Zëdhënësi kryesor i Hezbollahut ka thënë të hënën se grupi nuk ka marrë ndonjë propozim zyrtar për ta përfunduar luftën me Izraelin dhe se është përgatitur për ta vazhduar luftën nëse duhet, raporton AP.
“Në këtë fazë, ne akoma po i testojmë ‘ujërat’, po paraqesim ide të reja dhe po kryejmë diskutime proaktive, por deri tani nuk ka asgjë zyrtare”, ka thënë Mohammed Afif nga Bejruti.
Komentet e tij kanë ardhur pasi ministri i ri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Saar ka thënë se ka pasur “progres të caktuar” në përpjekjet për t’i përfunduar luftimet me Hezbollahun.
Administrata e Bidenit ka kaluar muaj të tërë duke u përpjekur ta arrijë armëpushimin dhe ka pasur raportime që i dërguari i SHBA-së, Amos Hochstein, mund të rikthehet në rajon në ditët në vijim.
Afifi gjithashtu i ka mohuar pretendimet e zyrtarëve izraelitë, që Hezbollahu ka humbur shumicën e aftësive raketore, duke vënë në dukje faktin që po lëshon akoma dhjetëra predha në ditë dhe po shënjestron zona të Izraelit qendror.
“E ritheksoj se forcat tona në vijën e frontit dhe luftëtarët tanë kanë mjaft armë, pajisje dhe furnizime për një luftë të gjatë, për të cilën jemi të përgatitur në të gjitha frontet”, ka thënë ai.
Lufta gjithëpërfshirëse mes Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu në shtator, kur Izraeli kreu valën e sulmeve të rënda ajrore dhe vrau liderin e grupit militant, Hassan Nasrallah dhe shumicën e komandantëve të tij të lartë.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se të paktën 3189 njerëz janë vrarë dhe mbi 14 mijë janë plagosur në Liban, në konfliktin njëvjeçar midis Izraelit dhe Hezbollahut.