Zvicra do t’ia faturojë Romës kostot që sistemi i saj shëndetësor ka përballuar për trajtimin e shtetasve italianë të lënduar si pasojë e zjarrit në natën e Vitit të Ri, në resortin e skive Crans-Montana, i cili mori 41 jetë, ka njoftuar zyra qeveritare përgjegjëse për çështjet e sigurimeve shoqërore.
Kërkesa për shpenzimet ka shtuar më tej tensionet në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeminsitrja italiane, Giorgia Meloni, e ka quajtur këtë veprim “të turpshëm”, pasi doli lajmi se familjeve të viktimave u ishin dërguar fatura.
Në një deklaratë për Reuters vonë të shtunën, Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore ka konfirmuar planet që Zvicra të rimbursojë paratë e shpenzuara për trajtimin spitalor, por jo nga familjet e viktimave.
Kjo zyrë ka bërë të ditur se sipas marrëveshjeve aktuale midis shteteve anëtare të BE-së dhe Zvicrës, viktimat do të marrin faturë vetëm për qëllime verifikimi, ndërkaq kostot do t’i faturohen “siguruesit përkatës shëndetësor të huaj”.
Një zëdhënës më vonë ka sqaruar se, në rastin e Italisë, kjo do të ishte ministria e Shëndetësisë.
Edhe
Zvicra dëmshpërblen me nga 50,000 franga viktimat e zjarrit në Crans-Montana
E Meloni ka shkruar në një postim në Facebook se nëse bëhet zyrtare kjo kërkesë, të cilën e ka quajtur të turpshme, Italia do ta refuzojë plotësisht.
Zvicra ka kërkuar më shumë se 100,000 franga zvicerane rimbursim për katër shtetas italianë të trajtuar vetëm për një ditë në spitalin e Sionit pas zjarrit, ka raportuar të shtunën agjencia e lajmeve ANSA, duke cituar ambasadorin italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado.