Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-ushtari rus kërkon azil në Holandë, paralajmëron të dëshmojë për krimet

Një ish-ushtar rus ka kërkuar azil në Holandë dhe do të dëshmojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare lidhur me krimet e luftës nga Rusia, ka raportuar Reuters të martën duke iu referuar burimeve.

Sipas mediumit, burri i identifikuar si Igor Salikov, ka qenë anëtar i forcave ruse në Republikën e vetëshpallur të Donetskut në Ukrainë që nga 2014-s, e në një periudhë kishte punuar si instruktor.

Salikov, 60-vjeçar, thuhet se ka qenë edhe pjesëtar i grupit të mercenarëve “Wagner” në Ukrainë.

Prokurori i lartë i Ukrainës për krimet e luftës, Yurii Belousov, ka deklaruar se Salikov ka qenë në kontakt me prokurorët ukrainas “për më shumë se gjashtë muaj dhe ka dhënë dëshmi”.

“Ai ka dhënë dëshmi të rëndësishme, disa prej të cilave tashmë janë konfirmuar, për pushtimin e 24 shkurtit 2022. Ai i ka raportuar disa krime lufte, të cilat ne jemi duke i hetuar, dhe disa tashmë janë konfirmuar”, ka thënë prokurori ukrainas.

Rusia i ka mohuar vrasjet e kryera në Ukrainë.