Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Informatorja e Inteligjencës amerikane tenton vetëvrasjen

Foto: Reuters

Ish-analistja e Inteligjencës amerikane, Chelsea Manning, është dërguar në spital pasi ka tentuar vetëvrasjen. Policia ka konfirmuar incidentin që ndodhi në një qendër të paraburgimit në Virginia, ku Manning ishte dërguar që prej majit të vitit 2019.

Manning po mbahej për procesin gjyqësor pasi refuzoi të dëshmonte para hetuesve në lidhje me aferën Wikileaks, transmeton KOHA. Ajo do të dalë para gjykatës të premten. Avokatët mbrojtës të saj kanë deklaruar se ajo ka refuzuar të marrë pjesë në një proces sekret gjyqësor, të cilin e ka konsideruar si abuzim.

Në vitin 2013 Manning u shpall fajtore për akuzat e spiunimit kur ia ofroi WikiLeaksit me mijëra dokumente sekrete. Mirëpo në vitin 2017 ishte falur nga presidenti i atëhershëm amerikan Barack Obama. Ajo ka refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve rreth Wikileaksit, pasi ka konsideruar se dëshminë e saj e kishte dhënë në procesin gjyqësor të vitit 2013.

Me akuza të njëjta është duke u ballafaquar edhe shefi i Wikileaksit, Julian Assange, i cili është në Londër, në pritje të vendimit për ekstradimin ose jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.