Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Italia do të hetojë trajtimin e pandemisë me koronavirus

Italia do ta hetojë mënyrën se si është trajtuar pandemisë e COVID-19. Lëvizja është cilësuar si fitore e madhe nga të afërmit e njerëzve që vdiqën nga virusi, por është kritikuar nga ata që ishin në pushtet në atë kohë.

Italia ishte vendi i parë perëndimor që raportoi shpërthim të pandemisë dhe ka numrin e dytë më të lartë të vdekjeve të lidhura me Covid deri më tani në Evropë, me më shumë se 196,000. Vetëm Britania e Madhe e ka numrin më të madh të vdekjeve, raportoi TheGuardian të enjten.

Krijimi i një komisioni për të hetuar “veprimet e Qeverisë dhe masat e miratuara prej saj për parandalimin dhe adresimin e emergjencës epidemiologjike Covid-19” u miratua nga Dhoma e Ulët e Parlamentit, pasi kaloi në Senat.

Hetimi për Covid-19 ishte ndër premtimet e fushatës zgjedhore të kryeministres, Giorgia Meloni, Qeveria e ekstremit të djathtë e së cilës erdhi në pushtet në tetor të vitit 2022.

Consuelo Locati, avokati që përfaqëson qindra familje e që ngriti rast kundër ish-udhëheqësve, tha se “familjet ishin të parat që kërkuan një komision dhe kështu për ne kjo është një fitore e madhe”. “Komisioni është i rëndësishëm sepse ka për detyrë, të paktën në letër, të analizojë se çfarë shkoi keq dhe gabimet e bëra, në mënyrë që të mos përsëritet masakra që pësuam të gjithë”, ka thënë Locati.

Komisioni do të hetojë veprimet e individëve duke përfshirë ish-kryeministrin Giuseppe Conte, ish-ministrin e Shëndetësisë Roberto Speranza, dhe presidentin e Lombardisë Attilio Fontana.

Conte akuzoi qeverinë e Melonit duke e quajtur “frikacake”. Ish-kryeministri ka thënë se është krijuar “një mjet jonormal” për të sulmuar politikisht paraardhësit e Melonit.

“Por ju nuk do të qeverisni për jetë dhe ky mund të jetë një precedent i rrezikshëm”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk kishte “asgjë për të fshehur”.

Rasti i parë i koronavirusit në Itali u konfirmua në Codogno në Lombardinë jugore më 21 shkurt 2020. Dy ditë më vonë, një shpërthim ndodhi në spitalin në Alzano Lombardo, qytet në Bergamo.

Artikuj të ngjashëm