Irani ka paralajmëruar se do të kalojë “plotësisht në ofensivë”, pasi përpjekjet për të arritur marrëveshje të përhershme për përfundimin e luftës me Shtetet e Bashkuara kanë ngecur.
Një zyrtar i lartë iranian ka thënë për Reuters se, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, Teherani është i gatshëm të ndërmarrë sulm ushtarak për të thyer bllokadën detare amerikane.
“Subjektet iraniane duhet të jenë të përgatitura për përshkallëzimin e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë”, deklaroi zyrtari, duke shtuar se Irani do të jetë i gatshëm të marrë vendime të vështira në rast të dështimit të diplomacisë.
Tensionet janë rritur pasi negociatat për marrëveshje të përhershme paqeje dhe për rikthimin e qarkullimit të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit kanë ngecur.
Një memorandum mirëkuptimi i nënshkruar më 17 qershor u kishte dhënë Iranit dhe SHBA-së 60 ditë për të arritur marrëveshje më të gjerë lidhur me programin bërthamor iranian dhe sanksionet amerikane.
Dokumenti parashikonte “përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet”. Megjithatë, marrëveshja u vu shpejt në pikëpyetje për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kontrollit të Ngushticës së Hormuzit.
Irani pretendon se pika e pestë e memorandumit i jep të drejtën për të menaxhuar ngushticën, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë. Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë këtë interpretim.
Pavarësisht përplasjes publike, raportohet se Uashingtoni ka hapur kanale të tërthorta komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, e cila ka fituar ndikim të madh gjatë luftës dhe kontrollon një pjesë të konsiderueshme të strukturave ushtarake dhe ekonomike të vendit.
Irani liston kërkesat për hapjen e Hormuzit
Kryeparlamentari i Iranit, Mohammad Baghar Ghalibaf, ka publikuar një listë kërkesash të cilat ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i plotësojnë për ta rihapur Ngushticën e Hormuzit.
Që nga fillimi i luftës në Lindjen e Mesme, trafiku në ngushticën kritike të naftës është reduktuar ndjeshëm.
Agjencia shtetërore e Lajmeve (IRNA) ka publikuar kushtet e përmendura nga Ghalibafi:
- Largimi i bllokadës amerikane në portet iraniane
- Lirimi i aseteve të ngrira iraniane
- Largimi i sanksioneve të naftës iraniane
- Dhënies fund të çdo kërcënimi apo operimi ushtarak
Zyrtarët iranianë po ashtu kanë bërë thirrje që SHBA-ja të implementojë “kushtet tjera” për të cilat është zotuar si pjesë e Memorandumit të Bashkëpunimit të arritur mes dy shteteve në qershor.
Marrëveshja parashihte hapjen e rrugës për “marrëveshjen finale” që t’i jepet fund luftës për 60 ditë. Afati i saj përfundoi dje.
Ngushtica e Hormuzit shërben si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel bote. Që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit, çmimi i naftës është rritur ndjeshëm si pasojë e mbylljes së kësaj ngushtice.