Qindra mijëra izraelitë kanë marrë pjesë në atë që po konsiderohet protesta më e madhe në historinë e vendit, raportoi të dielën Reuters.
Protestat kundër planeve të qeverisë për një rregullim rrënjësor të sistemit gjyqësor kanë nisur prej 10 javësh.
Një numër rekord protestuesish kanë dalë në qytete si Haifa, ndërsa rreth 200 mijë besohet se kanë dalë në rrugët e Tel Avivit.
Kritikët thonë se reformat do të minojnë demokracinë. Por, qeveria e Benjamin Netanyahut thotë se ndryshimet e planifikuara janë më të mira për elektoratin.
Organizatorët kanë konstatuar se rreth 500 mijë protestues pro-demokracisë dolën në rrugë në mbarë vendin të shtunën, në atë që gazeta izraelite “Haaretz” e quajti " demonstrata më e madhe në historinë e vendit".
Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid u ka thënë turmave në qytetin jugor të Be'er Shevas se vendi po përballet me krizën më të madhe ndonjëherë.
"Një valë terrorizmi po na godet, ekonomia jonë po shembet, paratë po ikin nga vendi. Irani sapo nënshkroi dje një marrëveshje të re me Arabinë Saudite. Por e vetmja gjë për të cilën interesohet kjo qeveri është të shtypë demokracinë izraelite", tha ai.
Reformat synojnë t'i japin qeverisë së zgjedhur ndikim vendimtar mbi zgjedhjen e gjyqtarëve dhe të kufizojnë aftësinë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër ekzekutivit ose për të rrëzuar legjislacionin.