Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

India hap disa biznese, pas rënies së numrit të të infektuarve

Bizneset në dy qytetet më të mëdha të Indisë janë rihapur të hënën, si pjesë e zbutjes graduale të izolimit në vend, pas rënies së shkallës ditore të infektimeve me koronavirus.

Kryeqyteti indian ka lejuar hapjen e bizneseve dhe dyqaneve me orë të kufizuara veprimi, ndërsa metroja e qytetit është vendosur që t’i vazhdojë operacionet me gjysmën e kapacitetit.

Autoritetet e qytetit kanë lejuar javën e shkuar vazhdimin e disa aktiviteteve në fushën e ndërtimit dhe prodhimit. Masat e ashpra të izolimit ishin zbatuar që nga prilli, kur kishte filluar vala e dytë shkatërrimtare e infektimeve që ka zgjatur deri në muajin maj. Me gjithë lehtësimin e masave, disa ekspertë shëndetësorë kanë shprehur drojën se dalja nga izolimi po bëhet tepër herët. Kjo ngase ekzistojnë shqetësimet se virusi ende po përhapet i pakontrolluar nëpër fshatrat indiane, ku testimet dhe përkujdesja shëndetësore janë të kufizuara.