Human Rights Watch ka kritikuar SHBA-në për veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që kërkonte korridore humanitare, ndalim të luftimeve dhe shfuqizimin e urdhrit të Izraelit, i cili u kërkoi qytetarëve në Gaza të largoheshin nga veriu i territorit.
Louis Charbonneau, drejtor i HRW-së, ka thënë se SHBA-ja edhe një herë “në mënyrë cinike e ka përdorur veton e saj për të parandaluar Këshillin që të veprojë ndaj Izraelit dhe Palestinës në një kohë masakre të paprecedentë”.
“Duke e bërë këtë, ajo ka bllokuar kërkesat për të cilat shpesh këmbëngul në kontekste të tjera: të gjitha palët të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të sigurojnë që ndihma jetike humanitare dhe shërbimet thelbësore të arrijnë te njerëzit në nevojë”.
Organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka thënë se SHBA-ja po ashtu ka bllokuar dënimin e sulmit të 7 tetorit të Hamasit dhe kërkesën për lirimin e pengjeve. Ka theksuar se pas kësaj, “vendet anëtare të OKB-së duhet t'i kërkojnë Asamblesë së Përgjithshme të ndërmarrë veprime urgjente për të mbrojtur civilët dhe për të parandaluar mizoritë në shkallë të gjerë”.
Edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kritikuar dështimin e Këshillit për ta kaluar rezolutën për pauzën humanitare.
Edhe
SHBA-ja për herë të gjashtë përdor veton kundër rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gaza
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së, i cili është bërë plotësisht joefektiv, edhe një herë ka dështuar t’i përmbushë përgjegjësitë e tij. Shtetet perëndimore, që nuk lënë gurë pa lëvizur kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk kanë ndërmarrë asnjë hap tjetër përveç se i kanë hedhur benzinë zjarrit”.