Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja e Izraeli godasin Iranin, shpallin vrasjen e Khameneit

1 muaj më parë Kush është Ali Khamenei?
Ajatollah Ali Khamenei

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë goditur me sulme ajrore Iranin në më shumë se 20 provinca, duke vrarë të paktën 200 persona. Liderët e SHBA-së dhe Izraelit janë zotuar se do t’i vazhdojnë sulmet deri në zhdukjen e programit bërthamor iranian, teksa zyrtarët e të dyja shteteve kanë shpallur vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei. Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin dhe bazat amerikane në rajon. Fuqitë evropiane kanë dënuar përshkallëzimin teksa kanë kërkuar zgjidhje diplomatike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë ndërmarrë sulm masiv nga ajri dhe deti në drejtim të Iranit, gjatë gjithë ditës së shtunë që nga orët e para. Shpërthime të fuqishme kanë shkundur kryeqytetin Teheran, në zonën afër rezidencës dhe zyrës së liderit suprem iranian, Ajetollahut Ali Khamenei, ndërsa sulme ka pasur edhe në qytete të tjera.

Pas nisjes së bombardimeve në mëngjes, presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur sulmin “operacion të madh ushtarak”. Ai është zotuar që, në vazhdim të tij, ta shkatërrojnë ushtrinë dhe ta zhdukë programin bërthamor të Iranit. Trumpi e ka akuzuar regjimin iranian se e ka refuzuar çdo mundësi për të hequr dorë nga ambicia bërthamore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

E popullit iranian iu drejtua me porosinë se “ora e lirisë së tyre është afër”.

“Më në fund, popullit të madh krenar të Iranit i them sonte se ora e lirisë suaj është afër. Qëndroni të strehuar. Mos dilni nga shtëpitë tuaja. Jashtë është shumë rrezik. Bombat do të bien ngado. Kur të mbarojmë, merreni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë mbase shansi juaj i vetëm ndër breza. Për shumë vjet e keni kërkuar ndihmën e Amerikës por nuk e morët kurrë. Asnjë president nuk ishte i gatshëm ta bëjë atë që unë jam i gatshëm ta bëj sot”, ka deklaruar Trump.

Ndërkaq, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se qëllimi i sulmit të përbashkët me SHBA-në ka qenë eliminimi i kërcënimit ekzistencial.

“Objektivi i operacionit është që t’i jepet fund kërcënimit nga regjimi i ajetollahëve në Iran. Në këtë kohë, ushtria izraelite, së bashku me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, po sulmon objektiva të regjimit shtypës, objekte të Gardës Revolucionare, duke synuar vendet e raketave balistike që kërcënojnë si Izraelin ashtu edhe forcat amerikane. Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ka deklaruar Netanyahu.

Netanyahu në dy adresime u ka bërë thirrje iranianëve që të marrin pushtetin dhe të “shfrytëzojnë rastin që vjen njëherë në gjeneratë, për t’u çliruar nga tirania”.

Sulmet në Iran kanë lënë të vdekur më shumë se 200 persona. Siç ka bërë të ditur Kryqi i Kuq në Iran 747 të tjerë janë lënduar. Po ashtu, sipas të dhënave, nga 31 provincat e Iranit, 24 janë goditur nga sulmet ajrore.

“Khamenei është vrarë”

Dy shtetet që sulmuan Iranin kanë thënë vonë të shtunën se lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, është gjetur i vdekur si pasojë e sulmeve.

Deklaratës për vrasjen e tij iu paraprinë një valë pretendimesh nga të gjitha palët.

Fillimisht në Pentagon kanë njoftuar se vala e parë e sulmeve ka pasur për cak zyrtarë iranianë. E një zyrtar izraelit ka thënë se cak ishin lideri suprem i Iranit dhe presidenti, Masoud Pezeshkian.

Më pas në disa media izraelite është raportuar për vdekjen e Khameneit, por gjithçka u mohua shpejt nga ministrat iranianë. Ministri i Jashtëm Iranian, Abbas Araqchi, ka thënë se liderët më të lartë iranianë janë gjallë dhe që pothuajse “të gjithë zyrtarët janë të sigurt dhe mirë”. Ai e ka pranuar për rrjetin televiziv amerikan NBC se mund të ketë humbje në mesin e zyrtarëve ushtarakë, duke thënë se “mund të kemi humbur një ose dy komandantë, por ai nuk është problem i madh”. “Jemi duke e menaxhuar situatën”, ka thënë ai. Kur është pyetur direkt për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe presidentin Masud Pezeshkuan, ai ka thënë: “Me aq sa di, po, ata janë gjallë”.

Por në mbrëmje vdekjen e Khameneit e sinjalizoi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një video për publikun. Ai ka thënë se ka shumë shenja që “diktatori Khamenei nuk është më me ne”. Menjëherë pas kësaj, nisën raportimet në mediat izraelite se është konfirmuar vdekja e Khameneit. Ndërkaq më vonë, një zyrtar i lartë izraelit ka thënë për “Reuters” se forcat izraelite kanë gjetur trupin e liderit të Iranit, Ali Khamenei. E agjencia e lajmeve “Axios” ka raportuar se edhe ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, ka njoftuar zyrtarët amerikanë se Khamenei është vrarë në sulmet e përbashkëta në Teheran. Në kundërpërgjigje të tyre, zyra për marrëdhënie me publikun, sipas medias shtetërore të Iranit, ka mohuar gjithçka. “Armiku po përpiqet të bëjë luftë mendore, të gjithë duhet të jeni të vetëdijshëm”, u tha në deklaratë.

Vonë edhe presidenti Trump në rrjete sociale e shpalli vdekjen e Khameneit. Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, Trumpi ka thënë se kjo është “drejtësi jo vetëm për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët”.

Khamenei, 86-vjeçar, e ka udhëhequr Iranin me rreth 90 milionë banorë që nga viti 1989. Si lider suprem ai është autoriteti kryesor mbi të gjitha degët e qeverisjes, ushtrinë dhe gjyqësinë në Republikën Islamike Shiite. Për gati katër dekada, Khamenei ka krijuar një fuqi rajonale për të rivalizuar shtetet myslimane sunite përtej Gjirit Persik, duke promovuar edhe teknologjinë bërthamore që nxiti shqetësime gjithandej. Irani ka qenë armiqësor në vazhdimësi ndaj SHBA-së dhe Izraelit – teksa vazhdimisht ka mbytur edhe protestat brenda. Khamenei ishte fshehur që nga qershori i shkuar nga sulmet që vranë njerëzit më të afërt të tij dhe komandantët e Gardës Revolucionare. Sulmet e Izraelit dhe SHBA-së atë kohë shkatërruan fabrika të shumta bërthamore. Qëkur Hamasi, i mbështetur nga Teherani, e ka sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023, ndikimi i Khameneit është zbehur.

Në mbrëmje, Ushtria e Izraelit ka publikuar një listë të zyrtarëve për të cilët ka pretenduar se kanë vdekur nga sulmet. Në listë janë përfshirë ministri i Mbrojtjes, kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, komandanti i Gardës Revolucionare, një zyrtar i inteligjencës, dy zyrtarë të tjerë të lartë dhe një këshilltar i lartë i mbrojtjes.

Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë për “ABC News” se sulmet amerikane “kanë bërë dëm të madh” dhe se “shumë” nga lidershipi iranian ka vdekur.

Hakmarrja iraniane

Pas sulmit fillestar nga SHBA-ja dhe Izraeli, regjimi iranian e ka nisur menjëherë një valë të gjerë sulmesh në gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin dhe Bahrejnin, ku SHBA-ja ka baza ushtarake. Në Ministrinë e Mbrojtjes të Emirateve, kanë thënë se një person ka mbetur i vdekur.

Araqchi ka thënë se Irani nuk po synon të zgjerojë konfliktin dhe nuk synon t’i sulmojë vendet fqinje, mirëpo bazat amerikane në ato vende, si shenjë vetëmbrojtjeje.

Garda Revolucionare e Iranit ndërkaq ka njoftuar se sulme hakmarrëse u ndërmorën edhe kundër Izraelit, teksa ka paralajmëruar se cak janë të gjitha bazat dhe interesat amerikane në rajon.

Reagimet në botë

Ndërkohë, liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që të kërkojë “zgjidhje të negociuar”, në përpjekje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike. Ata gjithashtu kanë sqaruar se nuk kanë marrë pjesë në sulmet e fundit.

Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer i kanë bërë thirrje shtetit iranian që t’i lejojë popullit të vet të përcaktojë të ardhmen, ndërsa kanë dënuar sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

“Franca, Gjermania dhe Britania i kanë kërkuar vazhdimisht regjimit iranian që t’i japë fund programit bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike, të përmbahet nga aktivitetet destabilizuese në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndalë dhunën dhe shtypjen e tmerrshme ndaj popullit të vet. Ne nuk kemi marrë pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon”, u tha në reagim.

Liderët janë zotuar për angazhimin e tyre për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.

“Ne i dënojmë në termat më të ashpër sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. I bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po shqyrton “rrugë diplomatike” me vendet arabe dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur civilët dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Për situatën e re është ftuar një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Diplomatë të OKB-së kanë thënë se organi me 15 anëtarë do të drejtohet nga Mbretëria e Bashkuar, e cila mban presidencën mujore të Këshillit.

Misioni i Rusisë pranë OKB-së ka njoftuar se Rusia dhe Kina kërkuan një mbledhje urgjente “në lidhje me aktin e paprovokuar të agresionit të armatosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Republikës Islamike të Iranit”.

Sipas deklaratës, mbledhja u kërkua gjithashtu nga Franca, Bahrejni dhe Kolumbia.

“Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ne do t’u kërkojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit të ndalin menjëherë veprimet e tyre të paligjshme dhe përshkallëzuese dhe të nisin rrugën drejt një zgjidhjeje politike dhe diplomatike”, thuhet në deklaratën ruse.

Një diplomat i OKB-së ka thënë se sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, planifikon të flasë në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Më herët gjatë së shtunës, Guterres ka lëshuar një deklaratë ku ka dënuar përshkallëzimin ushtarak në Lindjen e Mesme, duke thënë se “përdorimi i forcës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kundër Iranit, si dhe kundërpërgjigjja e mëvonshme e Iranit në të gjithë rajonin, minojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Mbyllja e hapësirave ajrore

Si pasojë e sulmeve të përbashkëta amerikane e izraelite, në gjithë Lindjen e Mesme janë ndërprerë linjat e fluturimeve. Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kanë selinë dy nga kompanitë më të mëdha të fluturimeve të gjata, “Emirates” dhe “Etihad Airways”, kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore të shtunën. Po ashtu, “Qatar Airways Group” ka njoftuar se ka anuluar përkohësisht fluturimet drejt dhe nga Doha, pasi edhe hapësira ajrore e Katarit është mbyllur. Avionët që ishin nisur drejt Izraelit u devijuan drejt aeroporteve të tjera. “Virgin Atlantic” ka anuluar fluturimin nga Londra drejt Dubait dhe ka njoftuar se do të shmangë fluturimet mbi Irakun. Si pasojë, fluturimet drejt dhe nga India, Maldive, Dubai dhe Riadi mund të zgjasin pak më shumë. Kompania ka bërë të ditur se të gjitha fluturimet do të kenë karburant të mjaftueshëm në rast se do të duhet të devijohen papritur. “Turkish Airlines” ka njoftuar në platformën X se fluturimet drejt Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit dhe Jordanisë do të pezullohen deri të hënën, ndërsa fluturimet drejt Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit do të pezullohen të shtunën. Kompania ajrore holandeze KLM kishte njoftuar më herët se do të pezullonte fluturimet drejt Tel Avivit duke filluar nga e diela.

Iranianët nisin festën pasi Trumpi tha se Khamenei është vrarë

1 muaj më parë / 28 shk 2026 23:28
Ayatollah Ali Khamenei

Ayatollah Ali Khamenei

Photo: Associated Press

Dëshmitarët kanë thënë se iranianët në disa qytete kanë nisur festën pas lajmërimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për vdekjen e Ali Khameneit.

Agjencia prestigjioze e lajmeve “Reuters” ka thënë se nga qytetarë të shumtë është lajmëruar për ngjarjet.

Përderisa Trumpi dhe Izraeli kanë pretenduar vrasjen e Khameneit, në Iran është mohuar kjo.

Trumpi thotë se Khamenei ka vdekur

1 muaj më parë / 28 shk 2026 22:44
Trump:

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në rrjete sociale se lideri suprem i Iranit Ali Khamenei ka vdekur.

Pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, Trumpi ka thënë se kjo është “drejtësi jo vetëm për popullin e Iranit, por për të gjithë amerikanët”.

“Ky është shansi më i madh ndonjëherë për popullin e Iranit që ta kthejnë shtetin e tyre”, ka shkruar ai në rrjete sociale.

Po ashtu, ai ka thënë se ka fjalë që Garda Revolucionare, Ushtria dhe forcat tjera të sigurisë më nuk duan që të luftojnë kundër SHBA-së.

Kush është Ali Khamenei?

1 muaj më parë / 28 shk 2026 21:48
Ayatollah Ali Khamenei

Izraeli po pretendon se nga sulmet e së shtunës në Iran e ka vrarë liderin suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Megjithatë, Irani e ka mohuar pretendimin.

Por kush është Khamenei?

Khamenei 86-vjeçar e ka udhëhequr Iranin që nga viti 1989.

Si lider suprem ai është autoriteti kryesor mbi të gjitha degët e qeverisjes, ushtrinë dhe gjyqësinë në Republikën Islamike Shiite.

Për gati katër dekada, Khamenei ka krijuar një fuqi rajonale për të rivalizuar shtetet myslimane sunite përtej Gjirit Persik, duke promovuar edhe teknologjinë bërthamore që nxiti shqetësime gjithandej.

Irani ka qenë armiqësor në vazhdimësi ndaj SHBA-së dhe Izraelit – teksa vazhdimisht ka mbytur edhe protestat brenda.

Sulmet e së shtunës e gjejnë Iranin në mes të krizave.

Khamenei është fshehur që nga qershori i shkuar nga sulmet që vranë njerëzit më të afërt të tij dhe komandantët e Gardës Revolucionare. Sulmet e Izraelit dhe SHBA-së atë kohë shkatërruan fabrika të shumta bërthamore.

Protesta të shumta shpërthyen në janar për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar shoqërinë si pasojë e sanksioneve me të cilat përballet Irani.

Qëkur Hamasi, i mbështetur nga Teherani, e ka sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023, ndikimi i Khameneit është zbehur.

Zyrtari izraelit: Kemi gjetur trupin e Khameneit

1 muaj më parë / 28 shk 2026 20:55
Ayatollah Ali Khamenei

Një zyrtar i lartë izraelit ka thënë për “Reuters” se forcat izraelite kanë gjetur trupin e liderit të Iranit, Ali Khamenei.

Agjencia e lajmeve Axios ka raportuar se edhe ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, ka njoftuar zyrtarët amerikanë se Khamenei është vrarë në sulmet e përbashkëta në Teheran.

Para pak minutash edhe mediumet më kredibile izraelite kanë cituar zyrtarë izraelitë që kanë deklaruar se Khamenei është gjetur i vdekur.

Paraprakisht edhe kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se “ka shenja të shumta se lideri suprem i Iranit nuk është më”.

Netanyahu-iranianëve: Dilni rrugëve, Khamenei s’është më me ne

1 muaj më parë / 28 shk 2026 20:08
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u ka bërë thirrje popullit iranian që të shfrytëzojnë sulmet izraelite për “t’u çliruar nga tirania”.

Ai e ka quajtur “shans që vjen njëherë në gjeneratë” sulmin izraelit.

“Dilni rrugëve dhe kryeni punën”, ka thënë ai.

Netanyahu ka thënë po ashtu se ka shenja që “diktatori Ali Khamenei nuk është më me ne”.

 

Për herën e parë, SHBA-ja i përdori disa dronë në Iran

1 muaj më parë / 28 shk 2026 20:01
iran

Photo: Associated Press

Ushtria amerikane ka përdorur drona sulmues me një kah, për herë të parë si pjesë e sulmit ndaj Iranit të shtunën.

“Orët e para të operacionit përfshinin lëshime precize nga ajri, toka e deti”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore Amerikane. “Pos tyre, u përdorën drona njëkahësh të kategorisë së lirë për herë të parë në luftime”.

Bëhet fjalë për drona sulmues që janë të tipit vetëshkatërrues, duke e goditur cakun me kokë luftarake të integruar.

Më shumë se 200 të vrarë nga sulmet në Iran

1 muaj më parë / 28 shk 2026 19:08
Iran

Foto: Ilustrim

Photo: Associated Press

Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit në Iran të shtunën.

Siç ka bërë të ditur Kryqi i Kuq në Iran 201 persona kanë vdekur, ndërsa 747 të tjerë janë lënduar.

Po ashtu, sipas të dhënave, nga 31 provincat e Iranit, 24 janë goditur nga sulmet ajrore.

Franca, Gjermania dhe Britania i bëjnë thirrje Iranit për negociata, distancohen nga sulmet

1 muaj më parë / 28 shk 2026 18:20
Franca, Gjermania dhe Britania

Liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe i kanë bërë thirrje Iranit që të kërkojë “zgjidhje të negociuar”, në përpjekje për t’i dhënë fund përshkallëzimit të luftës mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike. Ata gjithashtu kanë sqaruar se nuk kanë marrë pjesë në sulmet e fundit.

Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer i bënë thirrje shtetit iranian që t’i lejojë popullit të vet të përcaktojë të ardhmen, ndërsa dënuan sulmet hakmarrëse të Teheranit ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

“Franca, Gjermania dhe Britania i kanë kërkuar vazhdimisht regjimit iranian që t’i japë fund programit bërthamor, të kufizojë programin e raketave balistike, të përmbahet nga aktivitetet destabilizuese në rajon dhe në vendet tona, si dhe të ndalë dhunën dhe shtypjen e tmerrshme ndaj popullit të vet. Ne nuk kemi marrë pjesë në këto sulme, por jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët në rajon”, thuhet në reagim.

Liderët riafirmuan angazhimin e tyre për stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e jetës së civilëve.

“Ne i dënojmë në termat më të ashpër sulmet iraniane ndaj vendeve në rajon. Irani duhet të përmbahet nga sulmet ushtarake pa dallim. I bëjmë thirrje udhëheqjes iraniane të kërkojë një zgjidhje të negociuar. Në fund, popullit iranian duhet t’i lejohet të përcaktojë të ardhmen e tij”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po shqyrton “rrugë diplomatike” me vendet arabe dhe u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë “përmbajtje maksimale” për të mbrojtur civilët dhe për të respektuar të drejtën ndërkombëtare.

Izraeli nis sulmin e ri mbi Iranin

1 muaj më parë / 28 shk 2026 18:08
Iran

Photo: Associated Press

Ushtria e Izraelit ka njoftuar se e ka lëshuar valën e re të sulmeve ndaj lansuesve raketorë iranianë dhe të mbrojtjes ajrore në Iranin qendror.

Izraeli ka qenë duke goditur caqet iraniane gjatë gjithë ditës.

Sulmet e Izraelit po bëhen krahas atyre amerikane.

Ndërkaq, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar Izraelin edhe bazat amerikane në rajon.

Pica, ushqimi që po paralajmëron sulmet amerikane

1 muaj më parë / 28 shk 2026 17:47
Pentagoni

Pica po del sërish të jetë ushqimi i cili paralajmëron i pari për sulmet ushtarake që mund t’i kryejnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kohën e sulmeve të kryera në Iran, krahas Izraelit, përcjellësit e shitjeve treguan se rreth Pentagonit pati rritje të madhe të shitjes së picave.

Zinxhiri i “Domino’s” shënoi rritje të shitjes për 326 për qind, “Pizzato” për 208 për qind, e “Extreme Pizza” për 127 për qind, mbi nivelin normal.

Kjo ndodh kur zyrtarët ushtarakë amerikanë qëndrojnë në ambientet e Pentagonit më gjatë në përgatitje të planeve ose përcjellje të tyre.

Sinjali kishte ndodhur edhe në kohën e aktiviteteve të tjera të forcave amerikane. Ngjashëm kishte ndodhur edhe kur SHBA-ja kreu aksionin në Venezuelë për kapjen e Nicolas Maduros në janar.

Historia komplekse e marrëdhënieve SHBA-Iran ndër vite

1 muaj më parë / 28 shk 2026 17:23
Ayatollah Ruhollah Khomeini

Pamje nga rikthimi i Ruhollah Khomeneit në Teheran, 1979

Photo: Associated Press

1951

Mosmarrëveshjet filluan kur Shtetet e Bashkuara mbështetën grushtin e shtetit në vitin 1953 kundër kryeministrit iranian Mohammad Mosaddegh. Ai ishte udhëheqës nacionalist që donte që Irani të kontrollonte vetë naftën e tij. Në vitin 1951, parlamenti iranian vendosi të shtetëzonte industrinë e naftës, e cila më parë kontrollohej nga britanikët përmes kompanisë anglo-iraniane Oil Company (sot e njohur si BP).

SHBA-ja dhe Britania organizuan një operacion të fshehtë të quajtur “Ajax” për ta rrëzuar Mosaddeghun. Në pushtet u rikthye monarku Mohammad Reza Pahlavi, i cili ishte më miqësor me Perëndimin. Kjo ndërhyrje e huaj krijoi pakënaqësi të madhe ndaj SHBA-së në Iran.

1957

SHBA-ja nënshkroi një marrëveshje me Iranin për ta ndihmuar në përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Kjo ishte pjesë e programit “Atoms for Peace” të presidentit Dwight D. Eisenhower. Më vonë, SHBA-ja i dha Iranit një reaktor kërkimor bërthamor dhe uranium të pasuruar.

1968

SHBA-ja dhe Irani ishin ndër vendet e para që nënshkruan Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), i cili hyri në fuqi në vitin 1970. Qëllimi i këtij traktati ishte të ndalonte përhapjen e armëve bërthamore dhe të lejonte përdorimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore.

1972

Presidenti Richard Nixon e vizitoi Teheranin dhe premtoi se do t’i shiste Iranit armë amerikane, përveç armëve bërthamore. Në vitet e fundit të viteve 1970, shahu bleu mbi 16 miliardë dollarë armë nga SHBA-ja, përfshirë avionë luftarakë F-14.

1979

Gjatë sundimit të shahut, marrëdhëniet me SHBA-në ishin të qëndrueshme. Por sundimi i tij ishte autoritar dhe i padrejtë. Kishte korrupsion, shpenzime të mëdha dhe pabarazi sociale. Kjo solli protesta të mëdha.

Në vitin 1979 ndodhi Revolucioni Islamik. Shahu u largua nga vendi në janar. Udhëheqësi fetar Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe mori pushtetin. Irani u shpall Republikë Islamike dhe u largua nga orientimi pro-perëndimor. Kushtetuta e re u miratua dhe e shpalli Khomenein lider suprem.

SHBA-ja e lejoi shahun të hynte në Amerikë për trajtim mjekësor. Kjo zemëroi shumë iranianë. Në nëntor, studentë iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën 52 amerikanë peng.

1980

SHBA-ja tentoi t’i shpëtonte pengjet me një operacion të quajtur “Kthetra e shqiponjës”. Operacioni dështoi dhe tetë ushtarë amerikanë humbën jetën.

Presidenti Jimmy Carter ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe ndaloi importin e naftës nga ky vend.

Po atë vit, Irani u sulmua nga Iraku, i udhëhequr nga Saddam Hussein. Lufta zgjati tetë vjet dhe shkaktoi qindra mijëra viktima. SHBA-ja e mbështeti Irakun me para dhe ndihmë ushtarake, edhe pse ishte në dijeni të përdorimit të armëve kimike kundër Iranit.

1981

Pas 444 ditësh, pengjet amerikane u liruan më 19 janar 1981, menjëherë pasi Ronald Reagan mori detyrën si president. Sipas marrëveshjes së njohur si Marrëveshja e Algjerit, SHBA-ja pranoi të zhbllokonte asetet iraniane dhe të mos ndërhynte në punët e brendshme të Iranit.

1984

SHBA-ja e shpalli Iranin si shtet që mbështet terrorizmin. Kjo masë vazhdon edhe sot. U vendosën sanksione dhe ndalime për shitjen e armëve.

Kjo ndodhi pas një sulmi me bombë në vitin 1983 kundër një kazerme ushtarake në Bejrut, ku u vranë 241 ushtarë amerikanë. SHBA-ja besonte se sulmi ishte kryer nga grupe të lidhura me Iranin.

1986

Edhe pse SHBA-ja kishte vendosur embargo zyrtare për shitjen e armëve Iranit, administrata e presidentit Ronald Reagan i shiti fshehurazi armë këtij vendi për të siguruar lirimin e pengjeve amerikane në Liban. Paratë e përfituara nga këto shitje u përdorën për të financuar rebelët “Contras” në Nikaragua, pavarësisht se Kongresi amerikan e kishte ndaluar një gjë të tillë. Ky veprim u bë publik më vonë dhe u kthye në një skandal të madh politik, i njohur si afera Iran-Contra.

1988

Më 3 korrik 1988, anija luftarake amerikane USS Vincennes rrëzoi një avion civil iranian mbi Ngushticën e Hormuzit. Të 290 personat në bord humbën jetën. SHBA deklaroi se avioni ishte ngatërruar me një avion luftarak dhe e quajti ngjarjen një “gabim tragjik”.

1995–1996

Administrata e presidentit Bill Clinton vendosi sanksione më të gjera ndaj Iranit në vitin 1995. Këto përfshinin embargo ndaj naftës dhe ndalim të tregtisë dhe investimeve amerikane në Iran.

Në vitin 1996, Clinton nënshkroi ligjin për sanksione ndaj Iranit dhe Libisë. Ky ligj ndëshkonte edhe kompanitë jo-amerikane që investonin në sektorin e naftës dhe gazit në Iran.

2002

Presidenti George W. Bush e quajti Iranin pjesë të “boshtit të së keqes”, së bashku me Korenë e Veriut dhe Irakun, gjatë fjalimit të tij për Gjendjen e Kombit. Ai tha se Irani kërkonte armë të shkatërrimit në masë dhe mbështeste terrorizmin.

Këto deklarata shkaktuan zemërim në Iran. Kjo ndodhi edhe pse Irani kishte dhënë ndihmë për SHBA-në në luftën kundër talebanëve në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Në gusht 2002, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit zbuloi ekzistencën e dy objekteve bërthamore që nuk ishin deklaruar më parë: uzinën e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe reaktorin e ujit të rëndë në Arak.

2003

Irani njoftoi International Atomic Energy Agency se do ta pezullonte pasurimin e uraniumit. Ai pranoi gjithashtu kontrolle më të rrepta në objektet e tij bërthamore.

2007

Shërbimet amerikane të inteligjencës arritën në përfundimin se në vitin 2003 Irani kishte ndalur një program të fshehtë për armë bërthamore, i njohur si “Plani Amad”.

2009

Presidenti Barack Obama, së bashku me udhëheqësit e Francës dhe Britanisë, njoftoi publikisht për ekzistencën e një objekti tjetër bërthamor në Fordow. Ky objekt ishte ndërtuar thellë në një mal.

Obama tha se madhësia dhe struktura e këtij objekti nuk përputheshin me një program paqësor. Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha se objekti ishte ndërtuar në shkelje të rezolutave ndërkombëtare.

2013

Në shtator, Obama foli në telefon me presidentin iranian Hassan Rouhani. Ishte kontakti i parë i nivelit të lartë mes dy vendeve pas më shumë se 30 vjetësh.

Në nëntor, Irani, Gjermania dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina, Franca, Rusia, Britania dhe SHBA-ja, nënshkruan një marrëveshje fillestare bërthamore, të njohur si Plani i përbashkët i veprimit. Kjo hapi rrugën për një marrëveshje më të gjerë.

2015

Marrëveshja u zgjerua në Planin e përbashkët gjithëpërfshirës të veprimit (JCPOA). Sipas saj, Irani pranoi që për 15 vjet të mos pasuronte uranium mbi 3.7 për qind. Ai gjithashtu pranoi të kufizonte sasinë e uraniumit të pasuruar në 300 kilogramë.

Në këmbim, sanksionet ekonomike ndaj Iranit u lehtësuan.

2018

Kur Donald Trump mori detyrën për herë të parë, ai e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja JCPOA, duke e quajtur “marrëveshja më e keqe ndonjëherë”.

Trump rivendosi sanksionet dhe nisi fushatën e “presionit maksimal” për të ndalur eksportet e naftës së Iranit.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Irani po i respektonte kushtet e marrëveshjes deri në tërheqjen e SHBA-së. Më pas, Irani rriti nivelin e pasurimit të uraniumit deri në 60%, një nivel shumë i lartë.

2019

SHBA shpalli Gardën Revolucionare Islamike të Iranit si organizatë terroriste. Ishte hera e parë që SHBA e cilësoi si terroriste një pjesë të qeverisë së një vendi tjetër.

2020

Një sulm me dron i SHBA-së në Bagdad vrau gjeneralin iranian Qassem Soleimani, komandant i Forcës Quds. Trumpi tha se ai ishte përgjegjës për shumë vdekje.

Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa ndaj bazave ushtarake amerikane në Irak.

2021

Administrata e presidentit Joe Biden nisi bisedime indirekte me Iranin në Vjenë për të rikthyer marrëveshjen bërthamore. Por palët nuk arritën marrëveshje.

2023

Me ndërmjetësimin e Omanit dhe Katarit, SHBA-ja dhe Irani ranë dakord për shkëmbim të burgosurish. Secila palë liroi nga pesë persona.

Si pjesë e marrëveshjes, SHBA lejoi transferimin e 6 miliardë dollarëve të fondeve iraniane të ngrira nga Koreja e Jugut në Katar. SHBA-ja tha se këto para do të përdoreshin vetëm për qëllime humanitare. Republikanët e kritikuan marrëveshjen.

2025

Në shkurt, Trump, tashmë sërish president - kërkoi fillimin e një “Marrëveshjeje të Verifikuar për Paqe Bërthamore”. Në mars, ai i dërgoi letër udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, duke i dhënë dy muaj afat për një marrëveshje të re.

Në prill nisën bisedime të reja mes të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi. Një çështje kryesore ishte nëse Iranit do t’i lejohej pasurimi i uraniumit në nivele të ulëta.

Shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësuan se Irani nuk po ndërtonte aktualisht armë bërthamore, por presioni i brendshëm ishte rritur.

Në mes të qershorit, Izraeli nisi sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane. SHBA-ja iu bashkua sulmeve dhe goditi tre objekte kryesore, përfshirë Fordowin dhe Natanzin. U përdor për herë të parë në luftim një bombë e fuqishme kundër bunkerëve.

Irani u kundërpërgjigj duke sulmuar bazën ajrore Al Udeid në Katar. Katari tha se raketat u ndaluan dhe baza ishte evakuuar paraprakisht.

2026

Në fund të dhjetorit 2025, protesta kundër qeverisë shpërthyen në Teheran për shkak të krizës ekonomike dhe rënies së monedhës iraniane. Protestat u përhapën në të gjithë vendin. Disa kërkuan largimin e Khameneit.

Autoritetet reaguan me masa të ashpra. U kufizua interneti, u vendosën forca paraushtarake dhe u shpall një formë gjendjeje e jashtëzakonshme. Sipas një agjencie për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, mijëra civilë u vranë dhe dhjetëra mijëra u arrestuan.

Trumpi kërcënoi me veprime ushtarake për shkak të trajtimit të protestuesve. Në janar, ai dërgoi një flotë detare amerikane në Lindjen e Mesme, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln.

Tensionet u përshkallëzuan pasi pas tre raunde bisedimesh, pala amerikane dhe ajo iraniane nuk arritën marrëveshje.

Kjo bëri që të shtunën Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli të kryejnë sulme të përbashkëta në mbarë  Iranin, duke nxitur  gjithashtu edhe sulme hakmarrëse nga Teherani zyrtar.

Irani i gatshëm për bisedime nëse ndalen sulmet

1 muaj më parë / 28 shk 2026 16:56
Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se aktualisht “nuk ka asnjë komunikim” mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për “NBC News”, Araghchi ka thënë se, nëse amerikanët dëshirojnë bisedime, “ata e dinë se si mund të më kontaktojnë”, duke shtuar se Irani është “i gatshëm për shtensionm”, por me kusht që sulmet e SHBA-së dhe Izraelit të ndalen fillimisht.

Ai i cilësoi sulmet e fundit si “të paprovokuara” dhe “të paligjshme”, duke theksuar se Irani është në gjendje të mbrojë veten pa ndihmë nga jashtë.

Në Izrael pretendojnë për vrasjen e Khameneit, në Iran pritet fjalimi i tij

1 muaj më parë / 28 shk 2026 15:49
Ayatollah Ali Khamenei

Sipas mediave dhe autoriteteve izraelite, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “me shumë gjasa” është vrarë në sulmet amerikano-izraelite

Një zyrtar i lartë izraelit i ka thënë televizionit “Channel 12” se sipas mendimit të tyre “Ali Khamenei nuk është më në mesin tonë”.

 “Do të ishim të habitur nëse Khamenei shfaqet live (është paralajmëruar se lideri suprem do t’i drejtohet popullit pas pak). Sipas mendimit tonë, ai nuk është më mes nesh, por po presim konfirmimin zyrtar”, ka thënë ai.

Një tjetër burim ka thënë se lideri suprem i Iranit nuk u mbijetoi sulmeve.

Më herët është shfaqur një imazh satelitor (shih foto lart) ku kompleksi ku jetonte Khamenei ishte nën tym.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Aragachi, kanë thënë se deri tash sa ka informacione, Khamenei është gjallë.

E pak pas publikimit të këtyre pretendimeve, mediumi “Al-Alam” në Iran ka raportuar se Khamenei do të japë fjalim brenda pak minutash.

Vriten ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit

1 muaj më parë / 28 shk 2026 15:10
komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammed Pakpour

Komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammed Pakpour

Ministri i Mbrojtjes i Iranit, Amir Nasirzadeh, dhe komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammed Pakpour, besohet se janë vrarë në sulmet izraelite, kanë thënë tri burime për Reuters.

Në orët e para të së shtunës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë nisur sulme ndaj Iranit, pas dështimit të negociatave për armët bërthamore.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme në tërë regjionin, duke synuar bazat amerikane.

Deri tash janë konfirmuar mbi 50 të vdekur nga një sulm izraelit në një shkollë të vajzave në Iran, ndërsa një person ka mbetur i vdekur në Emiratet e Bashkuara Arabe nga sulmet iraniane.

Vuçiqi e lidh sulmin ndaj Iranit me intervenimin e NATO-s më 1999

1 muaj më parë / 28 shk 2026 14:09
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Photo: Associated Press

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar sulmin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit, ka ngritur paralele me intervenimin e NATO-s më 1999 në Serbi.

Sipas Vuçiqit, ashtu siç u gënjye asokohe për Serbinë, edhe për Iranin po synohet ndryshimi i regjimit.

“E gjithë kjo po kryhet, siç ndodhi në Serbi, ata gënjyen gjatë gjithë kohës se ishte një katastrofë humanitare, dhe thelbi ishte në dy gjëra - njëra është ndryshimi i regjimit në Beograd në vitet 1999/2000 dhe si pikë e dytë - thelbi i të gjithë veprimit të NATO-s, fitimi i pavarësisë së Kosovës, domethënë ndarja e 14 për qind të territorit të Serbisë dhe dhënia e pavarësisë atij territori. Pra, këtu po flasim për një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran, dhe ‘kthimin’ e Iranit, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore, dhe kjo ndryshon plotësisht pamjen ekonomike të botës”, ka thënë Vuçiqi gjatë një interviste telefonike për “TV Informer”.

Presidenti serb ka thënë se bota po hynë në një epokë të re, ku s’do të ketë të drejtë ndërkombëtare.

Rama mbështet SHBA-në e Izraelin: Garda Revolucionare është organizatë terroriste

1 muaj më parë / 28 shk 2026 14:07
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dhënë mbështetje SHBA-së dhe Izraelit për sulmin kundër Iranit të shtunën. 

Ai ka thënë se Shqipëria mbështet “plotësisht çdo përpjekje vendimtare për të parandaluar një herë e përgjithmonë vrasësit në Teheran nga përvetësimi i kapacitetit bërthamor ose çdo kapaciteti tjetër ushtarak për të dëmtuar Izraelin ose ndonjë komb tjetër paqedashës në Lindjen e Mesme”.

Rama ka shtuar se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike duhet të emërtohet dhe trajtohet si organizatë terroriste. 

“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike është një organizatë terroriste dhe duhet të trajtohet si e tillë. Jo vetëm përmes sanksioneve kundër Republikës Khomeiniste, por duke e quajtur zyrtarisht me emrin e saj të vërtetë dhe duke e listuar atë midis organizatave terroriste, siç kanë bërë tashmë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja”, ka shkruar ai në X.

Rama ka thënë se edhe Shqipëria do të veprojë në përputhje me rrethanat dhe do ta rendisë Gardën Revolucionare në mesin e organizatave terroriste. 

“Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore”, ka theksuar Rama.

 

Arabia “dënon dhe mallkon” sulmet e Iranit ndaj shteteve arabe

1 muaj më parë / 28 shk 2026 13:46
Shefi i diplomacisë saudite Faisal bin Farhan

Shefi i diplomacisë saudite Faisal bin Farhan

Duke komentuar përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite njoftoi se do të mbështesë të gjitha vendet arabe, të cilat janë goditur nga Irani si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelito-amerikane ndaj Teheranit dhe qyteteve të tjera iraniane.

Në një komunikatë për media, autoritetet saudite theksuan se shkelja e sovranitetit të vendeve ka pasoja të rënda dhe të mëdha.

“Mbretëria e Arabisë Saudite dënon fuqishëm dhe mallkon agresionin e dukshëm iranian dhe shkeljen flagrante të sovranitetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahrejnit, Katarit, Kuvajtit dhe Jordanisë. Mbretëria konfirmon solidaritetin e plotë dhe mbështetjen e palëkundur për vendet vëllazërore, dhe gatishmërinë për të vendosur të gjitha kapacitetet e saj në mbështetje të të gjitha masave që ato ndërmarrin. Paralajmërojmë për pasojat e rënda që rrjedhin nga shkelja e vazhdueshme e sovranitetit të shteteve dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Në Bahrejn, Irani synoi bazën Juffar, një nga bazat kryesore ushtarake amerikane për operacionet në Lindjen e Mesme, ku ndodhet Komanda Qendrore e Forcave Detare të SHBA-së (NAVCENT) dhe Flota e 5-të e SHBA-së.

Raketat u ndaluan mbi Abu Dhabin, si dhe mbi Dubai, Kuvajt dhe Katar.

Një person humbi jetën gjatë sulmit me raketa mbi Abu Dhabi.

SHBA-ja e Izraeli bombardojnë Iranin, kundërpërgjigjet Teherani

1 muaj më parë / 28 shk 2026 13:02
Iran

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përshkruar si “operacion të madh luftarak” që po vazhdon dhe u ka bërë thirrje forcave të qeverisë iraniane që të dorëzojnë armët.

Më herët, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, njoftoi se Izraeli kishte nisur “sulm parandalues” ndaj Iranit, ndërsa shpërthime janë dëgjuar në disa pjesë të vendit.

Zhvillimet vijnë pas javësh kërcënimesh dhe negociatash lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Çfarë ka ndodhur në Iran?

Pak pas orës 07:00, mediat iraniane raportuan për shpërthime në kryeqytet. Pamjet e publikuara tregojnë tym mbi sheshin Jomhouri dhe sheshin Hassan Abad në Teheran.

Shpërthime janë raportuar edhe në qytete të tjera, përfshirë Isfahanin, Qomin, Karajn dhe Kermanshahun. Deri tash të paktën 40 persona janë konfirmuar të vrarë. 

Sipas agjencisë iraniane Tasnim, hapësira ajrore e Iranit është mbyllur pas sulmeve.

Trump e ka cilësuar operacionin si “masiv dhe në vazhdim”.

Çfarë kanë thënë SHBA-ja dhe Izraeli?

Donald Trump publikoi një video në rrjetin Truth Social, ku konfirmoi përfshirjen e SHBA-së.

“Pak kohë më parë, ushtria e Shteteve të Bashkuara nisi operacione të mëdha luftarake në Iran. Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e afërta nga regjimi iranian”, deklaroi Trump, duke shtuar se synimi i Washingtonit është “të sigurohet që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve iranianë të qëndrojnë në strehimore dhe të mos dalin nga shtëpitë.

“Kur të përfundojmë, merreni ju qeverinë. Do të jetë e juaja. Kjo mund të jetë ndoshta mundësia juaj e vetme për breza të tërë”, ka thënë ai.

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bëri thirrje iranianëve “të hedhin poshtë tiraninë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor”.

Duke falënderuar Trumpin, ai theksoi se Irani “nuk duhet të pajiset me armë bërthamore që do t’i lejonin të kërcënojë mbarë njerëzimin”.

“Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli guximtar iranian të marrë fatin në duart e veta”, deklaroi Netanyahu.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes shpalli “gjendje të veçantë dhe të përhershme emergjente” në mbarë Izraelin.

Izraeli ka shënjestruar figurat e larta iraniane, përfshirë liderin suprem Ayatollah Khamenei.

Si është përgjigjur Irani?

Ushtria izraelite njoftoi se ka identifikuar raketa të lëshuara nga Irani drejt Izraelit dhe se po punon për “t’i interceptuar dhe goditur kërcënimet kur është e nevojshme”.

Shpërthime janë dëgjuar në qytetin Haifa dhe në zona të tjera të Izraelit, por nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për goditje direkte apo për interceptime në ajër.

Në rajon, Marina Amerikane, e vendosur në Bahrein, është “goditur nga një sulm me raketa”. Irani ka targetuar bazat amerikane, duke thënë se janë shënjestra legjitime.

Kjo ndodhi pasi Ministria e Brendshme e Bahreinit njoftoi për aktivizimin e sirenave emergjente dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të drejtohen në vendet më të afërta të sigurta.

Ministria e Mbrojtjes e Katarit deklaroi se ka “neutralizuar me sukses një numër sulmesh që synonin territorin e vendit”, pasi shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Doha. Katari është vendndodhja e bazës më të madhe ushtarake amerikane në rajon, Al Udeid.

Pothuajse të gjitha fluturimet në Lindjen e Mesme janë anuluar.

Mediat shtetërore në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë raportuar se një person është vrarë në Abu Dhabi.

Liderët botërorë reagojnë pas sulmit të SHBA-së e Izraelit në Iran

1 muaj më parë / 28 shk 2026 12:54
iran

Photo: Associated Press

Liderë botërorë kanë reaguar pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit të shtunën, sulme që Irani po ashtu iu kundërpërgjigj më vonë duke shënjestruar bazat amerikane në Lindjen e Mesme. 

Një prej tyre ishte ndërmjetësuesi i bisedimeve Washington-Iran, ministri Badr Albusaidi i Omanit i cili  i kërkoi SHBA-së të mos përfshihet në konfliktin rajonal.

"Jam i tronditur. Negociatat aktive dhe serioze janë dëmtuar përsëri. As interesave të Shteteve të Bashkuara dhe as kauzës së paqes globale nuk i shërben kjo. Dhe lutem për të pafajshmit që do të vuajnë. I bëj thirrje Shteteve të Bashkuara të mos përfshihen më tej. Kjo nuk është lufta juaj”, ka thënë Albusaidi. 
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ka rikujtuar se blloku evropian ka miratuar "sanksione të gjera" në përgjigje të "regjimit vrasës" të Iranit. 

"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të mbrojnë civilët dhe të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar".

Presidenti francez ka bërë thirrje që përshkallëzimi ushtarak i vazhdueshëm të "ndalohet". Emmanuel Macron theksoi se shpërthimi i luftës "bart pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".

"Regjimi iranian duhet të kuptojë se nuk ka më zgjidhje tjetër përveçse të angazhohet në negociata me mirëbesim për t'i dhënë fund programeve të tij bërthamore dhe balistike, si dhe veprimeve të tij që shkaktojnë destabilizim rajonal. Kjo është absolutisht thelbësore për sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme". 

Zyra e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur solidaritet me popullsinë civile të Iranit, duke thënë se vazhdon të kërkojë respekt për të drejtat civile dhe politike. Zyra shtoi se Meloni do të konsultohet me aleatët dhe udhëheqësit rajonalë për të mbështetur përpjekjet për të lehtësuar tensionet.

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, ka theksuar se vendi i tij "qëndron me popullin e guximshëm të Iranit në luftën e tyre kundër shtypjes" dhe se mbështet SHBA-në në përpjekjet për të parandaluar Iranin të pajiset me armë bërthamore.

Një zëdhënës i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se vendi "nuk dëshiron të shohë përshkallëzim të mëtejshëm në një konflikt më të gjerë rajonal", duke shtuar, "ne jemi të gatshëm të mbrojmë interesat tona". 

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka theksuar se Spanja nuk e pranon atë që ai e quajti veprim ushtarak të njëanshëm të kryer nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Ai shtoi se sulmi ndaj Iranit shënon një përshkallëzim të qartë që thellon paqëndrueshmërinë në rajon.

"Ne gjithashtu i hedhim poshtë veprimet e regjimit iranian dhe Gardës Revolucionare. Nuk mund të përballojmë një tjetër luftë të zgjatur dhe shkatërruese në Lindjen e Mesme", shkroi ai.

Ndërkohë, ministria e jashtme e Rusisë i ka përshkruar veprimet e SHBA-së dhe Izraelit si "të pamatura", duke thënë se ato shkelin ligjin ndërkombëtar. Rusia bëri thirrje për një kthim në zgjidhjet politike dhe diplomatike.
 

CNN: Izraeli synoi vrasjen e udhëheqësit suprem dhe presidentit të Iranit

1 muaj më parë / 28 shk 2026 12:51
Iran

Sulmet e Izraelit ndaj Iranit të shtunën në mëngjes kanë pasur në shënjestër figura të larta iraniane, përfshirë udhëheqësin suprem, Ali Khamenei, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Sayyid Abdolrahim Mousavi, si dhe presidentin iranian, Masoud Pezeshkian.

Kështu kanë bërë të ditur dy burime izraelite të njohura me operacionin për CNN.

Sipas të njëjtave burime, objektiva të tjerë kanë qenë sekretari i Këshillit të sapokrijuar të Mbrojtjes së Iranit, Ali Shamkhani, si dhe sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani.

Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse ndonjë nga figurat e larta iraniane është goditur gjatë sulmit.


Sipas imazheve satelitore, është parë duke dalë tym në kompleksin ku banon lideri suprem Ali Khamenei.

Nuk është e qartë nëse ai ishte në kompleks në momentin e sulmit.

Sipas Reutersit, Khamenei është larguar nga Teherani në një vend të sigurt.

Kosova qëndron krah SHBA-së në sulmin ndaj Iranit

1 muaj më parë / 28 shk 2026 12:43
Glauk Konjufca

Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme

Photo: Driton Paçarada

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka shprehur mbështetjen për sulmin ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Në një deklaratë në Facebook të shtunën, MPJD-ja thekson se SHBA-ja ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, të cilin e cilëson si regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, thuhet në deklaratë.

Tutje, Ministria vlerëson se regjimet që shtypin qytetarët e tyre, mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.

Sipas MPJD-së, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.

“Në këtë frymë, qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, përfundon reagimi i Ministrisë.

Shkon në 57 numri i të vdekurve nga sulmi amerikano-izraelit në një shkollë në Iran

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:50
th

Teheran

Photo: Associated Press

Numri i të vdekurve në një sulm izraelito-amerikan ndaj një shkolle vajzash në Iranin jugor është rritur në të paktën 57 persona të vrarë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Të paktën 45 të tjerë u plagosën në sulmin në Minab në provincën Hormozgan të Iranit.

Pesë nxënëse u vranë nga sulmet SHBA-Izrael në Iran

Irani ka njoftuar të shtunën se sulmet ajrore SHBA-Izrael në Iranin jugor kanë vrarë pesë nxënëse në një shkollë vajzash, viktimat e para të konfirmuara në operacionin luftarak.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi se sulmi ndodhi në Minab në provincën Hormozgan.

Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit ka një bazë në qytet.

As SHBA-ja dhe as Izraeli nuk kanë ofruar asnjë detaj mbi fushatën deri më tani.

Ushtria e Iranit: Do t’u japim një mësim historik Izraelit dhe SHBA-së

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:46
Iran

Ushtria e Iranit ka thënë se do t'u japë një "mësim historik" Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara pas sulmeve ndaj qyteteve iraniane të shtunën. 

"Siç e kemi deklaruar tashmë, çdo bazë kudo në rajon që ndihmon Izraelin do të jetë një objektiv i Republikës së shenjtë Islamike dhe forcave tona të armatosura, dhe ne nuk do të tregojmë asnjë hezitim", ka thënë zëdhënësi i Lartë i Forcave të Armatosura, gjenerali i Brigadës Abolfazl Shekarchi. 

Dy burime izraelite i thanë CNN-it se sulmet e së shtunës patën cak liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, shefin e Shtabit të forcave të armatosura Sayyid Abdolrahim Mousavi dhe presidentin Masoud Pezeshkian. 

Po ashtu, figura të tjera të rëndësishme shtetërore sipas burimeve ishin cak i sulmeve. 

Qysh prej fillimit në mëngjesin e 28 shkurtit u raportua se sulmi i parë u krye diku afër rezidencës së liderit suprem iranian. 
 

Medvedev ironizon sulmet e SHBA-së ndaj Iranit: Ja ku është sërish paqebërësi

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:27
Dmitry Medvedev

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka reaguar pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit, duke i quajtur me ironi amerikanët “paqebërës”.

Në një koment të publikuar në rrjetin social X, Medvedevi ka thënë se bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë.

“Ja ku është sërish paqebërësi. Bisedimet me Iranin ishin vetëm një mbulesë. Të gjithë e dinin këtë. Tani, kush ka më shumë durim për të pritur fundin e trishtueshëm të armikut? SHBA-ja është vetëm 249 vjeç. Perandoria Perse u themelua më shumë se 2.500 vjet më parë. Le të shohim çfarë do të ndodhë pas rreth njëqind vjetësh…”, ka shkruar ai.

Reagimi i tij vjen pas sulmeve izraelito-amerikane mbi Teheran dhe qytete të tjera iraniane. Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj territorit të Izraelit, por edhe ndaj bazave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme.

Deri më tani nuk janë raportuar dëme të mëdha, ndërsa të dyja palët kanë paralajmëruar se sulmet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Anulohen fluturimet pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:21
Aeroplani

Ilustirm

Photo: Associated Press

Linjat ajrore globale anuluan fluturimet në të gjithë Lindjen e Mesme të shtunën, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit, duke e zhytur rajonin në një konflikt të ri.

Hapësira ajrore mbi Iranin dhe Irakun ishte bosh të shtunën në mëngjes, treguan hartat nga shërbimi i ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, shkruan Reuters.

Air France, anuloi fluturimet për dhe nga Tel Avivi në Izrael dhe Bejrut në Liban për të shtunën. Dega holandeze e Air France-KLM e shtyu shërbimin e saj Amsterdam-Tel Aviv, duke anuluar fluturimin e planifikuar për të shtunën. 

Vetëm një fluturim për në Tel Aviv ishte planifikuar për të shtunën.

Linja ajrore INDIGO tha se po monitoronte përditësimet rajonale.

Japan Airlines ka anuluar një fluturim të shtunën nga Tokio Haneda për në Doha, si dhe një fluturim kthimi më 1 mars.

Linja ajrore gjermane LUFTHANSA pezulloi fluturimet për në dhe nga Tel Avivi në Izrael, Bejrut në Liban dhe Oman deri më 7 mars dhe fluturimet për në dhe nga Dubai të shtunën dhe të dielën.

Ata thanë gjithashtu se nuk do të hapin hapësirën ajrore izraelite, libaneze, jordaneze, irakiane dhe iraniane deri më 7 mars.

Virgin Atlantic tha se do të shmangë përkohësisht hapësirën ajrore irakiane, duke rezultuar në disa ridrejtime të paracaktuara të fluturimeve të saj dhe anuloi shërbimin e saj nga Heathrow në Dubai të shtunën.

Linja ajrore WIZZ AIR ndaloi fluturimet për dhe nga Izraeli, Dubai, Abu Dhabi dhe Ammani me efekt të menjëhershëm deri më 7 mars.

Ajo shtoi se vendimet operative do të vazhdojnë të rishikohen dhe orari i fluturimeve mund të përshtatet ndërsa situata evoluon.
 

PAMJE: SHBA-ja bombardon Iranin me një nga armët më të fuqishme

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:20
iran sulm

Forcat amerikane kanë lëshuar raketa Tomahawk nga anijet luftarake të Marinës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës drejt Iranit.

Dy zyrtarë amerikanë konfirmuan se operacioni ushtarak është ndërmarrë si nga ajri ashtu edhe nga deti, shkruan NBC News.

Sulmi i koordinuar nga Izraeli dhe SHBA-ja të shtunën në mëngjes erdhi pas negociatave të pasuksesshme në Gjenevë për programin bërthamor iranian. Se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të përdorte forcë ishte paralajmëruar prej disa javësh.

Pas sulmeve nga forcat izraelite dhe amerikane, mediat iraniane raportuan për shpërthime në disa zona të vendit, përfshirë Gjirin Persik, ku po sulmohen bazat amerikane.

Përveç Teheranit, shpërthime janë dëgjuar edhe në Tabriz, Isfahan, Qom dhe Kermanshah. Sipas burimeve iraniane, të cituara nga Reuters, Izraeli ka shënjestruar disa ndërtesa ministrish në Teheran.

Burime amerikane dhe izraelite thanë se objektivat kanë qenë struktura të regjimit dhe instalime ushtarake, përfshirë baza të raketave balistike. Sipas deklaratave të tyre, në operacion po marrin pjesë një numër i madh aeroplanësh luftarakë dhe raketa “Tomahawk”, të njohura si raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi.

Në rrjetet sociale, si X, përdoruesit po publikojnë pamje të pretenduara të sulmeve me raketa “Tomahawk”.

VIDEO:

Një nga postimet tregon një shofer në një autostradë diku në Iran duke filmuar fluturimin e një rakete amerikane dhe momentin e goditjes. Postimi, së bashku me pamjet, pretendon se raketat janë amerikane dhe se po shënjestrojnë depo raketash iraniane, karburant dhe objekte të tjera operative.

Izraeli thotë se sulmet në Iran ishin koordinuar me SHBA-në muaj më herët

1 muaj më parë / 28 shk 2026 11:11
Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Izraeli ka thënë se sulmi kundër Iranit të shtunën ka qenë “operacion i gjerë, i koordinuar dhe i përbashkët kundër regjimit” që ishte planifikuar prej muajsh mes ushtrisë izraelite dhe amerikane. 

Sulmet e SHBA-së u kryen nga qielli dhe deti, sipas një zyrtari amerikan.  

Ndërkohë, nga qeveria gjermane kanë konfirmuar se kanë qenë të informuar paraprakisht për sulmet e Izraelit në Iran, raportoi AP. 
 

Shpërthime në shtetet arabe të Gjirit Persik ku gjenden baza amerikane

1 muaj më parë / 28 shk 2026 10:17
iran

Pamje nga Teherani

Photo: Associated Press

Është raportuar për shpërthime të shumta në Bahrein, Abu Dhabi dhe Katar, të cilat të gjitha kanë baza amerikane. Po ashtu edhe në Dubai. 

Sirena dhe shpërthime u dëgjuan edhe në Kuvajt të shtunën, ku ndodhet Qendra Qendrore e Ushtrisë Amerikane.

Katër baza amerikane në Lindjen e Mesme u shënjestruan si përgjigje ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite në qytetet iraniane, raportuan mediat shtetërore të Iranit, duke cituar Trupat e Gardës Revolucionare Islamike.

Baza Ajrore Al Udeid në Katar, Baza Ajrore Al Salem në Kuvajt, Baza Ajrore Al Dhafra në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe baza e Flotës së Pestë të SHBA-së në Bahrein u shënjestruan nga sulmet me raketa iraniane, tha agjencia e lajmeve Fars, duke cituar IRGC-në.

Një zyrtar i Katarit ka thënë se Katari ka ndaluar dy raketa iraniane mbi vend. Ky zhvillim nënkupton se Irani mund të kërkojë të hakmerret për sulmet amerikane. 

Ministria e brendshme e Bahreinit u bëri thirrje qytetarëve të zhvendosen menjëherë në vendin më të afërt të sigurt. 

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mbyllur hapësirën ajrore.

Ndërkohë Irani po përjeton një shkëputje totale të internetit. 
 

Prania më e madhe ushtarake e SHBA-së në Lindjen e Mesme në dekada

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:56
aeroplanmbajtese

Para sulmeve të së shtunës në Iran, presidenti amerikan Donald Trump rriti praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme në nivelin më të lartë të dekadave të fundit.

Mbërritja e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe tre shkatërruesve me raketa në fund të janarit shtoi numrin e anijeve luftarake në rajon.

Më vonë, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë, USS Gerald R. Ford, së bashku me katër shkatërrues, u nis nga Deti i Karaibeve drejt Lindjes së Mesme dhe aktualisht ndodhet në Detin Mesdhe.

Aeroplanmbajtëset dhe anijet e tjera kanë shtuar më shumë se 10,000 trupa shtesë amerikane në rajon. Ushtria amerikane ka gjithashtu trupa të tjera të shumta në zonë, veçanërisht në Bazën Ajrore Al Udeid në Katar, e cila strehon mijëra ushtarakë.

Qindra avionë luftarakë dhe mjete të tjera ajrore mbështetëse, të nevojshme për ndërmarrjen e një sulmi të madh ndaj Iranit, janë dërguar gjithashtu në rajon.

 

Trumpi ripërsërit pretendimet për kërcënimin iranian, që inteligjenca amerikane nuk i mbështet

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:50 Nga: CNN
Donald Trump

Photo: Associated Press

Duke përshkruar vendimin për të nisur një operacion ushtarak “të madh” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, presidenti Donald Trump tha në një video të postuar në rrjetet sociale se Irani po zhvillonte “raketa me rreze të gjatë veprimi që tani mund të kërcënojnë miqtë dhe aleatët tanë të mirë në Evropë, trupat tona të stacionuara jashtë vendit dhe së shpejti mund të arrijnë në tokën amerikane”.

“Ata hodhën poshtë çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tyre bërthamore dhe ne nuk mund ta durojmë më”, theksoi ai.

Trumpi ka bërë pretendimin se Irani po punonte për raketa që mund të arrinin SHBA-në disa herë në ditët e fundit, megjithëse burimet i thanë CNN-it se pohimi nuk mbështetet nga inteligjenca amerikane. Nuk ka informacion nga inteligjenca, thanë burimet, se Irani së shpejti do të ketë një raketë të aftë për të goditur SHBA-në. Megjithatë, Irani ka raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi që mund të kërcënojnë trupat dhe bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, pohuan burimet.

Në fjalimin e tij të shtunën, Trumpi gjithashtu renditi një sërë ankesash kundër Iranit, duke përfshirë mbështetjen e tij për grupet militante në rajon që kanë kërcënuar trupat dhe anijet tregtare amerikane, dhe mbështetjen e tij për Hamasin. 
 

Netanyahu i bën thirrje popullit iranian për ndërrim regjimi

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:43
Benjamin Netanyahu

Photo: Associated Press

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri thirrje për ndryshim regjimi në Teheran të shtunën në mëngjes në deklarimin e tij të parë në lidhje me sulmet SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Netanyahu i bëri thirrje popullit iranian të mposhtin “tiraninë dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor". 

"Veprimi ynë i përbashkët do të krijojë kushtet që populli i guximshëm iranian të marrë fatin e tij në duart e veta”.

Gjatë luftës 12-ditore me Iranin në qershor, Netanyahu i kishte bërë thirrje gjithashtu popullit iranian të ngrihej kundër regjimit.

Netanyahu e filloi deklaratën e tij duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump "për udhëheqjen e tij historike".

"Ky regjim terrorist vrasës nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore që do ta lejonin atë të kërcënonte të gjithë njerëzimin", theksoi Netanyahu. 
 

Njoftim i rëndësishëm i Ambasadës së Kosovës për shqiptarët në Izrael

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:36
amb

Ambasadorja e Kosovës në Izrael, Ines Demiri, ka apeluar qytetarët e Kosovës që jetojnë në Izrael të jenë të kujdesshëm, pas sulmeve të SHBA-së e Izraelit kundër Iranit të shtunën.

Ajo ka udhëzuar qytetarët që të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e sigurisë të autoriteteve vendore.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Ambasadën e Kosovës në Izrael, po monitorojnë nga afër zhvillimet aktuale. Ju informojmë se Ambasada e Kosovës në Izrael është plotësisht në dispozicion të qytetarëve tanë dhe mbetet në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse vendase. Për çdo rast urgjent, qytetarët e Republikës së Kosovës që ndodhen në Izrael mund të kontaktojnë në numrin: +972 586 340450”, thuhet në apelin e saj. 

Irani kundërpërgjigjet me raketa

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:29
Izraeli

Foto nga arkivi

Photo: Associated Press

Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit ka deklaruar se ka nisur "valën e parë" të dronëve dhe raketave me cak Izraelin, duke sugjeruar se ka planifikuar sulme të mëtejshme.

Forcat izraelitë të Mbrojtjes (IDF) njoftuar paraprakisht se Irani ka lëshuar raketa drejt Izraelit, pas sulmeve të koordinuara SHBA-Izrael kundër Iranit këtë mëngjes. 

Derisa mediat iraniane raportuar se “dhjetëra” raketa balistike janë lëshuar drejt Izraelit.

IDF-ja ka deklaruar se sistemet mbrojtëse po operojnë për të ndaluar kërcënimet nga ajri të Iranit. 

“Sirenat janë dëgjuar në disa zona në vend pas identifikimit se u lëshuan raketa nga Irani drejt Izraelit. Në këtë kohë Forca Ajrore e Izraelit po operon që të ndalojë sulmet”, thuhet në deklaratën e IDF-së. 

Izraeli dhe Irani kanë mbyllur hapësirat ajrore, derisa Izraeli ka futur në fuqi masa kufizuese për qytetarët e tij, përfshirë tubimet ose aktivitetet jashtë.

 

Koha e sulmit SHBA-Izrael kundër Iranit ka kuptim simbolik në judaizëm

1 muaj më parë / 28 shk 2026 09:19
judaizmi

Koha e sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit të shtunën mbart një domethënie simbolike në traditën hebraike. Në prag të festës hebraike të Purimit, besimtarët lexojnë një pjesë të veçantë nga Dhiata e Vjetër, e njohur si “Zachor”.

Ky fragment, nga libri i Ligjit të Përtërirë (Deuteronomi), urdhëron izraelitët e lashtë të kujtojnë një sulm të paprovokuar nga populli i Amalekut dhe, pasi të vendosen në tokën e tyre, të zhdukin kujtimin e Amalekut.

Kjo pjesë lexohet publikisht para Purimit për të përmbushur urdhrin fetar për të kujtuar Amalekun si armikun e Izraelit.

 

Trump: Ushtria amerikane ka nisur operacione të mëdha luftarake në Iran

1 muaj më parë / 28 shk 2026 08:05
iran

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ishte e përfshirë në sulmin ndaj Iranit.

Trump ka thënë se SHBA-ja kanë nisur "operacione të mëdha luftarake" në Iran në një video të postuar në Truth Social.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë shumë e ligë dhe radikale të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, ka deklaruar ai. 

“Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave”.

Trumpi ka pretenduar se Irani ka vazhduar të zhvillojë programin e tij bërthamor dhe planifikon të zhvillojë raketa për të arritur SHBA-në. 

Ai i inkurajoi iranianët të marrin kontrollin e qeverisë së tyre kur të përfundojnë operacionet ushtarake amerikane.

“Kur të mbarojmë, merrni qeverinë tuaj. Do të jetë e juaja për ta marrë. Ky do të jetë ndoshta shansi juaj i vetëm për breza të tërë”, theksoi presidenti në një mesazh video.

Trumpi shtoi se SHBA-ja nuk kishte marrë një "vendim përfundimtar" nëse do ta sulmonte Iranin - por theksoi se ai "nuk ishte i kënaqur" me pozicionin e tyre negociues gjatë bisedimeve bërthamore.

Më herët dy zyrtarë amerikanë thanë për CNN-in se SHBA-ja po kryen sulme kundër Iranit. Një zyrtar tha se sulmet janë në vazhdim, duke i përshkruar ato si "një sulm jo i vogël".

Mediat e huaja paraprakisht raportuan sipas burimeve se sulmi i Izraelit ndaj Iranit të shtunën ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.

Izraeli nisi atë që e ka quajtur “sulm parandalues” kundër Iranit mëngjesin e së shtunës. Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka shpallur një “gjendje të jashtëzakonshme të veçantë” në të gjithë Izraelin.