Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Irani paralajmëron për rrezikun e një “shpërthimi të pakontrollueshëm” të situatës në Lindjen e Mesme

Irani ka paralajmëruar për rrezikun e një “shpërthimi të pakontrollueshëm” të situatës në Lindjen e Mesme, pasi SHBA-ja vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim në Gaza, raportoi AFP.

Hossein Amir-Abdollahian, kryediplomati i Republikës Islamike, gjithashtu bëri thirrje për hapjen e menjëhershme të pikës kufitare Rafah me Egjiptin për të mundësuar dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.

"Për sa kohë që Amerika mbështet krimet e regjimit sionist [Izraelit] dhe vazhdimin e luftës... ekziston mundësia e një shpërthimi të pakontrollueshëm në situatën e rajonit", i tha Amir-Abdollahian Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Ministri i Jashtëm iranian vlerësoi vendimin e shefit të OKB-së për të përdorur nenin 99 të Kartës së OKB-së si "veprim të guximshëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare".

Luftimet mes Izraelit dhe Hamasit rifilluan më 1 dhjetor pas një armëpushimi njëjavor që Izraeli thotë se Hamasi e shkeli.

"Pretendimi i regjimit izraelit se Hamasi ka shkelur armëpushimin është krejtësisht i rremë", i tha Amir-Abdollahian Guterres, duke shtuar se mbështetja e SHBA-së për Izraelin "e ka bërë të vështirë arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm".