Mbi 140 figura të njohura iraniane janë dënuar nga një komitet sekret që Irani e kishte formuar vitin e kaluar, për të ndëshkuar personat e famshëm që mbështetën protestat antiqeveritare. Lista e zbuluar nga BBC-ja përfshin artistë, sportistë e influencues të mediave sociale
Irani formoi një komitet sekret vitin e kaluar për të ndëshkuar personat e famshëm që mbështetën protestat aktuale antiqeveritare, dokumente të zbuluara nga emisioni i BBC-së.
Në një letër të datës 22 shtator, vetëm gjashtë ditë pas fillimit të trazirave, komiteti i dërgoi Ministrisë së ekonomisë një listë me 141 figura të njohura.
Ai i tha Ministrisë që të hetojë të hyrat e tyre tatimore dhe të ndërmarrë veprime të papërcaktuara kundër tyre.
Lista e zezë
Lista përfshinte legjendën e futbollit, Ali Daei, dhe aktoren kryesore, Taraneh Alidoosti.
Ata janë në mesin e dhjetëra artistëve, sportistëve dhe influencuesve të mediave sociale që janë përballur me sanksione ekonomike, ndalime udhëtimi ose paraburgim gjatë shtatë muajve të fundit pasi kanë mbështetur thirrjet e protestuesve për liritë themelore.
Demonstratat u përhapën me shpejtësi në të gjithë vendin pas vdekjes në paraburgim më 16 shtator të Mahsa Aminit, një gruaje të re që u arrestua nga policia e moralit në Teheran për dyshimin se mbante hixhabin e saj "në mënyrë të pahijshme".
Qindra njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë arrestuar në goditje të dhunshme nga forcat e sigurisë, që i kanë portretizuar protestat si "trazira" të nxitura nga të huajt.
BBC në persisht siguroi tri dokumente përmes një burimi të inteligjencës së Lindjes së Mesme që zbulojnë se si qeveria ndërmori veprime të shpejta dhe të koordinuara në një përpjekje për të penguar të famshmit që të mos ndiqnin linjën zyrtare.
Letra e datës 22 shtator shpall vendimet e një të ashtuquajture "Task Forcë e të Famshmëve" dhe identifikon kryetarin e saj si ministrin e Kulturës dhe Udhëzimit Islamik, Mohammad Mehdi Esmaili, i cili është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për gjoja se ka kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Aty thuhet se Ministria e Ekonomisë është udhëzuar të shikojë të hyrat tatimore të 141 figurave të njohura të perceptuara nga komiteti se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e trazirave dhe të zbatojë "kufizimet e parashikuara sipas ligjit".
Përveç Ali Daei dhe Taraneh Alidoostit, e cila u arrestua më 17 dhjetor pasi dënoi ekzekutimin e një protestuesi dhe u lirua me kusht dy javë më vonë, personazhet e famshme në listë përfshinin regjisorët Asghar Farhadi, Pegah Ahangarani, Manijeh Hekmat, Barzou Arjomand dhe Shahin Samadpour dhe ish-prezantuesja televizive Ehsan Karami.
Letra nuk jep detaje në lidhje me "kufizimet" me të cilat u përballën, por njëri prej të emëruarve i tha BBC Persian: "Influencuesit e Instagramit u kërcënuan nga zyrtarët se nëse do të vazhdonin të mbështesnin protestat, do të duhej të paguanin taksa për të gjitha të ardhurat që marrin nga aktivitetet e tyre online, të cilat do të arrinin një shumë të konsiderueshme".
Dy persona të tjerë konfirmuan se iu bllokuan llogaritë bankare pasi shprehën mbështetje për protestat.

Dokumenti “top-sekret”
Një tjetër dokument, i emëruar si "tepër sekret" dhe i datës 26 shtator, thotë se "Task-Forca e të Famshmëve" është riemërtuar "Komiteti i të Famshmëve" dhe është bërë i përhershëm.
Ai thotë gjithashtu se përgjegjësitë e komitetit janë ndarë, me Ministrinë e kulturës dhe inteligjencës që merret me "artistë, këngëtarë dhe personalitete të medias", ndërsa Ministria e sportit dhe agjencia e inteligjencës e Gardës Revolucionare marrin përsipër sportistët.
Dokumenti paralajmëron se çdo vendim në lidhje me të famshmit "duhet të merret në një mënyrë që minimizon kostot dhe maksimizon përfitimet në kontrollin e trazirave dhe mbështetjen e parimeve të regjimit".
Dokumenti i tretë, i datës 1 nëntor, diskuton se si duhet të sillen me futbollistët përpara Kupës së Botës në Katar dhe thotë se pasuritë e një lojtari dhe trajneri të njohur duhet të ngrihen.
Dokumenti gjithashtu thotë se komiteti është zemëruar nga "guximi i vazhdueshëm" i aktores, Fatemeh Motamed-Arya dhe se i ka kërkuar zyrës së prokurorit të Teheranit "të padisë shpejt atë dhe ta vendosë çështjen e saj në rendin e ditës me përparësi".
Motamed-Arya kishte postuar foto të saj pa hixhab dhe kishte publikuar një video duke u ankuar se ishte paraqitur në një billbord qeveritar ku shfaqeshin gra të veshura me hixhab.
Dhe pavarësisht fokusit të supozuar të tyre te sportistët, dokumenti thotë se agjentëve të inteligjencës së Gardës Revolucionare u është dhënë leja për të ndaluar aktoren, Katayoun Riahi.
Riahi, një nga aktoret e para që hoqi hixhabin në mbështetje të protestave, thuhet se u arrestua pranë qytetit verior të Qazvinit më 20 nëntor dhe u lirua me kusht një javë më vonë.
Përktheu: Forca Jashari