Botë

Irani liron nga burgu regjisorin e njohur

Regjisori i njohur iranian, Jafar Panahi, është liruar nga burgu të premten, vetëm dy ditë pasi nisi grevën e urisë në shenjë proteste kundër dënimit të tij me gjashtë vjet burgim. Panahi ishte arrestuar në muajin korrik dhe ndaj tij ishte marrë vendim që të vuante dënimin që datonte nga viti 2011.

Ai ishte dënuar për propagandë kundër qeverisë, por dënimi nuk ishte zbatuar. Ai është në mesin e artistëve, sportistëve dhe të famshmëve iranianë që përballen me dënime për kritikat e tyre ndaj qeverisë në kohën e protestave ndaj Republikës Islamike të Iranit.

Panahi ka vazhduar të realizojë filma ani pse e kishte të ndaluar të udhëtonte dhe të punonte. Filmi i tij i fundit “No Bears” mori shumë lëvdata teksa regjisori ishte në burg.

Ai po vuante dënimin në “Evin” një prej burgjeve më famëkeqe në Teheran.