Botë

Lokali ku ka ndodhur zjarri vdekjeprurës në Zvicër nuk ishte inspektuar për pesë vjet

Zvicer

Foto: Associated Press

Autoritetet zvicerane kanë thënë të martën se bari zviceran në të cilin ka ndodhur zjarri ku kanë mbetur të vdekur 40 persona dhe të lënduar 116 të tjerë, nuk i ishte nënshtruar kontrolleve të sigurisë për pesë vjet.

Kryebashkiaku i Crans-Montana, Nicolas Feraud, ka thënë në një konferencë për shtyp të martën se nuk mund të shpjegonte pse bari “Le Constellation” nuk ishte kontrolluar për kaq kohë, por se këshilli ishte "thellësisht i penduar".

"Na vjen keq për këtë - ua kemi borxh familjeve dhe do ta pranojmë përgjegjësinë", ka thënë ai. 

Ai ka shtuar se fishekzjarrët, të cilët besohet se kanë shkaktuar zjarrin kur u ngritën shumë afër tavanit - do të ndalohen në lokale.

Autoritetet lokale tani do të dërgojnë një kontraktor të jashtëm për të inspektuar dhe audituar të gjitha 128 lokalet në zonë.

Në konferencën për shtyp, Feraud pranoi se kishte një ekip prej pesë personash që inspektonin më shumë se 10,000 ndërtesa në Crans-Montana dhe nuk mund të shpjegonte pse bari nuk ishte inspektuar që nga viti 2019.

"Na vjen shumë keq për këtë dhe e di sa e vështirë do të jetë për familjet. Nuk po jap dorëheqjen, jo, dhe nuk dua ta bëj”, ka shtuar ai më vonë.

Feraud ka deklaruasr se do të ishte "në dorë të gjyqtarëve" të vendosnin nëse anëtarët e autoritetit lokal do të përfshiheshin në një hetim penal që është hapur nga prokurorët zviceranë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të vitit 2026.

Në barin ku ka ndodhur fatkeqësia dukej se kishte shumë më tepër njerëz brenda sesa lejohej ligjërisht, gjë për të cilën Feraud ka thënë se ishte përgjegjësi e menaxherëve të Le Constellation për ta rregulluar.

Prokurorët zviceranë i kanë vënë dy menaxherët e barit nën hetim penal, të cilët mediat lokale i kanë identifikuar si çift francez, Jacques dhe Jessica Moretti.

Të dy dyshohen për vrasje nga pakujdesia, dëmtim trupor nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia, ka bërë të ditur zyra e prokurorit në Valais.

Feraud ka thënë se përdorimi i materialit izolues ndaj zhurmës në tavanin e barit dhe lejimi i fishekzjarrëve në vend ishte neglizhencë e madhe.