Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë duke këmbyer sulme në atë që po konsiderohet si testi më i madh i armëpushimit.

Garda Revolucionare Islamike ka njoftuar të mërkurën në mëngjes sipas kohës lokale në Kosovë, se i ka goditur bazat amerikane në Bahrejn e Kuvajt, si përgjigje ndaj sulmeve amerikane.

Dhe ushtria iraniane ka njoftuar se e ka goditur edhe një bazë ajrore në Bahrejn, e që mban forca amerikane.

Ndërkaq SHBA-ja menjëherë ka kthyer sanksionet ndaj naftës iraniane. Ushtria ka njoftuar se ka kryer 80 goditje. Menjëherë, çmimet e naftës u ngritën.

Washingtoni dhe Teherani kishin rënë dakord për një armëpushim për të siguruar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit sipas "memorandumit të tyre të mirëkuptimit" në fillim të këtij muaji. Të dyja palët janë përplasur që atëherë se kush e kontrollon rrugën ujore.

Sipas kushteve të marrëveshjes së përkohshme, SHBA heq bllokadën detare ndaj Iranit, ndërsa Teherani rihap Ngushticën. Irani gjithashtu "riafirmon se nuk do të sigurojë ose zhvillojë armë bërthamore". Sipas memorandumit të dy vendet kanë 60 ditë kohë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

Trump: Nuk mendoj se do të rifillojë lufta me Iranin

1 j. më parë / 8 kor 2026 19:22
tr

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ripërsëritur se lufta me Iranin ka qenë një “sukses i jashtëzakonshëm ushtarak” dhe ka shtuar se ka ndaluar Teheranin të ketë armë bërthamore.

Në konferencën në samitin e NATO-s, Trumpi ka thënë tutje se nuk mendon se do të fillojë një tjetër konflikt në shkallë të gjerë. “Gjithçka që do të ndodhë, do të marrë fund shumë shpejt”.

I pyetur nëse lufta do të fillojë sërish, ai u përgjigj se nuk mendon se do të fillojë.

"Mendoj se do të shkojë shumë shpejt, ata godasin disa anije dhe ne i godasim shumë më fort".

Ai ka thënë se negociatorët e Iranit janë “pak të çmendur” ndërsa shtoi se “në një ditë të gjitha sistemet e tyre kundërajrore janë zhdukur, gjithçka është zhdukur, udhëheqësit e tyre janë zhdukur”.

“Ata kanë një palë udhëheqësish të tjerë, por ata mund të zhduken. Kush e di?”

Ndërsa theksoi po ashtu se është shënjestër i Iranit.

“Mund të zhdukem edhe unë, sepse jam objektivi i tyre numër një”, ka thënë ai.

Trump: Do ta godasim përsëri fort Iranin sonte

1 j. më parë / 8 kor 2026 15:23
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka paralajmëruar se sonte do ta godasë fort Iranin sërish.

Trumpi foli pasi doli nga takimi me dyer të mbyllura me liderët e NATO-s në samitin që po mbahet në Ankara.

Presidenti amerikan përsëriti kritikat që i kishte thënë gjatë paradites së sotme kundër Iranit, duke e vërë në dyshim nëse mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me ta.

“Do t’i godasim përsëri fort sonte. Do t’u jap një paralajmërim të vogël”, u shpreh Trump. Ai akuzoi Iranin se e ka shkelur marrëveshjen çdo ditë, duke shtuar se ata “gënjejnë e mashtrojnë”.

“Ata nuk do të arrijnë kurrë marrëveshje me neve për armë bërthamore”, ka thënë ai.

Marrëveshja e armëpushimit mes SHBA-së dhe Irani u vu nën testin më të madh gjatë ditës së sotme pasi të dyja vendet shkëmbyen sulmet. Megjithëse, bisedimet për një marrëveshje përfundimtare ende janë në proces.

Rriten menjëherë çmimet e naftës pas deklaratave të Trumpit

1 j. më parë / 8 kor 2026 11:35
naft

Çmimet globale të naftës janë rritur me më shumë se 5 për qind, pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi me Iranin ka marrë fund, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar sërish.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent u rrit me 5.3 për qind, duke arritur në 78.09 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u shtrenjtua me 5.4 për qind, në 74.23 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimeve erdhi menjëherë pas deklaratës së Trumpit, i cili akuzoi Iranin se nuk ka qenë i sinqertë në bisedimet për programin bërthamor.

“Janë gënjeshtarë. Le të arrijmë një marrëveshje. Të gjithë pajtohen që Irani të mos ketë armë bërthamore. Pastaj dalin para mediave dhe thonë se nuk kemi folur fare për këtë”, ka thënë Trump.

Ai shtoi se udhëheqja iraniane është “e çmendur”, duke i cilësuar drejtuesit e saj si mashtrues që po e dëmtojnë popullin e tyre.

Trumpi për armëpushimin me Iranin: Ka marrë fund

1 j. më parë / 8 kor 2026 10:29
Trumpi për memorandumin e mirëkuptimit me Iranin: Ka marrë fund

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se memorandumi i mirëkuptimit i cili solli armëpushim me Iranin “ka marrë fund”, pas sulmeve të kryera nga dyja shtetet orëve të fundit.

Nga Samiti i NATO-s në Turqi, Trumpi ka thënë se “nuk dëshiron më të merret me iranianët” të cilët i ka quajtur “llum”.

“Me aq sa jam në dijeni, është thjesht humbje kohe të merremi me ta. Janë gënjeshtarë... Ka diçka që nuk shkon me ta. Janë të çuditshëm. Me sa kam informata unë, ka marrë fund”, ka shtuar ai duke i quajtur iranianët “të sëmurë e të dhunshëm”.

Dy shtetet kanë këmbyer zjarr orëve të fundit rreth Ngushticës së Hormuzit dhe bazave amerikane në Lindjen e Mesme, pavarësisht një armëpushimi të arritur javë më herët e që parashihte një rrugë drejt marrëveshjes finale për paqe.

Irani sulmon bazat amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, pas sulmeve amerikane

1 j. më parë / 8 kor 2026 08:20
Irani sulmon bazat amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, pas sulmeve amerikane

Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se shënjestroi bazat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt të mërkurën, pasi SHBA-ja nisi një valë sulmesh ushtarake ndaj Iranit në përgjigje të sulmeve ndaj cisternave në Ngushticën e Hormuzit.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike tha se kreu një operacion të përbashkët me raketa dhe dronë kundër bazave kryesore ushtarake amerikane në Bandar Salman, Distriktin e Pestë Detar të Bahrejnit dhe Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, dhe rrëzoi një dronë amerikan MQ-9 që përpiqej të ndërhynte në operacion, shkruan Reuters.

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në Bahrein dhe Kuvajt, dhe ushtria kuvajtiane tha se mbrojtja ajrore po përballej me sulme "armiqësore" me raketa dhe dronë.

SHBA-ja më parë nisi sulme të reja ushtarake dhe revokuan licencën që i lejonte Iranit të shiste naftë në përgjigje të sulmeve ndaj tri cisternave në ngushticë.

Komanda Qendrore e SHBA-së tha se më shumë se 60 anije të vogla të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike ishin ndër objektivat e goditura gjatë operacionit, i cili kishte për qëllim t'i impononte një kosto të lartë Iranit për sulmet ndaj anijeve në shkelje të armëpushimit.

"Agresioni i pajustifikuar nga forcat iraniane është një shkelje e qartë dhe e rrezikshme e armëpushimit dhe minon lirinë e lundrimit", thuhet në një deklaratë të CENTCOM.