Botë

HRW: Izraeli ka kryer krime të luftës në Gazë

“Human Rights Watch” ka akuzuar ushtrinë izraelite për ndërmarrjen e sulmeve që përbëjnë krime të qarta të luftës, gjatë luftimeve 11-ditore kundër grupit militant Hamas.

Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka publikuar një raport me konstatime, të përpiluar pas hetimit të tri sulmeve ajrore izraelite që kanë rezultuar me vdekjen e 62 civilëve palestinezë. Grupi ka bërë të ditur se me rastin e sulmeve nuk ka pasur caqe të qarta ushtarake në afërsi.

Raporti i “Human Rights Watch” i akuzon edhe militantët palestinezë për krime të dukshme lufte rreth lansimit të mbi 4 mijë raketave në qendrat e populluara izraelite. Sulmet e tilla, sipas organizatës, përbëjnë shkelje të “ndalesës për sulme të qëllimshme apo të rrëmujshme ndaj civilëve”. Izraeli ka pretenduar vazhdimisht se sulmet gjatë konfliktit të muajit maj kishin në shënjestër caqet ushtarake në Gazë.