Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Italia regjistron numrin më të madh të rasteve të reja me koronavirus që nga marsi

Italia ka regjistruar shifrën më të lartë të rasteve të reja me koronavirus brenda 24 orëshi që nga marsi. Në Itali të martën janë regjistruar 5901 raste të reja, pikërisht në ditën kur kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka vendosur kufizime të reja si në tubime, restorante, sporte e aktivitete në shkollë.

“Ne duhet të parandalojmë që vendi të futet në mbyllje totale. Ekonomia ka filluar të lëviz shpejt”, ka thënë Conte.

Dekreti qeveritar, që do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve dhe do të jetë i vlefshëm për 30 ditë, ndalon festat në restorante, klube apo në ambient të hapur dhe rekomandon personat që të mos organizojnë festa apo të organizojnë me maksimum gjashtë mysafirë.

Po ashtu dasmat dhe ceremonitë tjera mund të kenë maksimalisht 30 persona. Po ashtu është këshilluar që maska të mbahet edhe në shtëpi kur janë prezent anëtarë që nuk janë pjesë e familjes.

Shifrat me koronavirus në Itali po vazhdojnë të rritet, e Conte thotë se është si pasojë e tubimeve familjare e shoqërore.

Janë regjistruar 41 të vdekur nga COVID-19 në Itali të martën, që nënkupton edhe shifra e të vdekurve po rritet. Por është më e ulët se mbi 900 të vdekur në ditë sa regjistroheshin nga fundi i marsit apo fillimi i prillit.