Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani akuzon “armiqtë” për helmimin e fëmijëve në shkolla

Irani ka raportuar për ngritje të numrit të nxënësve të helmuar në ditët e fundit. Teherani ka akuzuar “armiqtë” se po mundohen të shkaktojnë trazira politike në vend me helmimin e vajzave në shkolla, por nuk ka drejtuar gishtin kundër asnjë shteti. Në spitalet, nxënëset kanë dëshmuar për tmerrin e helmimit.

Dhjetëra nxënëse iraniane në pesë provinca janë shtruar në spitale në një valë të re të dyshuar të sulmeve me helmim.

Qindra raste të shqetësimit të frymëmarrjes janë raportuar në muajt e fundit në mesin e nxënëseve në mbarë vendin, kryesisht në qytetin e shenjtë Qom, me disa syresh që kanë nevojë për shtrimin në spital.

“Ndjej dhimbje në gjoks, dhe këmbët po më dridhen kur po ec”, ka thënë një nxënëse.

Sëmundjet mbeten të pashpjegueshme dhe zyrtarët iranianë besojnë se vajzat mund të jenë helmuar dhe kanë fajësuar armiqtë e Teheranit. Dhjetëra nxënëse po transferohen në spitalet lokale për trajtim. Agjencia e lajmeve “Reuters” raportoi se sëmundja preku më shumë se 30 shkolla në të paktën 10 nga 31 provincat e Iranit të shtunën.

“Kur ngrihem në këmbë, ndiej marramendje dhe plogështi në tërë trupin, dhe kështu nuk po mund të ec”, ka thënë një tjetër.

Të premten, presidenti Ebrahim Raisi tha se rastet e dyshuara të helmimit ishin “komplot i armikut për të krijuar frikë dhe dëshpërim te njerëzit”.

Edhe Dhjetëra nxënëse të tjera në Iran helmohen, mbushen spitalet Botë Dhjetëra nxënëse të tjera në Iran helmohen, mbushen spitalet

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Gjenevë bëri thirrje për hetim transparent për sulmet e dyshuara dhe vendet, përfshirë Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara, kanë shprehur shqetësim.

Vargu i helmimeve të dyshuara erdhi më shumë se pesë muaj pas protestave mbarëkombëtare pas vdekjes në paraburgim të kurdes iraniane, Mahsa Amini, 22 vjeç, e cila ishte arrestuar për shkelje të dyshuar të rregullave të rrepta të veshjes për gratë.

Teherani thotë se qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar në lidhje me protestat, të cilat autoritetet në përgjithësi i përshkruajnë si “trazira”.