Botë

Zyrtarët dyshojnë se fishekzjarrët mbi shishe shampanje shkaktuan zjarrin që mbyti 40 persona

zv

Zjarri, që shkaktoi vdekjen e 40 personave dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve në një resort skijimi në Zvicër, dyshohet se ka shpërthyer si pasojë e fishekzjarrëve të vendosur mbi shishet e shampanjës. Autoritetet zvicerane njoftuan se po vijojnë procesin e identifikimit të viktimave dhe se disa nga të plagosurit janë transferuar në njësi specialistike të djegieve nëpër Evropë.

Autoritetet zvicerane thanë se zjarri në resortin e skive në Zvicër Crans-Montana, që la të vdekur 40 persona dhe 119 të tjerë të plagosur, supozohet se u shkaktua nga fishekzjarrët mbi shishet e shampanjës, të cilat ishin shumë pranë tavanit të barit “Le Constellation”. 

Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, deklaroi se të gjitha indikacionet deri më tani tregojnë se zjarri ka shpërthyer si pasojë e atyre  fishekzjarrëve të vegjël.

“Të gjitha shenjat tregojnë se zjarri ka nisur nga qirinjtë ose fishekzjarrët e vegjël që ishin vendosur mbi shishet e shampanjës dhe që u afruan shumë pranë tavanit. Për shkak të kësaj, zjarri shpërtheu shumë shpejt. Janë analizuar video, janë intervistuar disa persona dhe janë përgatitur raporte”.

E, komisioneri i Policisë së Valaisit, Frederic Gisler, theksoi se identifikimi i të vdekurve aktualisht është prioritet absolut.

“Në këtë fazë, me keqardhje raportojmë për 40 viktima. Identifikimi i tyre formal është ende në zhvillim dhe mbetet prioriteti ynë kryesor. Është thelbësore të identifikojmë këta të vdekur sa më shpejt të jetë e mundur. Ne kemi resurset e nevojshme për këtë dhe mund të mbështetemi te specialistët e shumtë nga trupat policore kantonale të ndryshme në Zvicër, të cilëve u shpreh falënderimet e mia”.

E kryetari i Valaisit u shprehu ngushëllime familjarëve dhe njoftoi se shumë nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë.

“Dëshirojmë të kujtojmë se disa nga të plagosurit sot po luftojnë ende për jetën e tyre. Shumë nga personat e shtruar në spital janë në gjendje kërcënuese për jetën”.

Mediat kanë raportuar se shumë nga të lënduarit që kanë marrë plagë të rënda nga zjarri janë transferuar të premten në njësitë specialisitike të djegieve nëpër Evropë.

Deri tani, 113 nga të plagosurit janë identifikuar zyrtarisht. Në mesin e tyre janë 71 shtetas të Zvicrës, 14 të Francës dhe 11 të Italisë. Autoritetet policore kanë njoftuar se procesi për identifikimin e të tjerëve po vazhdon.