nga zyrat qendrore të kompanisë në Kibbutz Yagur në veri të Izraelit, shefja ekzekutive Michal Mor tha se arma kërkon selektim të shënjestrave dhe municioneve. Ajo thotë se sistemi minimizon dëmet duke i distancuar ushtarët nga dhuna dhe duke i limituar dëmet anësore duke i bërë gjuajtjet më të sakta.
Por, Omar Shakir, drejtori i Human Rights Watch për Izrael dhe Palestine, thotë se Izraeli është “duke rrëshqitur drejt dehumanizimit digjital të sistemit të armëve.”
Duke përdorur teknologji të tillë, Shakir thotë se Izraeli është duke krijuar “fuqi baruti për abuzim me të drejtat e njeriut.”
Në Al-Aroub, banorët thonë se makinat gjuajnë pa paralajmërim.
“Janë më të shpejta se ushtarët”, thotë Kamel Abu Hishesh, një student 19-vjeçar.
Paul Scharre, zëvendëspresident në think-tank Qendrën për New American Security dhe ish-snajperist në ushtrinë amerikane, thotë se pa emocione dhe me një qëllim të mirë, sistemet e automatizuara mund ta reduktojnë potencialisht dhunën. Por, ai thotë se mungesa e normave ndërkombëtare për “robotët vrasës” është problematike.