Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Irani ka filluar të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit, pikën më të rëndësishme të kalimit të energjisë në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e gjithë naftës së papërpunuar, sipas dy personave të njohur me raportet e inteligjencës amerikane për këtë çështje.

Vendosja e minave ende nuk është bërë në nivel të gjerë, vetëm disa dhjetëra janë vendosur në ditët e fundit, kanë thënë burimet. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por Irani ende mban në ngushticë rreth 80% deri në 90% të anijeve të tij të vogla dhe mjeteve për vendosjen e minave, ka thënë një nga burimet, kështu që forcat e tij mund të vendosin qindra mina në këtë rrugë ujore.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, të cilat tani në mënyrë efektive kontrollojnë ngushticën së bashku me marinën tradicionale të Iranit, kanë aftësinë të vendosin një “rrjet” mjetesh të shpërndara për vendosjen e minave, varka të mbushura me eksploziv dhe bateri raketash të vendosura në breg, ka raportuar CNN.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në një postim në Truth Social të martën se: “Nëse Irani ka vendosur ndonjë minë në Ngushticën e Hormuzit, dhe ne nuk kemi raporte që e kanë bërë këtë, ne duam që ato të hiqen, menjëherë!”

Ai ka shtuar se nëse minat janë vendosur dhe nuk hiqen, Irani do të përballet me pasoja “në një nivel që nuk është parë kurrë më parë.” 

Megjithatë ka thënë ai se nëse Teherani heq “çfarëdo që mund të jetë vendosur, do të ishte një hap gjigant në drejtimin e duhur".

Pas postimit të Trumpit, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka shkruar në X se, me urdhër të presidentit amerikan, Komanda Qendrore e SHBA-së ka eliminuar anije joaktive që vendosnin mina në Ngushticën e Hormuzit "duke i shkatërruar me saktësi të pamëshirshme". 

“Nuk do të lejojmë që terroristët ta mbajnë peng Ngushticën e Hormuzit”, ka shkruar Hegseth. 

Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar më vonë të martën në një postim në rrjetet sociale se ushtria ka shkatërruar disa anije luftarake iraniane, përfshirë 16 anije që vendosnin mina, pranë Ngushticës së Hormuzit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rezolutën që i kërkon Iranit t’i ndalojë sulmet në Gjirin Persik

2 j. më parë / 11 mar 2026 22:30
KS i OKB

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë të sponsorizuar nga Bahrejni, e cila i kërkon Iranit të ndalojë menjëherë sulmet ndaj vendeve të Gjirit Persik. 

Rezoluta “dënon në termat më të ashpra sulmet e shëmtuara” ndaj Bahrejnit, Kuvajtit, Katarit, Omanit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë.

Ajo u miratua me 13 vota për dhe asnjë kundër. Rusia dhe Kina abstenuan. 

Ambasadorët e Kinës dhe Rusisë mbrojtën qëndrimin e tyre duke thënë se propozimi i Bahrejnit ishte “ekstremisht i pabarabartë” duke mos përmendur sulmet kundër Teheranit që filluan këtë luftë. Ata shtuan se ishin përpjekur të negocionin me Bahrejnin dhe SHBA-në për ta përfshirë sulmin fillestar nga Izraeli dhe SHBA-ja më 28 shkurt, por se nuk u përfshi. 

Ndërkohë, rezoluta e propozuar nga Rusia nuk ka kaluar. Aty nuk përmendej Irani, Izraeli, SHBA-ja apo shtetet e Gjirit Persik, por thjesht kërkonte që aktivitetet ushtarake të pushonin. 
 

Trumpi paralajmëron se SHBA-ja mund ta shkatërrojë infrastrukturën iraniane brenda 1 ore

2 j. më parë / 11 mar 2026 19:36
Trump:

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme shtesë në infrastrukturën e Iranit, duke sugjeruar se SHBA-ja mund t'i "eliminojë ata... brenda një ore".

I pyetur të mërkurën se çfarë duhet bërë më shumë ushtarakisht që lufta me Iranin të përfundojë, Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë: "Më shumë nga e njëjta gjë".

Duke folur për humbjet në marinën, forcën ajrore dhe të tjera të Iranit, Trumpi theksoi se po lënë pa goditur disa gjëra, derisa ka deklaruar se mund ta eliminojë infrastrukturën e Iranit “deri sot pasdite, në fakt brenda një ore”. 

"Ata thjesht nuk do të jenë kurrë në gjendje ta rindërtojnë atë vend".

Trump më vonë e lavdëroi operacionin në Iran derisa shtoi se nuk ka përfunduar ende dhe se sulmet do të vazhdojnë.

 

Kryeparlamentari iranian: Irani mund të shënjestrojë me raketa çfarëdo lokacioni që zgjedh

2 j. më parë / 11 mar 2026 19:25
Kryeparlamentari iranian

Foto: Getty

Irani është i aftë të shënjestrojë "çdo lokacion që zgjedh", ka thënë me këmbëngulje kryetari i Parlamentit iranian të mërkurën, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e SHBA-së se aftësitë raketore të vendit ishin shkatërruar.

Në një postim në rrjetin X, Mohammad Bagher Ghalibaf ka shkruar se lëshimet e raketave nga Irani që nga fillimi i luftës kishin pasur për qëllim "të shkatërronin radarët dhe sistemet mbrojtëse të armikut" dhe se si rezultat, Irani tani mund të "shënjestrojë çdo vendndodhje që zgjedh, me më pak raketa".

Presidenti i SHBA-së Donald Trump pati thënë gjatë fundjavës se "shumica" e raketave dhe armëve të tjera të Iranit ishin shkatërruar.
 

Fuqitë botërore lëshojnë rezerva nafte në vlera rekorde teksa vazhdojnë sulmet ndaj anijeve në Hormuz

2 j. më parë / 11 mar 2026 15:19
Nafta

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka miratuar lirimin e 400 milionë fuçive naftë për të kompensuar furnizimin e humbur nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, ka njoftuar të mërkurën drejtori ekzekutiv i saj, Fatih Birol.

Ai ka thënë se vendet e IEA-s votuan "unanimisht" për të nisur "lirimin më të madh ndonjëherë të rezervave të naftës emergjente në historinë e agjencisë sonë".

“Sfidat e tregut të naftës me të cilat po përballemi janë të pashembullta në shkallë të gjerë, prandaj jam shumë i kënaqur që vendet anëtare të IEA-s kanë reaguar me një veprim kolektiv emergjent me përmasa të pashembullta”, ka deklaruar Birol.

IEA thotë se rezervat e emergjencës do të vihen në dispozicion të tregut gjatë një "afati kohor që është i përshtatshëm për rrethanat kombëtare" të secilit vend anëtar.

Është hera e gjashtë që IEA ka miratuar një lëshim të koordinuar të rezervave të naftës, pasi më parë e ka bërë këtë në vitet 1991, 2005, 2011 dhe dy herë në vitin 2022.

Sipas agjencisë, anëtarët e saj mbajnë rezerva emergjence prej më shumë se 1.2 miliardë fuçish.

Vendimi vjen pak pasi Irani paralajmëroi për dyfishim të çmimit të naftës, dhe pas sulmeve të tij ndaj anijeve komerciale në Ngushticën e Hormuzit. 

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë përbëhet nga 32 vende anëtare, përfshirë SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë, Francën, Turqinë, Kanadanë, Meksikën, Korenë e Jugut e Japoninë. 

Starmer e mbron vendimin që të mos bashkohet në sulmet kundër Iranit

2 j. më parë / 11 mar 2026 14:23 Nga: BBC
Keir Starmer

Në Mbretërinë e Bashkuar është duke u zhvilluar seanca e pyetjeve për kryeministrin, ku fokusi është te lufta në Iran. Kryeministri Keir Starmer u pyet për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te qytetarët britanikë dhe nëse trupat britanike do të përfshihen në konflikt.

Starmer mbrojti vendimin e tij për të mos iu bashkuar sulmeve  në Iran.

“Forcat tona të armatosura po punojnë ditë e natë për të  mbrojtur jetët dhe interesat britanike në Lindjen e Mesme”, ka thënë ai. “Forca Ajrore Mbretërore kanë kryer mbi 230 orë operacione mbrojtëse në disa vende, duke rrëzuar disa  dronë dhe duke mbrojtur jetët britanike  dhe të aleatëve tanë”.

Starmer gjithashtu tha se taksa mbi karburantin do të mbetet e ngrirë deri në shtator, dhe se qeveria do ta mbajë situatën nën shqyrtim në dritën e zhvillimeve në Iran.

Irani paralajmëron botën: Përgatituni për dyfishim të çmimit të naftës

2 j. më parë / 11 mar 2026 14:17
Nafta

Photo: Associated Press

Komanda ushtarake e Iranit ka thënë të mërkurën se bota duhet të përgatitet që çmimi i naftës të arrijë në 200 dollarë për fuçi.

Paralajmërimi vjen teksa edhe tri anije të tjera komerciale u sulmuan të mërkurën afër Gjirit Persik që është nën bllokadë.

Irani ka sulmuar Izraelin dhe objektiva në të gjithë Lindjen e Mesme të mërkurën, duke treguar se ende mund të kundërpërgjigjet dhe të ndërpresë furnizimet me energji, pavarësisht asaj që Pentagoni e ka përshkruar si sulmet më intensive SHBA-Izrael ndaj Iranit deri tani.

Çmimet e naftës, të cilat janë rritur ndjeshëm në fillim të kësaj jave, janë ulur disi dhe tregjet e aksioneve janë rimëkëmbur, pasi investitorët besojnë për momentin se presidenti amerikan, Donald Trump mund të gjejë një mënyrë të shpejtë për t’i dhënë fund luftës që ai nisi së bashku me Izraelin gati dy javë më parë.

Megjithatë, deri tani nuk ka pasur ulje të luftimeve në terren dhe asnjë shenjë se anijet mund të lundrojnë në mënyrë të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit, ku një e pesta e naftës botërore është bllokuar. Kjo është ndërprerja më e madhe e furnizimit me energji që nga krizat e naftës në vitet 1970.

“Përgatituni që nafta të arrijë në 200 dollarë për fuçi, sepse çmimi i naftës varet nga siguria rajonale, të cilën ju e keni destabilizuar,” ka thënë Ebrahim Zolfaqari, zëdhënës i komandës ushtarake iraniane, në komente drejtuar Shteteve të Bashkuara.

Pasi zyrat e një banke në Teheran u goditën gjatë natës, Zolfaqari ka thënë gjithashtu se Irani do të përgjigjet me sulme ndaj bankave që bëjnë biznes me SHBA-në ose Izraelin. Ai ka shtuar se njerëzit në të gjithë Lindjen e Mesme duhet të qëndrojnë 1,000 metra larg bankave.

Një zyrtar i lartë izraelit i ka thënë Reuters se udhëheqësit e Izraelit tani privatisht e pranojnë se sistemi qeverisës i Iranit mund ta mbijetojë luftën. Dy zyrtarë të tjerë izraelitë kanë thënë se nuk ka shenja se Uashingtoni është afër përfundimit të fushatës ushtarake.

E konfirmon Irani: Lideri i ri suprem është plagosur

2 j. më parë / 11 mar 2026 13:50
Mojtaba Khamenei

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është plagosur në sulmin e 28 shkurtit që vrau gjashtë anëtarë të familjes së tij, përfshirë babain e tij, ka konfirmuar ambasadori i Teheranit në Qipro.

Në një intervistë të zhvilluar në kompleksin e ambasadës në Nikosia, Alireza Salarian ka shpjeguar rrethanat në të cilat Khamenei, 56 vjeç, është plagosur, duke thënë se ai pati fat që mbijetoi nga sulmi që rrafshoi rezidencën e ajatollahut të ndjerë.

“Ai ishte gjithashtu aty dhe u plagos në atë bombardim, por nuk e kam parë këtë të pasqyruar në lajmet e huaja”, ka thënë ai për gazetën The Guardian.

“Kam dëgjuar se ai u plagos në këmbë, në dorë dhe në krah… mendoj se është në spital sepse është i plagosur”.

Duke shpjeguar pse kleriku nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë që kur pasoi babain e tij në detyrë të dielën, ai ka shtuar se “Nuk mendoj se ai është në gjendje të duhur për të mbajtur një fjalim”. 

Sulmi ka ndodhur në ditën e parë të sulmeve ajrore të udhëhequra nga SHBA-ja kundër Iranit, kur kompleksi i madh presidencial në zemër të Teheranit u bë objektiv. Ishte dita e dhjetë e muajit të shenjtë të Ramazanit, ka thënë ambasadori, dhe Ajatollah Ali Khamenei ndodhej në rezidencën e tij me disa anëtarë të familjes, përfshirë bashkëshorten e Mojtabës, Zahra, e cila gjithashtu u vra në sulm.

Raportet e mediave iraniane sugjerojnë se gruaja e Ali Khameneit, Mansour, vdiq tre ditë pas sulmit ajror.

Erdogan: Lufta ndaj Iranit të ndalet para se t’i vihet flaka të gjithë rajonit

2 j. më parë / 11 mar 2026 12:50
Recep Tayyip Erdogan

Photo: Associated Press

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se lufta në Iran duhet të ndalet përpara se ajo "t'i vërë flakën të gjithë rajonit".

"Nëse diplomacisë i jepet një shans, është vërtet e mundur të arrihet (paqja)", ka thënë Erdogani në një fjalim para ligjvënësve të partisë së tij në pushtet.

Ai ka shtuar se Turqia po vazhdon me përpjekjet për t'i rikthyer palët në tryezën e negociatave.

NATO-ja ka rrëzuar në dy rastë dronë dhe raketa iraniane që kishin shkelur hapësirën ajrore të Turqisë, ka bërë të ditur Ankaraja zyrtare.

Teherani zyrtar e ka mohuar se kishte shënjestruar Turqinë.  

Shtohen sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit

2 j. më parë / 11 mar 2026 11:41
Anije

Agjencia detare e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se tri anije komerciale janë goditur të martën nga predha të panjohura pranë Ngushticës së Hormuzit. Më parë, ushtria amerikane ka thënë se ka shkatërruar anije iraniane që po vendosnin mina pranë ngushticës. 

Burime i kanë thënë CNN-it se Teherani kishte filluar vendosjen e minave në rrugën ujore shumë të rëndësishme.

Irani herët të mërkurën ka pretenduar se ka nisur "operacionin e tij më intensiv dhe më të rëndë" që nga fillimi i luftës, ka raportuar media shtetërore, teksa u raportuan sulme në të gjithë shtetet e Gjirit dhe Izraelin. Veçmas, një dron i dyshuar iranian ka goditur një strukturë diplomatike amerikane në Irak të martën, kanë thënë dy burime për CNN-in.

Ndërkohë, Izraeli ka thënë se kishte filluar një "valë shtesë" sulmesh ndaj objektivave në Teheran të mërkurën.

E djali i presidentit të Iranit ka thënë se udhëheqësi i ri Suprem, Mojtaba Khamenei "është i sigurt" mes thashethemeve se ai është plagosur në sulmet SHBA-Izrael. Khamenei nuk është parë në publik që nga zgjedhja e tij të dielën.

Sulme me dronë ndaj objekteve të SHBA-së në Irak

2 j. më parë / 11 mar 2026 10:04 Nga: BBC
sulme

Një dron ka goditur një objekt të madh diplomatik të SHBA-së në Bagdad të martën, pa shkaktuar të lënduar, në atë që besohet të jetë një sulm i kryer nga milici të mbështetura nga Irani në Irak.

Droni goditi Qendrën e Mbështetjes Diplomatike në Bagdad, një qendër e madhe logjistike për diplomatët amerikanë pranë aeroportit të  Bagdadit, duke goditur pranë një kulle roje, sipas një  njoftimi të brendshëm amerikan të cituar nga Washington Posti dhe Reutersi.

Sipas Washington Postit, gjithsej gjashtë dronë ishin lëshuar drejt kompleksit, dhe pesë prej tyre u rrëzuan.

Raporti thotë se sulmi ka shumë gjasa të jetë kryer nga milici që veprojnë nën ombrellën e “Rezistencës Islamike në Irak”, një koalicion grupesh të armatosura të mbështetura nga Irani, të cilat kanë shtuar sulmet e tyre që nga fillimi i luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Në veriun e Irakut, të paktën tre dronë u asgjësuan në periferi të Erbilit, në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit, ndërkaq nuk pati raportime për viktima.

Një bazë ushtarake amerikane ndodhet pranë aeroportit të Erbilit, dhe qyteti ka qenë një objektiv i rëndësishëm i sulmeve hakmarrëse të Iranit dhe milicive pro-iraniane.

Irani paralajmëron: Do të godasim bankat, qëndroni larg 1 kilometër

2 j. më parë / 11 mar 2026 09:49
Raketa toke-toke

Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit ka paralajmëruar se bankat dhe institucionet financiare tani janë një shënjestër në Lindjen e Mesme, pasi SHBA-ja dhe Izraeli dyshohet se shënjestruan një nga bankat e vendit.

"Me këtë akt të paligjshëm dhe jokonvencional në luftë, armiku na ka dhënë dritën jeshile për të shënjestruar qendrat ekonomike dhe bankat që i përkasin SHBA-së dhe regjimit sionist në rajon”, ka thënë një zëdhënës.

"Amerikanët duhet të presin një veprim të dhimbshëm dhe hakmarrës nga ne”, ka shtuar ai.

Ai i ka paralajmëruar njerëzit në rajon të qëndrojnë larg bankave brenda një rrezeje prej një kilometri.

Paralajmërimi vjen pak momente pasi presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka theksuar se regjimi po shënjestronte vetëm bazat e përdorura nga Izraeli dhe SHBA-ja për të nisur sulme në territorin iranian. 

Irani thotë se ka nisur sulmet më intensive që nga fillimi i luftës

2 j. më parë / 11 mar 2026 08:39
Iran

Irani ka thënë herët të mërkurën se ka nisur "operacionin e tij më intensiv dhe më të rëndë" që nga fillimi i luftës, kanë raportuar mediat shtetërore.

Një dron i dyshuar iranian ka goditur një strukturë diplomatike amerikane në Irak të martën, kanë thënë dy burime për CNN.

Edhe Izraeli ka thënë se ka filluar një "valë shtesë" sulmesh ndaj objektivave në Teheran të mërkurën.

Një video e konfirmuar nga CNN-i tregon shpërthime pranë Aeroportit Ndërkombëtar Mehrabad të Teheranit. Përtej kryeqytetit, një ekip i CNN-it në Iranin verior ka raportuar pwr sulmet më të mëdha ajrore gjatë natës që kanë zgjatur gati një orë.

Ndërtkohë, një anije mallrash ishte goditur në Ngushticën e Hormuzit, ka bërë të ditur të mërkurën agjencia detare e Mbretërisë së Bashkuar. 

Paraprakisht ushtria amerikane ka bërë të ditur se kishte shkatërruar anijet iraniane që po vendosnin mina pranë ngushticës. 

Burime i kanë thënë CNN-it se Teherani kishte filluar vendosjen e minave në rrugën ujore kyçe.