Ministri i Shëndetësisë i Italisë, Roberto Speranza, ka thënë të dielën se të dhënat e reja për koronavirus janë të “frikshme” dhe se shteti ka dy ditë për të aprovuar masa të mëtutjeshme kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit.
Të shtunën, Italia regjistroi gati 32 mijë raste të reja me koronavirus, shifra më e lartë ditore dhe afro 300 të vdekur. Numri total i personave që kanë vdekur nga COVID-19 në Itali ka arritur në 38.618, shkruan agjencia Reuters.
“Ne kemi 48 orë kohë për të aprovuar shtrëngim të mëtutjeshëm të masave, ka shumë njerëz përreth”, ka thënë Speranza raporton “Corriere della Sera”.
Një mbyllje e re, ndonëse jo aq drastike sa në mars, mund të jetë opsioni i vetëm për të parandaluar shtimin e rasteve, thotë ai, por ka ende dyshime se si do të menaxhohen shkollat dhe të përmirësohen kushtet në transport publik.
“Lakorja epidemiologjike është ende shumë lartë. Ajo që më shqetëson më së shumti mua në këto të dhëna, është se tregon një lakore të frikshme”, ka thënë Speranza.
Javën e kaluar koalicioni qeverisës i udhëhequr nga kryeministri Giuseppe Conte, ka vendosur kufizime në akvitete biznesore, duke urdhëruar baret e restorantet të mbyllen pas orës 18:00 po ashtu duke mbyllur edhe palestrat, kinematë dhe teatrot.
Edhe
Italia regjistron numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus që nga marsi
Shumë qytete dhe rajone, përfshirë edhe Lombardia, që ishte goditur më së rëndi nga vala e parë e pandemisë, kanë vendosur orë policore në nivel lokal.
Conte vazhdimisht ka propozuar se dëshiron ta evitojë një mbyllje të mëtutjeshme nacionale pasi do ta dëmtonte ekonominë në vend.
Të dielën, Qeveria do të takohet me përfaqësues të qeverive rajonale dhe partitë opozitare. Një dekret që mund të limitonte udhëtimet mes rajoneve, të vendoste mbyllje në nivele lokale në zona të caktuara dhe po ashtu rritje të mësimit nga distanca pritet të bëhet publik nga nesër.