Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ish-eurodeputeti italian pajtohet të tregojë çdo gjë për skandalin e mitos brenda PE-së

Një i dyshuar që besohet se drejton një rrjet kriminal të përfshirë në skandalin më të madh të korrupsionit të Bashkimit Evropian, është pajtuar të zbulojë se cilat vende ishin të përfshira dhe se si funksiononte, raporton BBC.

Prokurorët thonë se Pier Antonio Panzeri ka pranuar marrëveshje të fajësisë, sipas një ligji për informatorin, që është përdorur vetëm një herë më parë në Belgjikë.

Ish-deputeti i Parlamentit Evropian është një nga katër të dyshuarit që po mbahen në Belgjikë.

Ata dyshohet se kanë marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin Evropian.

Katari ka mohuar kategorikisht se është përpjekur të fitojë ndikim përmes dhuratave e parave, e po ashtu edhe Maroku ka refuzuar pretendimet se ka kërkuar ndikim në çështje të tilla si të drejtat e peshkimit dhe statusi i diskutueshëm i Saharës Perëndimore.

Edhe Kolumne Ironia e korrupsionit më të madh në institucionet e BE-së

Katër të dyshuarit u akuzuan muajin e kaluar, pasi policia sekuestroi 1.5 milionë euro kesh gjatë bastisjeve nëpër pronat e tyre e po ashtu edhe në hotele ku po qëndronin.

Të dyshuarit tjerë janë, eurodeputetja greke Eva Kaili, që ishte edhe zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian, si dhe partneri i saj Francesco Giorgi e po ashtu lobisti Nicolo Figa-Talamanca.

Panzeri 67-vjeçar, pasi ishte larguar nga Parlamenti Evropian ishte bërë kryesues i një grupi lobist të quajtur “Fight Impunity”. Figa-Talamanca ka punuar nga ndërtesa e njëjtë në Bruksel për një OJQ tjetër.

Sipas një deklarate të Prokurorit të Përgjithshëm të Belgjikës, ish-deputeti i Parlamentit Evropian, Panzeri, ra dakord për marrëveshjen për pranimin e fajësisë, sipas një ligji të modeluar sipas dispozitave italiane për anëtarët e mafias për t’u bërë dëshmitarë shtetërorë.

Një zëdhënës ka thënë se ai do të përballet me një vit burgim, si dhe një gjobë dhe konfiskim të pasurive në vlerë 1 milionë euro.

Edhe Skandali “Qatargate” shton paqartësitë rreth Bashkimit Evropian Botë Skandali “Qatargate” shton paqartësitë rreth Bashkimit Evropian

Në këmbim, ai do të kërkohet të japë detaje se si funksiononte rrjeti, cilat ishin marrëveshjet financiare me vendet në fjalë dhe “përfshirja e personave të njohur dhe të panjohur brenda hetimit, duke përfshirë identitetin e personave që ai pranon se kanë dhënë ryshfet”.

Marrëveshja për pranim të fajësisë u publikua një ditë pasi një gjykatë italiane ra dakord ta ekstradonte vajzën e ish-eurodeputetit, Silvia Panzerin (38), që dyshohet se është përfshirë në skandal.