Para se vetë Donald Trumpi të bëhej i cenueshëm, ai lumturohej tek i cilësonte shtetet e tëra si “vrima qenefi”. I krahasonte meksikanët me përdhunues dhe shfrytëzonte Twitterin për t’i denigruar moderatorët televizivë, aktorët, atletët e zyrtarët me çdo lloj mbiemri që i behte.
Para se fuqia e pushtetit të Trumpit ta niste teposhtën, ai i rrezikonte me agresivitet të drejtat e mbrojtura me Kushtetutë për lirinë e shtypit dhe të shprehjes. I vuri faktet në pikëpyetje dhe nuk e humbi asnjë mundësi për të përhapur propagandë përçarëse, shkruan “Der Spiegel”, transmeton KOHA. I quajti neonazistët në Charlottesville “njerëz të mirë” dhe, gjatë debatit të fundit me sfiduesin demokrat, Joe Biden, i shprehu mbështetje të qartë lëvizjes së të djathtës ekstreme e raciste “Proud Boys”. Kërkoi kritikët e kundërshtarët me burgim teksa u hapi dyer manipulimeve zgjedhore.
Asnjëra prej gjithë këtyre nuk e lëndoi atë përgjatë gjithë këtyre viteve. Dhe vazhdoi.
I veçoi fëmijët prej prindërve emigrantë në kufirin me Meksikën, u tërhoq nga ujdia e Parisit për klimë. Midis pandemie, ia shkurtoi fondet amerikane Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i thelloi konfliktet tregtare me aleatët në Evropë e gjetkë dhe flirtoi me diktatorë në Lindjen e Mesme dhe të Largët. E la vendin të izoluar përbrenda NATO-s dhe OKB-së. Iu shmang taksave dhe megjithëse premtoi, nuk i veçoi kurrë punët e biznesit nga hesapet qeveritare.
Dhe prapë, asnjëra prej këtyre nuk qe e mjaftueshme për ta dridhur mundësinë e rizgjedhjes së tij më 3 nëntor. U deshën ngjarjet e rrëmujshme të 10 deri 14 ditëve të fundit që më në fund të “avullohen” dhe mbase të shkatërrohen gjasat e Trumpit për fitore.