Të paktën 650 vajza janë helmuar me gaz toksik në Iran, që nga nëntori, në atë që shumë besojnë se është një përpjekje për t’i detyruar shkollat e tyre që të mbyllen.
Asnjë nga vajzat e helmuara nuk kanë vdekur, mirëpo dhjetëra prej tyre kanë vuajtur nga problemet me organet e frymëmarrjes, marramendja dhe lodhja.
“Është evidente që disa njerëz donin që të gjitha shkollat, e posaçërisht ‘shkollat e vajzave’ të mbylleshin”, ka thënë zëvendësministri i Shëndetësisë, raportoi BBC-ja.
Megjithatë, ai më vonë tha se komentet e tij ishin keqinterpretuar.
Prokurori i Përgjithshëm njoftoi javën e kaluar se po niste një hetim penal, por tha se informacioni i disponueshëm tregonte vetëm "mundësinë e veprimeve kriminale dhe të paramenduara". Ndërkohë, zhgënjimi publik po vazhdon të rritet.
Helmimi i parë ndodhi më 30 nëntor, kur 18 nxënëse nga Shkolla Teknike "Nour" u dërguan në spital. Që atëherë, më shumë se 10 shkolla për vajza janë vënë në shënjestër në krahinën përreth.
Edhe
Irani akuzon “armiqtë” për helmimin e fëmijëve në shkolla
Të paktën 194 vajza raportohet se janë helmuar gjatë javës së kaluar në katër shkolla në qytetin e Borujerdit, në provincën perëndimore të Lorestanit.
Vajzat e helmuara kanë raportuar erën e mandarinës apo peshkut të kalbur përpara se të sëmuren.
Disa prindër kanë thënë se fëmijët e tyre ishin të sëmurë për javë të tëra pas helmimit.