Italia i ka dhuruar Irakut një statujë asiriane të rikonstruktuar, gjest ky i konsideruar si “mrekulli” e diplomacisë kulturore italiane nga ish-ministri i Kulturës Francesco Rutelli, raporton “CNN”.
E ndërtuar në shekullin IX para Krishtit, “Demi i Nimrudit” i lartë 5 metra, u shkatërrua nga luftëtarët e ISIS-it në vitin 2015, para se artizanët italianë të krijonin kopjen e monumentit duke përdorur teknologjinë e printimit 3D. Replika, e cila më herët ishte e shfaqur në Koloseumin e Romës dhe në selinë e UNESCO-s në Paris, tani është rivendosur përfundimisht në hyrjen e muzeut “Basrah” në qytetin Basra në Irak.
“Italia është vendi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, sepse është shpirti i një kombi që mishëron historinë e vet”, ka thënë Gennaro Sangiuliano, ministër i Kulturës së Italisë, në një ceremoni të mbajtur në muze të martën, ku morën pjesë zyrtarë italianë dhe irakianë. “Prandaj tash e tutje do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të avancuar bashkëpunimet ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të punojë për zgjerimin e trashëgimisë së njerëzimit”.
Rutelli, asociacioni i të cilit ka udhëhequr planet për të bërë replikën, ka shkruar në Facebook: “Ja ku është drita, drita e çmuar italiane. Donacioni ka qenë mrekulli e fuqisë italiane, e diplomacisë sonë kulturore”.
Qyteti antik i Nimrudit, afër Mosulit, ishte qytet i madh asirian. Në periudhën e mbretit Ashurnasirpal II, mbretit asirian që konstruktoi një pallat gjigand në qytet të dekoruar me basrelife (skulptura të gdhendura në mure) dhe një numër të madh të “lamassu” (statuja të luanëve dhe demave me krah dhe me koka të njerëzve), Nimrudi ishte bërë kryeqytet.

ISIS-i sulmoi vendin arkeologjik në vitin 2015 dhe i shkatërroi artefakte të vlefshme me eksplozivë.
Edhe
Vidhen statujat romake në Muzeun Kombëtar të Sirisë
“Demi i Nimrudit”, që dikur qëndronte në këtë vend arkeologjik, ishte ndër monumentet e shkatërruara.
Pas sulmit, një ekip ekspertësh të udhëhequr nga restauruesi Nicola Salvioli studiuan fotot dhe videot e monumenteve, duke i lejuar ata të krijojnë një model me polistiren. Një printer 3D u përdor pastaj për të bërë një kopje me fije qelqi industriale që u mbulua me një substancë plastike të përzier me pluhur guri, për t’i dhënë pamje autentike.
Kthimi i demit në Irak vjen pasi Italia ia ktheu edhe një pllakë të gdhendur me shkrime kuneiform dhe simbolin e mbretit asirian Shalmaneseer III, presidentit irakian Abdul Latif Rashid gjatë një vizite në Itali.