Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani instalon kamera në vende publike për të identifikuar gratë e pambuluara

Në një përpjekje të mëtejshme për të frenuar numrin në rritje të grave që kundërshtojnë kodin e detyrueshëm të veshjes në Iran, autoritetet po instalojnë kamera në vende publike dhe në rrugë për të identifikuar dhe penalizuar gratë e pambuluara, njoftoi policia të shtunën.

Pasi të jenë identifikuar, shkelësit do të marrin “mesazhe paralajmëruese me tekst për pasojat”, tha policia në një deklaratë.

Masa ka për qëllim “parandalimin e rezistencës kundër ligjit të hixhabit”, thuhet në deklaratën, të përcjellë nga agjencia e lajmeve e gjyqësorit Mizan dhe media të tjera shtetërore, duke shtuar se një rezistencë e tillë dëmton imazhin shpirtëror të Iranit dhe përhap pasiguri.

Një numër në rritje i grave iraniane kanë hequr qafe mbulesat e tyre që nga vdekja e një gruaje kurde 22-vjeçare ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit shtatorin e kaluar. Mahsa Amini ishte arrestuar për dyshimin se kishte shkelur rregullin e hixhabit. Forcat e sigurisë shtypën me dhunë protestat pas vdekjes së saj.

Por, megjithëse rrezikojnë arrestimin për kundërshtimin e kodit të detyrueshëm të veshjes, gratë ende shihen gjerësisht të zbuluara në qendrat tregtare, restorantet, dyqanet dhe rrugët anembanë vendit. Videot e grave të pambuluara që i rezistojnë policisë së moralit kanë vërshuar në rrjetet sociale.

Ndërkohë, dhjetëra nxënëse në shkollat në një qytet qendror dhe në qytetin veriperëndimor të Ardabilit u sëmurën të shtunën në një valë të re helmimesh të dyshuara që preku qindra nxënëse në të gjithë Iranin në fillim të këtij viti.

Edhe Më shumë gra në Iran shihen pa hixhabe që nga vdekja e Mahsa Aminit Botë Më shumë gra në Iran shihen pa hixhabe që nga vdekja e Mahsa Aminit

“Sot në mëngjes, studentët ndjenin një erë të pakëndshme, kishin një ndjesi djegieje në fyt dhe u ndjenë të dobët, kështu që ata u transferuan menjëherë në qendrat mjekësore nga personeli i urgjencës”, u tha gazetarëve një zyrtar i sigurisë në Ardabil, sipas agjencisë gjysmë zyrtare të lajmeve Fars.

Një komision faktmbledhës që heton helmimet e dyshuara pritet të raportojë në parlament pas rreth dy javësh, citohet të ketë thënë kreu i tij nga agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve ILNA.