Ushtria izraelite ka vrarë tri pengje izraelite që kishin arritur të iknin nga militantët e Hamasit. Ushtria izraelite ka thënë se i vrau gabimisht, teksa vrasja e tyre ka nxitur reagimin e familjarëve të pengjeve të tjera që po mbahen në Gaza
Familjet e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës të shtunën janë mbledhur në “Sheshin e Pengjeve” në Tel-Aviv, pasi ushtria izraelite pranoi se gabimisht ka vrarë tri pengje izraelite. Vrasja e tyre do të shtojë presionin ndaj autoriteteve izraelite për të arritur marrëveshje për lirimin e pengjeve nga Hamasi. Më shumë se 120 persona po mbahen peng në Gazë, pasi janë marrë nga militantët e Hamasit gjatë sulmit kundër Izraelit më 7 tetor.
Hadas Kalderon, nëna e dy fëmijëve të liruar nga Hamasi dhe burri i së cilës ende po mbahet peng, i ka bërë thirrje Qeverisë së prirë nga Benjamin Netanyahu, që të arrijë marrëveshje të menjëhershme për lirimin e pengjeve.
“Nuk ka çmim për pengjet. Qeveria duhet të jetë gati që të paguajë çfarëdo çmimi për lirimin e tyre. Bëjeni marrëveshjen tani, këtë po them”, ka thënë Kalderon.
Ruby Chen, babai i pengut Itay Chen, thotë se familjet po jetojnë si me ruletin rus në kokë.
“Duhet të nisim bisedimet për lirimin e pengjeve, tani. Ne e kemi njëfarë ruleti rus. Çdo ditë, nuk e dimë se cila familje do të marrë lajmin e rëndë për pengjet”, ka thënë Chen.
Ushtria izraelite ka konfirmuar se gabimisht ka vrarë tri pengje të premten në një lagje të Gazës. Tri pengjet izraelite të vrara nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit në Gaza ishin të zhveshur në pjesën e gjoksit dhe po bartnin një flamur të bardhë kur ishin qëlluar, sipas një hetimi preliminar.
Vrasja e tre burrave – që ishin kidnapuar nga Hamasi më 7 tetor në Izraelin jugor – ka nxitur reagime të ashpra e protesta në Izrael, pasi ka rritur shqetësimet për pengjet e mbetura në Gaza.
Sipas raportimeve në hetimin e IDF-së në mediat izraelite, tre burrat Yotam Haim, Samer El-Talalka dhe Alon Shamriz (të gjithë në të 20-at) - kanë arritur të iknin nga Hamasi dhe po i afroheshin pozicionit të ushtrisë në Shejaya në zonën e Gazës, ku ka pasur luftime.
Njëri prej tyre po mbante një shkop me rrobë të bardhë të lidhur në të dhe të tre kishin hequr bluzat që kishin. Pasi i kishte parë, një ushtar izraelit nga një pozicion i lartë, shtiu mbi të tre, duke bërtitur “terroristë”.
Teksa dy nga pengjet ranë përtokë menjëherë, i treti arriti të ikte në një banesë. Kur ushtarët arritën në vendngjarje ishin të urdhëruar të hynin në ndërtesë dhe vranë personin e tretë, pavarësisht lutjeve të tij në hebraishte.
Që prej fundit të armëpushimit të përkohshëm mes Izraelit dhe Hamasit në fillim të muajit dhjetor, familjet e pengjeve i kanë bërë thirrje qeverisë që të arrijë armëpushimin që do të zgjasë më shumë dhe me qëllim që të lirohen të gjithë pengjet. Me marrëveshjen e parë u liruan më shumë se 100 pengje në shkëmbim me palestinezët që po mbaheshin nëpër burgjet izraelite.
“Qeveria e Izraelit duhet t’ia bëjë Hamasit një ofertë që nuk mund të refuzohet. Një armëpushim në shkëmbim për çfarëdo që dëshirojnë. Qeveria nuk ka bërë asgjë”, ka thënë Lior Peri, familjari i një pengu që po mbahet nga Hamasi.
“Kemi përzierje emocionesh. Sa herë që mendojmë për pengjet, pikëllohemi, por vetëm mund të mendojmë se çfarë po ndodhë me pengjet”, ka shtuar ai.
Lufta në Gazë, e cila ka nisur si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Hamasit në të cilat mbetën të vrarë 1 mijë e 200 persona në Izrael, janë vrarë më shumë se 18 mijë të tjerë në Gazë. Mijëra të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre nga bombardimet e përditshme izraelite.
Gaza “ferr” për fëmijët
Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, ka deklaruar se fëmijët në Gaza janë duke kaluar kushte ferri, duke paralajmëruar se situata mund të përkeqësohet.
“Në fillimin e kësaj lufte, UNICEF tha se Gaza ishte një varrezë për fëmijët dhe një ferr i gjallë për të gjithë të tjerët. Ajo vetëm sa është përkeqësuar pasi bombardimet dhe luftimet kanë vazhduar”, ka thënë Elder.
Elder këto deklarime i bëri pasi qëndroi një javë Gaza teksa paralajmëroi edhe pasoja të rënda të mungesës së ushqimit, ujit dhe ilaçeve të fëmijëve.
“Fëmijët në Gaza tani janë në rrezik nga qielli, sëmundje në tokë dhe vdekje nga uria dhe etja”, ka thënë Elder, duke shtuar se kurrë nuk e kishte parë atë nivel shkatërrimi dhe dëshpërimi askund tjetër.
“Shumica e krizave prekin fëmijët tmerrësisht sepse fëmijët janë më të cenuarit, por shumica kanë rreth 20% të viktimave të fëmijëve, ky [konflikti i Gazës] është dy herë më vdekjeprurëse për fëmijët sesa shumë konflikte që kemi parë në 15 ose 20 vitet e fundit”, ka thënë ai.
Vrasja e gazetarëve
Gazetari Samer Abu Daqqa i rrjetit televiziv të Al Jazeeras është vrarë gjatë raportimit në jug të Rripit të Gazës. Gjatë sulmit ajror të forcave izraelite ka mbetur i plagosur rëndë kolegu i tij. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve ka njoftuar se Daqqa ishte gazetari i 64-të që është vrarë gjatë raportimit në luftën që po zhvillohet mes Izraelit dhe grupit militant të Hamasit. Në mesin e gazetarëve të vrarë janë 57 palestinezë, katër izraelit dhe tre libanezë. Qyteti Khan Younis është caku kryesor i ofensivës tokësore të Izraelit në jug të Gazës. SHBA-ja, aleatja më e madhe e Izraelit, ka shprehur pakënaqësinë ndaj dështimit të Izraelit për të shmangur vrasjen e civilëve dhe për planet e shtetit izraelit për të ardhmen e Gazës. Mirëpo, Shtëpia e Bardhë ka vazhduar ta furnizojë Izraelin me armatim dhe t’i ofrojë përkrahje diplomatike. Në një takim me liderët izraelitë të enjten dhe të premten, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, ka diskutuar për planin kohor për ndaljen e fazës intensive të luftës.
Ndihmat gjermane
Një aeroplan i Forcave Ajrore të Gjermanisë është nisur drejt Kajros me 7.6 tonë ndihma mjekësore, të cilat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve të plagosur nga Rripi i Gazës. Ndihma në vlerë prej 1.4 milionë eurosh, është dërguar nga Zyra për çështjet e jashtme në Gjermani. Në këtë pako të ndihmave janë përfshirë inkubatorët dhe ventilatorët për fëmijët dhe të porsalindurit. Sipas autoriteteve gjermane, ndihmat janë dërguar me kërkesë nga qeveria egjiptiane që ka marrë në përkujdesje të plagosurit palestinezë. Një tjetër aeroplan me ndihma nga Gjermania pritet të niset edhe gjatë javës së ardhshme.