Norma e inflacionit në Argjentinë ka kaluar 100 për qind për herë të parë që nga fundi i hiperinflacionit në fillim të viteve '90, shkruan BBC.
Inflacioni arriti në 102.5 për qind në shkurt, ka thënë agjencia e statistikave të vendit, që do të thotë se çmimi i shumë mallrave të konsumit është më shumë se dyfishuar që nga viti 2022.
Argjentina ka vite që është në vështirësi ekonomike dhe shumica e popullsisë jeton në varfëri.
Qeveria argjentinase po përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve duke kufizuar çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Por sektorët e ushqimit dhe pijeve panë rritjen më dramatike kohëve të fundit, me çmimet që u rritën me 9.8 për qind në shkurt krahasuar me janarin.
Edhe
Inflacioni në maj rritet për 6.8 për qind
Mediat argjentinase raportojnë se rritja mund të jetë pjesërisht për shkak të rritjes së çmimit të mishit, i cili u rrit me gati 20 për qind në harkun e një muaji. Kushtet e pafavorshme të motit, vala e zgjatur e nxehtit dhe thatësira ndikuan në bagëtinë dhe të korrat, shkruan gazeta lokale e lajmeve Ambito.
Megjithëse simbolika e rritjes së normës së inflacionit në 100 për qind është e habitshme, efektet e rritjes së inflacionit janë ndier prej kohësh në Argjentinë.
Shtatorin e kaluar, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar veprime për ta frenuar rritjen e kostove të jetesës.
Qeveria argjentinase është përpjekur prej kohësh ta frenojë inflacionin, por veprimet e tyre kanë dëmtuar politikën ekonomike të vendit.
Verën e kaluar, tre ministra të Ekonomisë u ndërruan brenda një muaji. Edhe presidenti Alberto Fernandez ka pasur përplasje me zëvendësin e tij për mënyrën se si po trajtohen problemet ekonomike të Argjentinës.
Edhe
Inflacioni në SHBA arrin në 4,2%, niveli më i lartë në tre vjet
Në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi 6 miliardë dollarë para shpëtimi për Argjentinën.
Ishte pagesa e fundit për Argjentinën në një program 30-mujor që pritet të arrijë një total prej 44 miliardë dollarësh.