Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja e Izraeli godasin Iranin, shpallin vrasjen e Khameneit

Ajatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë goditur me sulme ajrore Iranin në më shumë se 20 provinca, duke vrarë të paktën 200 persona. Liderët e SHBA-së dhe Izraelit janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet deri në zhdukjen e programit bërthamor iranian, teksa zyrtarët e të dyja shteteve kanë shpallur vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin dhe bazat amerikane në rajon. Fuqitë evropiane kanë dënuar përshkallëzimin teksa kanë kërkuar zgjidhje diplomatike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë ndërmarrë sulm masiv nga ajri dhe deti në drejtim të Iranit, gjatë gjithë ditës së shtunë që nga orët e para. Shpërthime të fuqishme kanë shkundur kryeqytetin Teheran, në zonën afër rezidencës dhe zyrës së liderit suprem iranian, Ajetollahut Ali Khamenei, ndërsa sulme ka pasur edhe në qytete të tjera.

Pas nisjes së bombardimeve në mëngjes, presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur sulmin “operacion të madh ushtarak”. Ai është zotuar që, në vazhdim të tij, ta shkatërrojnë ushtrinë dhe ta zhdukë programin bërthamor të Iranit. Trumpi e ka akuzuar regjimin iranian se e ka refuzuar çdo mundësi për të hequr dorë nga ambicia bërthamore.

E popullit iranian iu drejtua me porosinë se “ora e lirisë së tyre është afër”.

“Më në fund, popullit të madh krenar të Iranit i them sonte se ora e lirisë suaj është afër. Qëndroni të strehuar. Mos dilni nga shtëpitë tuaja. Jashtë është shumë rrezik. Bombat do të bien ngado. Kur të mbarojmë, merreni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë mbase shansi juaj i vetëm ndër breza. Për shumë vjet e keni kërkuar ndihmën e Amerikës por nuk e morët kurrë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm ta bëjë atë që unë jam i gatshëm ta bëj sot”, ka deklaruar Trump.

Ndërkaq, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se qëllimi i sulmit të përbashkët me SHBA-në ka qenë eliminimi i kërcënimit ekzistencial.

“Objektivi i operacionit është që t’i jepet fund kërcënimit nga regjimi i ajetollahëve në Iran. Në këtë kohë, ushtria izraelite, së bashku me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, po sulmon objektiva të regjimit shtypës, objekte të Gardës Revolucionare, duke synuar vendet e raketave balistike që kërcënojnë si Izraelin ashtu edhe forcat amerikane. Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ka deklaruar Netanyahu.

Netanyahu në dy adresime u ka bërë thirrje iranianëve që të marrin pushtetin dhe të “shfrytëzojnë rastin që vjen njëherë në gjeneratë, për t’u çliruar nga tirania”.

Sulmet në Iran kanë lënë të vdekur më shumë se 200 persona. Siç ka bërë të ditur Kryqi i Kuq në Iran 747 të tjerë janë lënduar. Po ashtu, sipas të dhënave, nga 31 provincat e Iranit, 24 janë goditur nga sulmet ajrore.

“Khamenei është vrarë”

Dy shtetet që sulmuan Iranin kanë thënë vonë të shtunën se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, është gjetur i vdekur si pasojë e sulmeve.

Deklaratës për vrasjen e tij iu paraprinë një valë pretendimesh nga të gjitha palët.

Fillimisht në Pentagon kanë njoftuar se vala e parë e sulmeve ka pasur për cak zyrtarë iranianë. E një zyrtar izraelit ka thënë se cak ishin lideri suprem i Iranit dhe presidenti, Masoud Pezeshkian.

Më pas në disa media izraelite është raportuar për vdekjen e Khameneit, por gjithçka u mohua shpejt nga ministrat iranianë. Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araqchi, ka thënë se liderët më të lartë iranianë janë gjallë dhe që pothuajse “të gjithë zyrtarët janë të sigurt dhe mirë”. Ai e ka pranuar për rrjetin televiziv amerikan NBC se mund të ketë humbje në mesin e zyrtarëve ushtarakë, duke thënë se “mund të kemi humbur një ose dy komandantë, por ai nuk është problem i madh”. “Jemi duke e menaxhuar situatën”, ka thënë ai. Kur është pyetur direkt për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin Masud Pezeshkuan, ai ka thënë: “Me aq sa di, po, ata janë gjallë”.

Por në mbrëmje vdekjen e Khameneit e sinjalizoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një video për publikun. Ai ka thënë se ka shumë shenja që “diktatori Khamenei nuk është më me ne”. Menjëherë pas kësaj, nisën raportimet në mediat izraelite se është konfirmuar vdekja e Khameneit. Ndërkaq më vonë, një zyrtar i lartë izraelit ka thënë për “Reuters” se forcat izraelite kanë gjetur trupin e liderit të Iranit, Ali Khamenei. E agjencia e lajmeve “Axios” ka raportuar se edhe ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, ka njoftuar zyrtarët amerikanë se Khamenei është vrarë në sulmet e përbashkëta në Teheran. Në kundërpërgjigje të tyre, zyra për marrëdhënie me publikun, sipas medias shtetërore të Iranit, ka mohuar gjithçka. “Armiku po përpiqet të bëjë luftë mendore, të gjithë duhet të jeni të vetëdijshëm”, u tha në deklaratë.

Vonë edhe presidenti Trump në rrjete sociale e shpalli vdekjen e Khameneit. Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, Trumpi ka thënë se kjo është “drejtësi jo vetëm për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët”.

Khamenei, 86-vjeçar, e ka udhëhequr Iranin me rreth 90 milionë banorë që nga viti 1989. Si lider suprem ai është autoriteti kryesor mbi të gjitha degët e qeverisjes, ushtrinë dhe gjyqësinë në Republikën Islamike Shiite. Për gati katër dekada, Khamenei ka krijuar një fuqi rajonale për të rivalizuar shtetet myslimane sunite përtej Gjirit Persik, duke promovuar edhe teknologjinë bërthamore që nxiti shqetësime gjithandej. Irani ka qenë armiqësor në vazhdimësi ndaj SHBA-së dhe Izraelit – teksa vazhdimisht ka mbytur edhe protestat brenda. Khamenei ishte fshehur që nga qershori i shkuar nga sulmet që vranë njerëzit më të afërt të tij dhe komandantët e Gardës Revolucionare. Sulmet e Izraelit dhe SHBA-së atë kohë shkatërruan fabrika të shumta bërthamore. Qëkur Hamasi, i mbështetur nga Teherani, e ka sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023, ndikimi i Khameneit është zbehur.

Në mbrëmje, Ushtria e Izraelit ka publikuar një listë të zyrtarëve për të cilët ka pretenduar se kanë vdekur nga sulmet. Në listë janë përfshirë ministri i Mbrojtjes, kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, komandanti i Gardës Revolucionare, një zyrtar i inteligjencës, dy zyrtarë të tjerë të lartë dhe një këshilltar i lartë i mbrojtjes.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për “ABC News” se sulmet amerikane “kanë bërë dëm të madh” dhe se “shumë” nga lidershipi iranian ka vdekur.

Hakmarrja iraniane

Pas sulmit fillestar nga SHBA-ja dhe Izraeli, regjimi iranian e ka nisur menjëherë një valë të gjerë sulmesh në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Bahrejnin, ku SHBA-ja ka baza ushtarake. Në Ministrinë e Mbrojtjes të Emirateve, kanë thënë se një person ka mbetur i vdekur.

Araqchi ka thënë se Irani nuk po synon të zgjerojë konfliktin dhe nuk synon t’i sulmojë vendet fqinje, mirëpo bazat amerikane në ato vende, si shenjë vetëmbrojtjeje.

Garda Revolucionare e Iranit ndërkaq ka njoftuar se sulme hakmarrëse u ndërmorën edhe kundër Izraelit, teksa ka paralajmëruar se cak janë të gjitha bazat dhe interesat amerikane në rajon.

Reagimet në botë

Ndërkohë, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që të kërkojë “zgjidhje të negociuar”, në përpjekje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike. Ata gjithashtu kanë sqaruar se nuk kanë marrë pjesë në sulmet e fundit.

Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer i kanë bërë thirrje shtetit iranian që t’i lejojë popullit të vet të përcaktojë të ardhmen, ndërsa kanë dënuar sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

“Franca, Gjermania dhe Britania i kanë kërkuar vazhdimisht regjimit iranian që t’i japë fund programit bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike, të përmbahet nga aktivitetet destabilizuese në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndalë dhunën dhe shtypjen e tmerrshme ndaj popullit të vet. Ne nuk kemi marrë pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon”, u tha në reagim.

Liderët janë zotuar për angazhimin e tyre për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.

“Ne i dënojmë në termat më të ashpër sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. I bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po shqyrton “rrugë diplomatike” me vendet arabe dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur civilët dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Për situatën e re është ftuar një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Diplomatë të OKB-së kanë thënë se organi me 15 anëtarë do të drejtohet nga Mbretëria e Bashkuar, e cila mban presidencën mujore të Këshillit.

Misioni i Rusisë pranë OKB-së ka njoftuar se Rusia dhe Kina kërkuan një mbledhje urgjente “në lidhje me aktin e paprovokuar të agresionit të armatosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Republikës Islamike të Iranit”.

Sipas deklaratës, mbledhja u kërkua gjithashtu nga Franca, Bahrejni dhe Kolumbia.

“Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ne do t’u kërkojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit të ndalin menjëherë veprimet e tyre të paligjshme dhe përshkallëzuese dhe të nisin rrugën drejt një zgjidhjeje politike dhe diplomatike”, thuhet në deklaratën ruse.

Një diplomat i OKB-së ka thënë se sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, planifikon të flasë në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Më herët gjatë së shtunës, Guterres ka lëshuar një deklaratë ku ka dënuar përshkallëzimin ushtarak në Lindjen e Mesme, duke thënë se “përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit, si dhe kundërpërgjigjja e mëvonshme e Iranit në të gjithë rajonin, minojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Mbyllja e hapësirave ajrore

Si pasojë e sulmeve të përbashkëta amerikane e izraelite, në gjithë Lindjen e Mesme janë ndërprerë linjat e fluturimeve. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kanë selinë dy nga kompanitë më të mëdha të fluturimeve të gjata, “Emirates” dhe “Etihad Airways”, kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore të shtunën. Po ashtu, “Qatar Airways Group” ka njoftuar se ka anuluar përkohësisht fluturimet drejt dhe nga Doha, pasi edhe hapësira ajrore e Katarit është mbyllur. Avionët që ishin nisur drejt Izraelit u devijuan drejt aeroporteve të tjera. “Virgin Atlantic” ka anuluar fluturimin nga Londra drejt Dubait dhe ka njoftuar se do të shmangë fluturimet mbi Irakun. Si pasojë, fluturimet drejt dhe nga India, Maldive, Dubai dhe Riadi mund të zgjasin pak më shumë. Kompania ka bërë të ditur se të gjitha fluturimet do të kenë karburant të mjaftueshëm në rast se do të duhet të devijohen papritur. “Turkish Airlines” ka njoftuar në platformën X se fluturimet drejt Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit dhe Jordanisë do të pezullohen deri të hënën, ndërsa fluturimet drejt Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit do të pezullohen të shtunën. Kompania ajrore holandeze KLM kishte njoftuar më herët se do të pezullonte fluturimet drejt Tel Avivit duke filluar nga e diela.

Kosova qëndron krah SHBA-së në sulmin ndaj Iranit

7 muaj më parë / 28 shk 2026 12:43
Glauk Konjufca

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme

Photo: Driton Paçarada

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka shprehur mbështetjen për sulmin ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Në një deklaratë në Facebook të shtunën, MPJD-ja thekson se SHBA-ja ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, të cilin e cilëson si regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, thuhet në deklaratë.

Tutje, Ministria vlerëson se regjimet që shtypin qytetarët e tyre, mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.

Sipas MPJD-së, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.

“Në këtë frymë, qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, përfundon reagimi i Ministrisë.

Shkon në 57 numri i të vdekurve nga sulmi amerikano-izraelit në një shkollë në Iran

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:50
th

Teheran

Photo: Associated Press

Numri i të vdekurve në një sulm izraelito-amerikan ndaj një shkolle vajzash në Iranin jugor është rritur në të paktën 57 persona të vrarë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Të paktën 45 të tjerë u plagosën në sulmin në Minab në provincën Hormozgan të Iranit.

Pesë nxënëse u vranë nga sulmet SHBA-Izrael në Iran

Irani ka njoftuar të shtunën se sulmet ajrore SHBA-Izrael në Iranin jugor kanë vrarë pesë nxënëse në një shkollë vajzash, viktimat e para të konfirmuara në operacionin luftarak.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se sulmi ndodhi në Minab në provincën Hormozgan.

Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit ka një bazë në qytet.

As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk kanë ofruar asnjë detaj mbi fushatën deri më tani.

Ushtria e Iranit: Do t’u japim një mësim historik Izraelit dhe SHBA-së

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:46
Iran

Ushtria e Iranit ka thënë se do t'u japë një "mësim historik" Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara pas sulmeve ndaj qyteteve iraniane të shtunën. 

"Siç e kemi deklaruar tashmë, çdo bazë kudo në rajon që ndihmon Izraelin do të jetë një objektiv i Republikës së shenjtë Islamike dhe forcave tona të armatosura, dhe ne nuk do të tregojmë asnjë hezitim", ka thënë zëdhënësi i Lartë i Forcave të Armatosura, gjenerali i Brigadës Abolfazl Shekarchi. 

Dy burime izraelite i thanë CNN-it se sulmet e së shtunës patën cak liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, shefin e Shtabit të forcave të armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe presidentin Masoud Pezeshkian. 

Po ashtu, figura të tjera të rëndësishme shtetërore sipas burimeve ishin cak i sulmeve. 

Qysh prej fillimit në mëngjesin e 28 shkurtit u raportua se sulmi i parë u krye diku afër rezidencës së liderit suprem iranian. 
 

Medvedev ironizon sulmet e SHBA-së ndaj Iranit: Ja ku është sërish paqebërësi

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:27
Dmitry Medvedev

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit, duke i quajtur me ironi amerikanët “paqebërës”.

Në një koment të publikuar në rrjetin social X, Medvedevi ka thënë se bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë.

“Ja ku është sërish paqebërësi. Bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë. Të gjithë e dinin këtë. Tani, kush ka më shumë durim për të pritur fundin e trishtueshëm të armikut? SHBA-ja është vetëm 249 vjeç. Perandoria Perse u themelua më shumë se 2.500 vjet më parë. Le të shohim çfarë do të ndodhë pas rreth njëqind vjetësh…”, ka shkruar ai.

Reagimi i tij vjen pas sulmeve izraelito-amerikane mbi Teheran dhe qytete të tjera iraniane. Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj territorit të Izraelit, por edhe ndaj bazave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme.

Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha, ndërsa të dyja palët kanë paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Anulohen fluturimet pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:21
Aeroplani

Ilustirm

Photo: Associated Press

Linjat ajrore globale anuluan fluturimet në të gjithë Lindjen e Mesme të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, duke e zhytur rajonin në një konflikt të ri.

Hapësira ajrore mbi Iranin dhe Irakun ishte bosh të shtunën në mëngjes, treguan hartat nga shërbimi i ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, shkruan Reuters.

Air France, anuloi fluturimet për dhe nga Tel Avivi në Izrael dhe Bejrut në Liban për të shtunën. Dega holandeze e Air France-KLM e shtyu shërbimin e saj Amsterdam-Tel Aviv, duke anuluar fluturimin e planifikuar për të shtunën. 

Vetëm një fluturim për në Tel Aviv ishte planifikuar për të shtunën.

Linja ajrore INDIGO tha se po monitoronte përditësimet rajonale.

Japan Airlines ka anuluar një fluturim të shtunën nga Tokio Haneda për në Doha, si dhe një fluturim kthimi më 1 mars.

Linja ajrore gjermane LUFTHANSA pezulloi fluturimet për në dhe nga Tel Avivi në Izrael, Bejrut në Liban dhe Oman deri më 7 mars dhe fluturimet për në dhe nga Dubai të shtunën dhe të dielën.

Ata thanë gjithashtu se nuk do të hapin hapësirën ajrore izraelite, libaneze, jordaneze, irakiane dhe iraniane deri më 7 mars.

Virgin Atlantic tha se do të shmangë përkohësisht hapësirën ajrore irakiane, duke rezultuar në disa ridrejtime të paracaktuara të fluturimeve të saj dhe anuloi shërbimin e saj nga Heathrow në Dubai të shtunën.

Linja ajrore WIZZ AIR ndaloi fluturimet për dhe nga Izraeli, Dubai, Abu Dhabi dhe Ammani me efekt të menjëhershëm deri më 7 mars.

Ajo shtoi se vendimet operative do të vazhdojnë të rishikohen dhe orari i fluturimeve mund të përshtatet ndërsa situata evoluon.
 

PAMJE: SHBA-ja bombardon Iranin me një nga armët më të fuqishme

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:20
iran sulm

Forcat amerikane kanë lëshuar raketa Tomahawk nga anijet luftarake të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt Iranit.

Dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se operacioni ushtarak është ndërmarrë si nga ajri ashtu edhe nga deti, shkruan NBC News.

Sulmi i koordinuar nga Izraeli dhe SHBA-ja të shtunën në mëngjes erdhi pas negociatave të pasuksesshme në Gjenevë për programin bërthamor iranian. Se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përdorte forcë ishte paralajmëruar prej disa javësh.

Pas sulmeve nga forcat izraelite dhe amerikane, mediat iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të vendit, përfshirë Gjirin Persik, ku po sulmohen bazat amerikane.

Përveç Teheranit, shpërthime janë dëgjuar edhe në Tabriz, Isfahan, Qom dhe Kermanshah. Sipas burimeve iraniane, të cituara nga Reuters, Izraeli ka shënjestruar disa ndërtesa ministrish në Teheran.

Burime amerikane dhe izraelite thanë se objektivat kanë qenë struktura të regjimit dhe instalime ushtarake, përfshirë baza të raketave balistike. Sipas deklaratave të tyre, në operacion po marrin pjesë një numër i madh aeroplanësh luftarakë dhe raketa “Tomahawk”, të njohura si raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi.

Në rrjetet sociale, si X, përdoruesit po publikojnë pamje të pretenduara të sulmeve me raketa “Tomahawk”.

VIDEO:

Një nga postimet tregon një shofer në një autostradë diku në Iran duke filmuar fluturimin e një rakete amerikane dhe momentin e goditjes. Postimi, së bashku me pamjet, pretendon se raketat janë amerikane dhe se po shënjestrojnë depo raketash iraniane, karburant dhe objekte të tjera operative.

Izraeli thotë se sulmet në Iran ishin koordinuar me SHBA-në muaj më herët

7 muaj më parë / 28 shk 2026 11:11
Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Izraeli ka thënë se sulmi kundër Iranit të shtunën ka qenë “operacion i gjerë, i koordinuar dhe i përbashkët kundër regjimit” që ishte planifikuar prej muajsh mes ushtrisë izraelite dhe amerikane. 

Sulmet e SHBA-së u kryen nga qielli dhe deti, sipas një zyrtari amerikan.  

Ndërkohë, nga qeveria gjermane kanë konfirmuar se kanë qenë të informuar paraprakisht për sulmet e Izraelit në Iran, raportoi AP. 
 

Shpërthime në shtetet arabe të Gjirit Persik ku gjenden baza amerikane

7 muaj më parë / 28 shk 2026 10:17
iran

Pamje nga Teherani

Photo: Associated Press

Është raportuar për shpërthime të shumta në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar, të cilat të gjitha kanë baza amerikane. Po ashtu edhe në Dubai. 

Sirena dhe shpërthime u dëgjuan edhe në Kuvajt të shtunën, ku ndodhet Qendra Qendrore e Ushtrisë Amerikane.

Katër baza amerikane në Lindjen e Mesme u shënjestruan si përgjigje ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite në qytetet iraniane, raportuan mediat shtetërore të Iranit, duke cituar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.

Baza Ajrore Al Udeid në Katar, Baza Ajrore Al Salem në Kuvajt, Baza Ajrore Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe baza e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein u shënjestruan nga sulmet me raketa iraniane, tha agjencia e lajmeve Fars, duke cituar IRGC-në.

Një zyrtar i Katarit ka thënë se Katari ka ndaluar dy raketa iraniane mbi vend. Ky zhvillim nënkupton se Irani mund të kërkojë të hakmerret për sulmet amerikane. 

Ministria e brendshme e Bahreinit u bëri thirrje qytetarëve të zhvendosen menjëherë në vendin më të afërt të sigurt. 

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur hapësirën ajrore.

Ndërkohë Irani po përjeton një shkëputje totale të internetit. 
 

Prania më e madhe ushtarake e SHBA-së në Lindjen e Mesme në dekada

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:56
aeroplanmbajtese

ilustrim

Para sulmeve të së shtunës në Iran, presidenti amerikan Donald Trump rriti praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme në nivelin më të lartë të dekadave të fundit.

Mbërritja e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe tre shkatërruesve me raketa në fund të janarit shtoi numrin e anijeve luftarake në rajon.

Më vonë, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, së bashku me katër shkatërrues, u nis nga Deti i Karaibeve drejt Lindjes së Mesme dhe aktualisht ndodhet në Detin Mesdhe.

Aeroplanmbajtëset dhe anijet e tjera kanë shtuar më shumë se 10,000 trupa shtesë amerikane në rajon. Ushtria amerikane ka gjithashtu trupa të tjera të shumta në zonë, veçanërisht në Bazën Ajrore Al Udeid në Katar, e cila strehon mijëra ushtarakë.

Qindra avionë luftarakë dhe mjete të tjera ajrore mbështetëse, të nevojshme për ndërmarrjen e një sulmi të madh ndaj Iranit, janë dërguar gjithashtu në rajon.

 

Trumpi ripërsërit pretendimet për kërcënimin iranian, që inteligjenca amerikane nuk i mbështet

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:50 Nga: CNN
Donald Trump

Photo: Associated Press

Duke përshkruar vendimin për të nisur një operacion ushtarak “të madh” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, presidenti Donald Trump tha në një video të postuar në rrjetet sociale se Irani po zhvillonte “raketa me rreze të gjatë veprimi që tani mund të kërcënojnë miqtë dhe aleatët tanë të mirë në Evropë, trupat tona të stacionuara jashtë vendit dhe së shpejti mund të arrijnë në tokën amerikane”.

“Ata hodhën poshtë çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tyre bërthamore dhe ne nuk mund ta durojmë më”, theksoi ai.

Trumpi ka bërë pretendimin se Irani po punonte për raketa që mund të arrinin SHBA-në disa herë në ditët e fundit, megjithëse burimet i thanë CNN-it se pohimi nuk mbështetet nga inteligjenca amerikane. Nuk ka informacion nga inteligjenca, thanë burimet, se Irani së shpejti do të ketë një raketë të aftë për të goditur SHBA-në. Megjithatë, Irani ka raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi që mund të kërcënojnë trupat dhe bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, pohuan burimet.

Në fjalimin e tij të shtunën, Trumpi gjithashtu renditi një sërë ankesash kundër Iranit, duke përfshirë mbështetjen e tij për grupet militante në rajon që kanë kërcënuar trupat dhe anijet tregtare amerikane, dhe mbështetjen e tij për Hamasin. 
 

Netanyahu i bën thirrje popullit iranian për ndërrim regjimi

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:43
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri thirrje për ndryshim regjimi në Teheran të shtunën në mëngjes në deklarimin e tij të parë në lidhje me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të mposhtin “tiraninë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor". 

"Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta”.

Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, Netanyahu i kishte bërë thirrje gjithashtu popullit iranian të ngrihej kundër regjimit.

Netanyahu e filloi deklaratën e tij duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump "për udhëheqjen e tij historike".

"Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do ta lejonin atë të kërcënonte të gjithë njerëzimin", theksoi Netanyahu. 
 

Njoftim i rëndësishëm i Ambasadës së Kosovës për shqiptarët në Izrael

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:36
amb

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka apeluar qytetarët e Kosovës që jetojnë në Izrael të jenë të kujdesshëm, pas sulmeve të SHBA-së e Izraelit kundër Iranit të shtunën.

Ajo ka udhëzuar qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase. Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin: +972 586 340450”, thuhet në apelin e saj. 

Irani kundërpërgjigjet me raketa

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:29
Izraeli

Foto nga arkivi

Photo: Associated Press

Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit ka deklaruar se ka nisur "valën e parë" të dronëve dhe raketave me cak Izraelin, duke sugjeruar se ka planifikuar sulme të mëtejshme.

Forcat izraelitë të Mbrojtjes (IDF) njoftuar paraprakisht se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit, pas sulmeve të koordinuara SHBA-Izrael kundër Iranit këtë mëngjes. 

Derisa mediat iraniane raportuar se “dhjetëra” raketa balistike janë lëshuar drejt Izraelit.

IDF-ja ka deklaruar se sistemet mbrojtëse po operojnë për të ndaluar kërcënimet nga ajri të Iranit. 

“Sirenat janë dëgjuar në disa zona në vend pas identifikimit se u lëshuan raketa nga Irani drejt Izraelit. Në këtë kohë Forca Ajrore e Izraelit po operon që të ndalojë sulmet”, thuhet në deklaratën e IDF-së. 

Izraeli dhe Irani kanë mbyllur hapësirat ajrore, derisa Izraeli ka futur në fuqi masa kufizuese për qytetarët e tij, përfshirë tubimet ose aktivitetet jashtë.

 

Koha e sulmit SHBA-Izrael kundër Iranit ka kuptim simbolik në judaizëm

7 muaj më parë / 28 shk 2026 09:19
judaizmi

Koha e sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën mbart një domethënie simbolike në traditën hebraike. Në prag të festës hebraike të Purimit, besimtarët lexojnë një pjesë të veçantë nga Dhiata e Vjetër, e njohur si “Zachor”.

Ky fragment, nga libri i Ligjit të Përtërirë (Deuteronomi), urdhëron izraelitët e lashtë të kujtojnë një sulm të paprovokuar nga populli i Amalekut dhe, pasi të vendosen në tokën e tyre, të zhdukin kujtimin e Amalekut.

Kjo pjesë lexohet publikisht para Purimit për të përmbushur urdhrin fetar për të kujtuar Amalekun si armikun e Izraelit.

 

Trump: Ushtria amerikane ka nisur operacione të mëdha luftarake në Iran

7 muaj më parë / 28 shk 2026 08:05
iran

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ishte e përfshirë në sulmin ndaj Iranit.

Trump ka thënë se SHBA-ja kanë nisur "operacione të mëdha luftarake" në Iran në një video të postuar në Truth Social.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë shumë e ligë dhe radikale të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar ai. 

“Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave”.

Trumpi ka pretenduar se Irani ka vazhduar të zhvillojë programin e tij bërthamor dhe planifikon të zhvillojë raketa për të arritur SHBA-në. 

Ai i inkurajoi iranianët të marrin kontrollin e qeverisë së tyre kur të përfundojnë operacionet ushtarake amerikane.

“Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë ndoshta shansi juaj i vetëm për breza të tërë”, theksoi presidenti në një mesazh video.

Trumpi shtoi se SHBA-ja nuk kishte marrë një "vendim përfundimtar" nëse do ta sulmonte Iranin - por theksoi se ai "nuk ishte i kënaqur" me pozicionin e tyre negociues gjatë bisedimeve bërthamore.

Më herët dy zyrtarë amerikanë thanë për CNN-in se SHBA-ja po kryen sulme kundër Iranit. Një zyrtar tha se sulmet janë në vazhdim, duke i përshkruar ato si "një sulm jo i vogël".

Mediat e huaja paraprakisht raportuan sipas burimeve se sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.